Nga Flutura Acka
Nje rekomandim…
Një shënim i im e djeshëm mbi intervistën e fundit televizive të kryeministrit tonë në News 24, mori shumë reagime, dhe mes tyre pati njerëz që nuk ishin dakort me idenë time, me të gjithë të drejtën e mendimit të tyre ndryshe nga imi. Por nuk munguan as lehësa, në postën e fshehur veçmas, që vetëm fyejnë pa ndonjë argument, por prej militantizmit të tyre të kuptueshëm, por të papranueshëm në raport me mua.
Që FaceBook është një gjyryk për lehësa të tillë, kjo dihet dhe mbase nuk do të gjendet ndonjëherë ndonjë mundësi për të patur imunitet ndaj tyre, edhe kjo është e qartë, veçmas në një vend të polarizuar politikisht si ynë, vepra më e madhe e partive tona. Dua vetëm t’u sjell në kujtesë një fakt të thjeshtë, që shpjegon mbase edhe pozicionin tim ‘politik’.
Në vigjilje të pranverës së vitit 2013, pra mu në prag të zgjedhjeve të përgjithshme botova romanin tim të radhës “Kukullat nuk kanë Atdhe”, që jashtë modestisë u lexua si trakt mbase nga mijëra vetë. Ai libër është kryekeput kundër pushtetit që qeveriste atë kohë Shqipërinë dhe një lexues i thjeshtë që e lexonte atë libër, nuk besoj se mund të votonte për ministrat e korruptuar të PD-së së asaj kohe (të kuptohemi, ata që ishin të korruptuar).
Natyrisht që është roman, por janë 500 faqe kundër PD-LSI-së së asaj kohe, që në substancë mund ta lexosh edhe si libër kundër Sali Berishës, që do të thotë vota te pastra për Edi Ramën e asaj kohe. Ndaj jam e detyruar të pohoj se është PS dhe Edi Rama në borxh të madh tek unë, dhe jo e kundërta, edhe pse për këtë “shërbim” të pavullnetshëm që ka ardhur nga fiksioni që kam shkruar, kam marrë dhurata shumë të hidhura prej tyre. Fatkeqësisht!
Kështu që i rekomandoj çfarëdo lehësi, me ose pa pagesë, i futur qëllimshëm ose naivisht, ta lexojë këtë libër e ta kuptojë se unë jam në opozitë me pushtetet, kurdo qofshin ato, kushdo që t’i drejtojë ato, sa kohë mendoj se ka vend për opozitë, dhe kjo nuk është një opozitë e politikës (me të cilën deri në këtë çast që po flasim nuk kam patur kurrë lidhje), por opozitë e një njeriu që në ndërgjegjjen e vet, dhe që ka një medium me të cilin mund ta shpallë zërin e vet, të thotë fjalën e duhur në kohën e duhur. Kjo nuk e mohon faktin që mund të ketë patur raste ku edhe mund të kem gabuar në gjykimin tim, por fjalët e mia nuk ndikojnë në fatin e askujt, kështu që qari dhe qederi janë të miat.
Pra me Sali Berishën unë e kam mbyllur opozitën në vitin 2013 me ato 500 faqe, ndaj nuk e ndjek më tani, nëse ndonjë ide e imja rezonon me të tijën, duhet të jetë në fakt një alarm. Pra, unë nuk merrem me Sali Berishën, por nuk di pse merreni ju, madje nuk e di pse merret Sali Berisha me Sali Berishën vetë. Të isha në vend të tij, unë do të isha duke shkruar ditarë tani.
Sa për çadrën që më përmendi dikush, dje konstatova një gjë shumë të rëndësishme, dhe që në vetvete më qetësoi shumë. Unë kam shkruar edhe më parë shënime kinse të forta, siç dimë ne ti lexojmë me kotësitë tona politike gjërat, por asnjëherë nuk kanë patur reagime si ai i djeshmi. Çadra, të paktën, vrau frikën. Edhe për kaq ka nderimin tim, të tjerat pastaj janë gjëra të politikës, le të merret ajo. Unë e kam një të dashur, librin, dhe ai me posedon mjaftueshëm.