Home KRYESORE KUR TË JESH GJYSH

KUR TË JESH GJYSH

Nga Jonida Salku

Në xhepin më të vogël të fshehtë në portofol,
do të vdesë me ty e plakur ajo fotografi,
do të jetojë përtej vdekjes një ëngjëll pa aureolë,
krijesa e vetme e jona, më e madhja dashuri…
………………….
…do ta dëshmojë një foto dhe një lot prej sysh,
mbesës përrallë do t’ia tregosh kur të jesh gjysh.

Ne vetëm kohën donim dikur të luftonim,
përplasjet e jetës, ngërdheshjet nga shakatë pa kripë,
ne vetëm jetën dhe njëri-tjetrin dashuronim,
jeta na ktheu shpinën gjersa na ndau një ditë…
………………….
…që unë ta shtyj me tjetër dhe ti me tjetër ta shtysh,
e prapë të jem e jotja gjersa të bëhesh gjysh.

Të jemi katër trupa, dy shpirtra dhe një zemër,
e vetmja zemër që do të na mbajë gjallë të dyve,
vizatuar pas fotografisë, firmosur me emër,
ikona që dashurove ti sa dritën e syve…
…………………..
…zemra që askush s’do të mund ta ndajë më dysh,
as kur të dy të jemi bërë gjyshe e gjysh.

U veshën dy nuse, por jo në një altar,
njërës i zbulove vellon, tjetrës shpirtin,
njërën e mbajte në zemër, tjetrën në krah,
sa herë të zemrës e kujtove, i njëjti lot rrëshqiti…
………………….
…dhe deshe të vraposh, në derën e saj të hysh,
por të pengoi çdo thinjë gjersa u bëre gjysh.

……………………………………………

Këtë tregoi mbesës së vogël me gërsheta,
si një përrallë që do ta fusë në mendime,
dhe kur të pyesë, t’i përgjigjesh: “Kështu është jeta!
Dhe ne të rriturit dimë të bëjmë gabime”…
…………………..
…i matur që në të njëjtën përrallë të mos e ndrysh,
se koha s’kthehet prapa, kur s’je veçse një gjysh.

Share: