Nga Akademia Politike, një forum pranë Partisë Ambientaliste Agrare, kreu Agron Duka gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë, ndau me ta për angazhimin e tij të parë në politikë.
“Qëllimi i Akademisë Politike është të shprehë një preferencë të fortë për studentët e talentuar, aktivistë të shoqërisë civile, intelektualë të rinj me qëllim aktivizimin dhe edukimin politik, të gatshëm për të marrë dhe ushtruar përgjegjësitë me të gjitha cilësitë e liderve modern”,-deklaroi Duka për qëllimin e Akademisë Politike.
Duka solli përpara të rinjve kujtimin e kontaktit të parë me liderin socialist Fatos Nano. “Kontakti i parë me Nanon ishte nëpërmjet telefonit. Kur më telefonoi duke u prezantuar se kush ishte, i habitur, pasi e kisha parë vetëm në ekrane televizive, i thashë që nëse ti je Fatos Nano unë jam Sali Berisha”,- tha Duka.
Më tej ai shtoi edhe se duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund ta lëmë fatin në duart e të tjerëve. “Pikërisht për këtë arsye ju ndodheni sot këtu, për këtë arsye ju angazhoheni në politik. Në vizionin tonë të përbashket, ky aktivitet do të shënojë fillimin e një tradite që do të konsolidojë veprimtarinë tuaj rinore dhe do të forcojë rrënjët e Partisë Agrare Ambientaliste”,- shtoi Agron Duka./KJ/