Shkruar nga kritikja dhe shkrimtarja itlaliane, Irma Loredana Galgano
Shtëpia botuese Ensemble botoi, në edicionin e parë në dhjetor 2016, përkthyer nga Iris Hajdari «193 kafazet» (titull origjinal 193 kafazet) të shkrimtarit shqiptar Rezart Palluqi.
Bëhet fjalë për një libër interesant që duket të jetë shkruar për t’i rrëfyer botës tërë emocionet, ndjenjat dhe sfilitjet më intime e të fshehura të protagonistit, që në realitet mund t’i përkisnin cilitdo dhe ndodhnin kudo.
193 kafazet rrëfen ngjarjet dhe vështirësitë e një fëmije, por dhe të familjes së tij. Të përndjekur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxha, ata qëndrojnë të pafuqishëm përballë arrestimit të babait. Më vonë të keqtrajtuar nga paria dhe fqinjët e tyre, ata detyrohen ta braktisin vendin e tyre, Shqipërinë. Madje edhe pse rritet në një vend demokratik si Hollanda Ylli s’ia del ta kapërcejë dramën e të kaluarës, e cila e sfilit gjatë gjithë ditës dhe që i shfaqet si shqetësim psiqik, si dhe gjatë natës si makth. I stresuar e i pa qetë, Ylli përfundon në një tunel marramendës të mashtrimeve e të mistereve, të kurdisur nga prej vjerrit, që teksa i premtonte drejtësi, u hakmor, për të satën herë kundrejt një krijese të pafuqishme dhe të pambrojtur. Kështuqë Ylli, teksa kërkonte të rigjejë e të nderojë kufomën e babait, përfundon edhe ai si i ati, si një qënie krejt e pambrojtur.
Në të vërtetë duke lexuar 193 kafazet e kupton menjëherë që nuk është Ylli protagonisti real i ngjarjes por mendja e tij, e cila mund t’i përkiste kujtdo personi që ka qenë i detyruar të pësojë vështirësi dhe përjashtime, që një diktaturë, e çfarëdo ngjyre apo flamuri ku kanë lindur, u dikton atyre që nuk mposhten nga regjimi. Lexuesi, në fakt fillimisht, has ndonjë vështirësi për të kuptuar strukturën rrëfyese, të përzgjedhur nga Palluqi. Disa meditime të protagonistit duken banale dhe paksa të lodhshme, dhe ai që i lexon, ndjehet thuajse i ‘hutuar’ nga synimet përsëritëse që duket sikur ia heqin vëmendjen nga ngjarja kryesore e librit. Vetëm duke vazhduar leximin, mund të depërtohet në fokusin e përzgjedhur nga autori e në të njëjtën kohë kuptohet se nganjëherë është e nevojshme të ‘largohesh’ nga ngjarja, sepse ç’ka i ka ngjarë Yllit nuk është kaq e largët apo e ndryshme nga dhimbja e atyre që detyrohen ta braktisin vendin e tyre për shkak të luftës, diktaturës, varfërisë…
Megjithë mënyrën shumë ‘intime’ të të rrëfyerit të romanit të Palluqit, ai nuk harron të rrëfeje atë që ka ndodhur në vendin e tij të origjinës gjatë viteve të diktaturës të Enver Hoxhës, udhëheqësi i Partisë Komuniste. Aty ndeshim lista apelesh, arrestime, ekzekutime dhe gropa anonime të cilat janë mbushur përgjithmonë dhe në mënyrë dramatike. Janë e kaluara e një populli dhe një pjese të historisë të vendit të tij, për fat të keq ENDE thuajse të injoruar krejtësisht nga bota.
«Gjermanët kanë dhënë një shembull të madh duke i larë llogaritë me xhelatët e Luftës së Dytë botërore, ndërsa ne jo»- Dhe kur nevojitet të «hapen dosiet» për të bërë llogaritë me të kaluarën, «provon një farë përçudnimi. Sikur vrasësi t’i bënte autopsinë viktimës së tij»- thotë auori ndër të tjera.
Në roman rezultojnë interesante konsiderimet mbi aktualitein dhe fetë që autori ia beson protagonistit të librit, të cilat shkrihen aq mirë në faqet më meditative dhe poetike të romanit. Paksa të sforcuara rezultojnë dialogët me fraza ndërmjetëse pak të natyrshme dhe disi larg nga gjuha e zakonshme, dhe tejet të ngarkuara në frazat që pasojnë në disa pasazhe të ndryshme. Megjithatë faqe pas faqe, lexuesi magjepset gjithnjë e më shumë, sidomos në kapitujt që rrëfejnë mendimet e personazhit kryesor, Ylli Xixa.
Në përfundim, 193 kafazet i Rezart Palluqit rezulton të jetë një libër i mirë, që lexohet lehtë dhe është interesant.
Itali, 22 mars 2017, Përktheu Iris Hajdari