Këto ditë të fundit janë dëgjuar fjalë nga ekspertë kontabël dhe kontabilistë të miratuar, etj, në lidhje me përgatitjen e një ligji për krijimin e Institutit Fiskal.
Personalisht, nuk kam ndonjë informacion në lidhje me këtë ligj, por po angazhohem me dijenitë që zotëroj, të informoj të gjithë ata që janë të interesuar si dhe për tatimpaguesit shqiptar se çfarë ekziston në botë.
Vënia në jetë e reformës tatimore në vendet në tranzicion ka treguar se institucionet joqeveritare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në lidhje me plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor.
Në nivelin e politikës tatimore, janë shoqatat e tatimpaguesve që punojnë për mbrojtjen e interesave të tatimpaguesit, ndërsa në nivelin teknik, janë këshilltarët tatimorë, që i ndihmojnë tatimpaguesit për plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor.
Krijimi, me ligj, i një institucioni joqeveritar (le ta quajmë me hamendje Instituti Fiskal, ose IF) do të kishte tre qëllime madhore:
thjeshtimin e punës së administratës tatimore;
rritjen e sigurisë ligjore (zbatimin vetëm të kërkesave të legjislacionit tatimor) nga dhe për tatimpaguesit, me qëllim që të rritet bashkëpunimi i investitorëve privatë me administratën tatimore; si dhe
rritja, në përgjithësi, e transparencës të mënyrës së të tatuarit.
Në kuadër të sistemit tatimor, merret me mend që këshilltari tatimor do t’i shërbente një sërë qëllimesh.
Ndër to, drejtimi, në mënyrë të pavarur, me ndërgjegje dhe me maturi i këtij profesioni (ku pavarësia i referohet pozicionit ndërmjet shtetit dhe klientit.
Lidhja me shtetin/qeverinë duhet të përshkruhet mirë nga statusi si një institucion i pavarur në administrimin e drejtësisë së trajtimit të tatimpaguesve. Në njërën anë, ky status do të kërkonte garancinë ligjore se këshilltari tatimor do t’i përmbushë detyrat e tij pa ndërhyrjen e qeverisë.
Në anën tjetër, ndërkohë që i shërben klientëve të tij, këshilltari tatimor duhet të jetë, pa dyshim dhe pa përjashtim, i lidhur me kuadrin ligjor ekzistues, si dhe duhet të respektojë plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor.
Pra, këshilltari tatimor do të shërbente si moderator ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesit, rol ky që duhet të pasqyrohet nga themelet ligjore të këtij profesioni.
Gjithnjë, në bashkëpunim me administratën tatimore, këshilltari tatimor duhet të jetë partner/ortak i diskutimit që lidhet, tërësisht, me plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor dhe që nuk i lejohet të bashkëpunojë me tatimpaguesit/klientët e tij në veprime që të çojnë në evazion tatimor.
Për administratën tatimore, përparësia kryesore e këshillës që siguron këshilltari tatimor për tatimpaguesin, duhet të jetë informacioni, veçanërisht, deklaratat tatimore të tatimpaguesit që duhet të jenë sa më transparente dhe sa më të besueshme.
Si rrjedhim, merret me mend se do të zvogëlohej puna e mundimshme administrative e kryqëzimit të të dhënave dhe kërkesave për shpjegime në lidhje me plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor.
Përveç kësaj, rezultatet e punës së këshilltarit tatimor mund të prekin boshllëqet që ekzistojnë në legjislacionin tatimor ekzistues dhe, në këtë mënyrë, do të ndihmonin për identifikimin e nevojave të reformimit të politikës tatimore.
Objektivi kryesor i punës së këshilltarit tatimor duhet të jetë ndihma për tatimpaguesin/klientin në dejtim të minimizimit të barrës së tij tatimore brenda kuadrit ekzistues legjislativ.
Për më tepër, këshilltari tatimor duhet ta mbrojë tatimpaguesin/klientin e tij nga proçedurat arbitrare, korrupsioni dhe nga pretendimet e pajustifikuara tatimore.
Në shumë vende, IF është (ashtu sikundër mendohet edhe në Shqipëri të jetë një institucion publik që caktohet nga shteti për të drejtuar detyra në plotësim të kërkesave, rregullave dhe proçedurave tatimore tatimore), për arsye se është provuar se vetëm statusi ligjor i një institucioni publik siguron se detyrat e deleguara për institucionet joqeveritare kryhen në plotësim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Vetëm kështu do të garantohej një bashkëpunim i besueshëm ndërmjet administratës tatimore dhe këshilltarit tatimor dhe, në këtë mënyrë, do të bëhej i mundur zvogëlimi thelbësor i punës administrative që kryen sot administrata tatimore.
Ndërmjet detyrave të ndryshme që merret me mend se duhet të kryejë IF, duhet të jetë diferenca ndërmjet detyrave rregullatore të caktuara në plotësim të kërkesave të legjislacionit tatimor dhe shërbimeve të siguruara vullnetarisht.
Në këtë kuptim, detyrat më të rëndësishme duhet të jenë mbikqyrja e standartit profesional, regjistrimi i këshilltarëve tatimorë dhe liçensimi i stafit të specializuar mbështetës për këshilltarët tatimorë.
Shpesh, shërbimet vullnetare që do të siguronte IF për anëtarët e tij përfshijnë trajnimin e stafit mbështetës dhe marrëdhëniet publike në interes të anëtarëve të tyre. Lobingu dhe përfaqësimi politik mund të bëhen gjithashtu veprimtari të rëndësishme të IF.
Zakonisht, nuk ka standarte të pranuara për organizimin e IF, por si kërkesë minimum duhet të caktohen dy organizma me detyra të ndryshme.
Organizmi drejtues i IF duhet të jetë bordi i drejtorëve, i cili mban përgjegjësinë për përkufizimin e politikës profesionale, duke vendosur standartet e biznesit, shqyrtuar anëtarët e rinj, miratimin e liçensave profesionale, etj (anëtarësia në bord kryesisht është post nderi, megjithëse anëtarëve mund t’u jepen shuma të caktuara për shpenzime, përsa do të lejonin burimet financiare të IF).
Ndërmjet anëtarëve potencialë të bordit të IF duhet të jenë auditorët, llogaritarët dhe ish – punonjës të administratës tatimore.
Operimet e përditëshme të IF duhet të drejtohen nga një sekretariat profesional. Zakonisht, në fillim, sekretariati duhet të plotësohet me një menaxher me kohë të plotë dhe një sekretare.
Ndërmjet detyrave kryesore të sekretariatit janë regjistrimi i anëtarëve potencialë, identifikimi dhe organizimi shërbimeve për anëtarët dhe menaxhimi marrëdhënieve publike.
Për IF financimi është një faktor kyç për qendrueshmërinë dhe burimi më i rëndësishëm i fondeve financiare duhet të jenë kuotat e anëtarësimit.
Për arsye se kjo rrjedhë fondesh varet nga anëtarësia, mënyra më e mirë për sigurimin e stabilitetit financiar do të ishte kërkesa për anëtarësim të detyrueshëm i këshilltarëve tatimorë.
Krijimi i IF në Shqipëri është bërë një domosdoshmëri, për arsye se ky institucion kontribuon jo vetëm për thjeshtimin e e punës së administratës tatimore por, gjithashtu, do të shërbente si një garanci për tatimpaguesit se proçedurat tatimore do të vëzhgohen dhe fatura tatimore do të bazohej vetëm në ligj.
Statusi ligjor i një institucioni të tillë publik do t’i lidhte ngushtë anëtarët e tij me legjislacionin tatimor dhe, në këtë mënyrë, do ta siguron administratën tatimore se këshilltarët tatimorë do të vepronin vetëm ligjërisht.
Për arsye se konteksti institucional dhe ligjor është thelbësor, do të ishte e domosdoshme që ligji dhe puna organizative themeluese të bëhej sa më e përshtatshme për funksionimin e një IF profesional.
Kasem Seferi – ekonomist