Home KRYESORE Histori me Candy Crush. Ku qëndron problemi këtu?!

Histori me Candy Crush. Ku qëndron problemi këtu?!

Nga Jeta Tocila Shkurti

Më kishte ndodhur disa herë të nervozohesha me mikeshën time gjatë gjerbjes së kafes së përditshme. Shpeshherë ajo përqëndrohej e merrej me celularin e saj, a thua po dërgonte ndonjë e-mail jetik për punën…

Duhet thënë se mikja ime është goxha zonjë e kulturuar dhe as unë nuk jam tip i mërzitshëm.
Nuk m’u durua ta pyes se çfarë po bënte në celular, kurioziteti im është aq i madh, saqë i kalon ndonjëherë kufijtë e mirësjelljes. Dhe u marrosa vërtet nga përgjigja e saj. Po luante Candy Crush, ishte në nivelin e 340…Por më siguroi që nuk kishte asnjë varësi nga kjo lojë…:)

Siç ju tregova mbi kuriozitetin tim, fillova ta pyes rreth lojës, si luhej, çfarë fitonte, sa nivele kishte, sa kohë kishte që luante, sa shpesh luante gjatë ditës..etj. I kërkova të demonstronte një lojë për mua, në mënyrë që ta kuptoja pak më qartë gjithë historinë. Dhe aty në mes të lokalit, ne si dy zonja në dietë të vazhdueshme, u impenjuam në “ngrënien e ëmbëlsirave”. Por papritmas, kur gjithçka po shkonte mirë, kur duhej të kalonim në nivelin tjetër na shfaqet një pop-up “Connecting to Facebook” që nuk donte të ikte. Mikesha ime u irritua dhe filloi të më tregonte se miqtë e saj në facebook ishin shumë egoistë, ata nuk ia kishin kthyer jetët që ajo dikur ua kishte dhënë. Tani asaj i duheshin ato jetë që të vazhdonte përpara në nivele dhe jo të ngulte sytë në atë kukull acaruese që dilte në ekranin e celularit. Me siguri ata ishin ziliqarë se ajo ua kishte kaluar në nivele – deklaronte gjithë krenari mikesha ime.

Po më dukej një bisedë absurde, ireale,. Po flisnim për sheqerka që shfaqeshin edhe në gjumë, dhe për kombinime të tyre që shfaqeshin para syve edhe gjatë ditës. Po flisnim për kombinimin fatal që kishte çuar në përplasjen e I-phon-it në mur. Me siguri që loja ishte krijuar nga një mendje djallëzore që nuk dëshironte suksesin e të tjerëve-më thoshte mikesha ime. E vendosur të mbrohej se nuk kishte aspak varësi nga kjo lojë, sërish vinte ai 5-minutëshi në mbrëmje, kur pasi kishte hequr dorë nga sheqerkat, vendoste të shpërblente veten me një nivel të paktën,,,e meritonte pas një dite të gjatë lodhjeje në punë apo jo?

Vetëm 5 minuta, jo më shumë—nuk ishte vargu i këngës së njohur jo, por objektivi i mbrëmjes së vonë të mikeshës sime, në ndjekje të sheqerkave, ndërsa ndriçimi i celularit të saj mbante zgjuar një fije shprese edhe të të shoqit …;)

Ku qëndron problemi këtu ??

Share: