Ambasadori amerikan Donald Lu ka pasur sot një drekë punë në selinë e ambasadës ameriakne në Tiranë me gazetarët Ilva Tare, Sokol Balla, Mero Baze, Skënder Minxhozi, Blendi Fevziu dhe Andi Bushati. Ai ka dhënë sot disa mesazhe për zhvillimet e fundit në vend për personazhet e veëanta politike për çadrën e opozitës dhe për ligjin e vettingut.
Ajo që ka bërë përshtypje ishte se ndryshe nga ç’thuhet në publik, ndryshe nga zërat që qarkullojnë se ai ka një marëdhënie tejet të keqe me Ilir Metën, – madje personazhe publikë kanë aluduar se ai kërkon deri burgosjen e tij – Donald Lu kur foli “ON” vetëm e lavdëroi kreun e parlamentin. Duke përjashtuar ndonjë nënqeshje nën buzë apo ndonjë ironi të hollë në citmet e tij Lu ishte “politikisht korrekt”. “Roli [i Kryetarit të Parlamentit Meta] në miratimin e amendamenteve kushtetuese në korrik ishte me rëndësi kritike dhe, pa hezitim, do të thoja që roli i tij tani është kritik. Kemi një dialog shumë të mirë me Z. Meta dhe kolegët e tij me qëllim që të përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si të zbatohet kjo reformë” deklaroi Lu sot në mesditë.
Ky qëndrim u duk si një kthesë e fortë kur dihet se Meta dhe Lu kanë pasur mjaft replika në distancë që nga influenca e votës së deputetëve në 21 korrik e deri tek përplasjet në distancë për rrolin e Adriatik Llallës. Megjithëse shumëkush mendon se ky qëndrim ka ardhur pas ndryshimeve të reja në administratën e Trump dhe një letre ankesë që Meta me dorën e tij i ka shkruar sekretarit të ri të shtetit Rex Stillerson, kundër politikave të ambasadës në Tiranë, në deklaratat dhe qëndrimet e amabasadorit tonet ishin të qeta.
Kthesa e dytë e çuditshme e Donald Lu ishte qëndrimi që ai mbajti me gazetarët lidhur me rolin e kryeprokurorit Llalla. Ata të dy janë shfaqur të tensionuar në publik sidomos pas anullimit të vizës për familjen e kryeprokurorit, dhe qëndrimeve se Prokurori i përgjithshëm kishte shkelur kushtetutën me tre kandidatuarat që çoi për këshillin e lartë të Prokurorisë. Por Donald Lu u tha sot gazetarëve:
“Dua të them se nuk kam asgjë kundër Z. Llalla. Ishim të shqetësuar që kishte ndërmarrë tri hapa të veçuara që dukeshin se ishin të vendosura për të minuar reformën në drejtësi dhe ne i kishim bërë një premtim popullit shqiptar se kur ta shihnim këtë do të ngrinim zërin. Mendoj se duhet t’i përgjigjemi këtij angazhimi” theksoi ai me një ulje të ndjeshme tonesh.
Menjëherë sapo mbaroi takimi disa media më pranë së majtës nxorrën lajmin se Ambasadori i ShBA i tha gazetarëve se opozita duhet të ndërpriste bojkotin dhe të votonte vettingun. Në fakt surpriza ishte se ndryshe nga sa pritej Donald Lu i përkrahu disa nga qëndrimet e protestës së PD.
“Le të ndalojmë së vrari mendjen [thjesht] për çadrën. Le të vrasim mendjen për çështjet nën të, çështjet serioze të ngritura nga opozita: zgjedhje të lira dhe të ndershme, drogën dhe krimin e organizuar, dekriminalizimin. Këto janë gjëra serioze. Dhe mendoj se të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë për mundësi për të nxjerrë nisma që merren me këto çështje serioze” tha ai sot në drekë. Por Donald Lu u tha gazetarëve se megjithëse ShBA ndan disa nga prioritetet e protestës së opozitës “për të çuar përpara zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve” ai nuk përkrah disa nga metodat si : “bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo bllokimi i reformës në drejtësi”.
Pra megjithëse i përkrahu disa nga pikat Kyçe të protestës ai nuk nguroi të numërojë edhe dyshimet për të. (lapsi.al)