Funksionarët shtetëror nuk tregojnë interes për të mësuar gjuhën shqipe apo për të ndjekur kurse intensive. Por, e njëjta nuk vlen për të rinjtë, njofton agjencia e lajmeve INA.
Krerët shtetëror maqedonas në disa raste formulojnë dy-tre fjali në gjuhën shqipe, siç bënë ndonjëherë kryeministri Nikola Gruevski. Ish-ministri i jashtëm, Antonio Miloshoski është njohës i mirë i gjuhës shqipe, por zyrtarët tjerë të Qeverisë kanë pak njohuri për gjuhën e bashkësisë së dytë etnike në Maqedoni.
Ndërkohë, është shtuar interesi për mësimin e gjuhës shqipe nga të rinjtë maqedonas. Rreth 100 studentë pranë Fakultetit Filologjik në Shkup po ndjekin mësimin e gjuhës shqipe. Ndërsa, një numër i madh i shkollave private po ofrojnë kurse intensive të kësaj gjuhe.
Studentja Sanja Kamberska thotë se gjuha shqipe ka perspektivë në shoqërinë maqedonase.
“Në shtetin të cilin ne po jetojmë, gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë… Jam e kënaqur që e mësoj këtë gjuhë”, ka thënë ajo kohë më parë për agjencinë e lajmeve INA.
Studentja Daniela thotë se gjithnjë ka pasur dëshirë ta njohë sa më mirë këtë gjuhë. Ndërsa, ligjëruesi Avzi Mustafa mendon se maqedonasit duhet ta mësojnë gjuhën shqipe.
“Vetëm kështu mund ta ndërtojmë një shoqëri të dëshirueshme – demokratike e pa paragjykime”, ka theksuar Mustafa.