Nga Kasem Seferi
“Lajmi”, gjithnjë, ka dhënë “kushtrimin” në lidhje me një ngjarje, ose dukuri. Por. përtej lajmit, kërkohet analiza e asaj që shprehet me fjalën pyetëse: “Përse?”.
Nuk dua të zgjatem me llafe të thëna dhe të stërthëna. Pra, po hyj drejt e në temë.
Ka pasur dhe do të ketë shumë “komente“ në lidhje me raportin e fundit të misionit të FMN – së, ku nuk kanë munguar edhe ato kritika që lidhen me administrimin tatimor dhe, veçanërisht, në lidhje me ekonominë informale, ose më saktë me kapacitetin e munguar të administratës tatimore për të mbledhur tatimet dhe taksat.
Kjo e fundit, më saktë, është ekonomi në hije për arsyet që vijojnë:
Kur tatimpaguesit, gradualisht, e perceptojnë të paarsyeshme rritjen e tatimeve, ata i drejtohen ekonomisë në hije ku, evazioni tatimor dhe mashtrimi tatimor bëhen popullorë.
Kur diskutohet për politikën e të tatuarit dhe për transferimin e marrëdhënieve të pasurisë, duhet bërë e qartë se, të gjitha kulturat politike, nuk janë përzierje të lehta të orientimeve dhe ndjenjave individualiste dhe kolektiviste sikundër vijojnë shpjegimet e mëposhtme:
- në kulturat individualiste marrëdhëniet njerëzore qeverisen në mënyrë parësore nga parimet e rrënjosura në pronën private dhe lirinë e kontratës;
- ndërsa në kulturat kolektive qeverisja rrënjoset në pasurinë e përbashkët, ose kolektive.
Sikundër mund të vihet re, pa vështirësi, politika e të tatuarit është një instrument në formën vazhduese të luftës së kulturave mbi atë se si duhet të themelohen marrëdhëniet njerëzore.
Të tatuarit përfaqëson një tip të “këmbimit të detyruar”, për arsye se qeveria, në mënyrë të pastër, nuk kufizohet te këmbimet vullnetare dhe, parimi i këmbimit të detyruar, e trajton politikën e të tatuarit si një mjet të shërbimeve që shteti i furnizon qytetarit.
Në disa raste këmbimet e detyruara, që ia bën në një mënyrë të caktuar të mundshëm politika e të tatuarit, mund të jenë përfituese për të gjithë por, në raste të tjera, politika e të tatuarit mund të përdoret si një instrument për marrjen dhe shkurtimin e pasurisë së qytetarit.
Shkurtimi i të drejtave të pasurisë nëpërmjet politikës së të të tatuarit, është aftësia e shtetit për të praktikuar diskriminimin tatimor, që mund të shihet nga krahasimi i një politike tatimore që zotëron një pushtet të pakufizuar për të tatuar, krahasuar me një politike tjetër tatimore ku pushteti për të tatuar kufizohet nga një kërkesë kushtetuese e përgjithshme, ose nga mosdiskriminimi në politikën e të tatuarit.
Fusha e polemikës politike në lidhje me të tatuarit kufizohet vetëm në përqindjen e saj dhe mundësia për të praktikuar diskriminimin e çmimit politik, e zgjeron shumë fushën e veprimit për korrupsion në politikë.
Natyrshëm, parimi i së përgjithshmes në të tatuarit të çon te mbështetja e të tatuarit me bazë të gjërë, i cili nuk i eleminon të gjithë pretendimet e mundshme të diskriminimit tatimor, por e kufizon praktikën në mënyrë të ashpër.
Një dukuri e tillë ka bërë të mundur që legjislacioni tatimor të jetë subjekt i ndryshimeve të shpeshta duke bërë të mundur që këto ndryshime të nxisin një debat pambarim në lidhje me kapacitetin e tatueshëm, ose shumën maksimum që është në gjendje të mbajë ekonomia e një vendi për nevojat e shpenzimeve të institucioneve publike.
Ja disa argumente:
Madhësia e popullsisë – në qoftë se rritja e të ardhurave kombëtare është më e madhe se sa rritja e popullsisë, të ardhurat për frymë rriten; kapaciteti i tatueshëm i individëve rritet; në qoftë se përqindja e rritjes së popullsisë është më e madhe se sa të ardhurat kombëtare, kapaciteti i tatueshëm zvogëlohet. Çfarë thonë ekspertët e statistikave për këtë tregues?!
Shpërndarja e të ardhurave kombëtare – në qoftë se ka shpërndarje të pabarabartë të pasurisë në vend, kapaciteti i tatueshëm i vendit do të jetë i lartë, por në qoftë se të ardhurat shpërndahen në mënyrë të barabartë kapaciteti i tatueshëm do të jetë i ulët. E njëjta pyetje si më lart edhe për këtë tregues.
Karakteri i të tatuarit – në qoftë se tatimet ndahen me mençuri, atëhere ato u japin tatimpaguesve më pak zemërim dhe sjellin një rezultat shumë të madh. Po për këtë tregues?!
Qëllimi i të tatuarit – në qoftë se qytetarët e një vendi kënaqen me qëllimin e të tatuarit (per shembull, rritjen e mirëqenies së njerëzve, atëhere ata tregojnë gadishmëri më të madhe për të paguar tatime për qeverinë, por po qe se ata shohin se të ardhurat do të shpenzohen për qëllime joproduktive, ata hezitojnë të paguajnë tatime. Ky tregues, natyrisht, është NO COMMENT!
Faktori psikologjik – në qoftë se njerëzit kënaqen me atë që qeveria po bën më të mirën e vet për të rritur standartet e jetesës së masave dhe për ruajtjen e prestigjit të vendit, atëhere ata përpiqen të sakrifikojnë paratë e tyre për qeverinë. Lere mos ia prish gjumin qytetarit me këtë rast!
Standarti i jetesës së njerëzve – kur njerëzit kanë nxitës dhe punojnë me entuziazëm, ata marrin paga më të larta nga punëdhënësit e tyre. Mos, o Zot!
Efekti i inflacionit – zvogëlon fuqinë blerëse të njerëzve dhe rrudh në mënyrë të konsiderueshme dhe e kundërta ndodh kur vlera e parasë është e lartë dhe vendi nuk përballet me papunësi. Le ta lemë të qetë edhe këtë tregues për aq vjet që pagat dhe pensionet nuk u rritën.
Thjesht dhe, vetëm për një arsye se, administrata tatimore ka qenë, është dhe do të mbetet vetëm një prej aktorëve të sistemit tatimor, së cilës i duhet të veprojë në fushën më të vështirë të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor.
Pikërisht, në udhëkryqin ku mpleksen shumë interesa dhe ku ndikojnë shumë faktorë të njohur dhe të panjohur, të dukshëm dhe të padukshëm.
Në krye të administratës tatimore në fundvitin 2013 dhe deri një vit më parë Kryeministri vuri një personazh që u trajtua në “Portokalli – në“ e televizionit “Top Channel“, që e ka dashur dhe e përkrahur Kryeministrin por, me sa duket, jo zgjedhjen e tij “portokalli“.
Zevendësuesja, ka një tjetër pamje në këndvështrimin e një statuje të vendosur në “parkun publik“ të administrimit tatimor. Gjithësesi, në një një kohë tejet të vështirë, që i parapriu zgjedhjeve, gjithkush do ta kishte vështirë dhe jo zili një pozicion të tillë, ku edhe LSI ka pjesën e vet.
Në formë figurative, publiku sheh vetëm dorën e dukshme që futet në xhepin e qytetarëve për të mbledhur tatimet.
Zoti Basha! Ftojini një ditë tatimpaguesit e biznesit të vogël në çadrën tuaj të protestës! Dhe, kur ata të jenë ulur, i pyesni se sa paguajnë TVSH për energji, ujë, telefoni dhe, kur është rasti, për internet, në raport me peshën që kjo TVSH ze kundrejt tatimeve që ata paguajnë.
Tatimpaguesit e biznesit të vogël, ju garantoj me përgjegjësinë e një eksperti të ndershëm, që nuk ka qenë dhe nuk do të jenë, kurrë, një aleancë fluide (që avullon) sipas “flamurëve“ që shpalosin grupimet e caktuara politike që duan të marrin pushtetin.
Kasem Seferi – ekonomist