Home KRYESORE MASAKËR MJEDISORE NË BASHKINË KORÇË , FSHATI POLENË – BASHKIA HESHT

MASAKËR MJEDISORE NË BASHKINË KORÇË , FSHATI POLENË – BASHKIA HESHT

Nga Eleina Qirici

Kërkesë Publike për Kontroll të menjëhershëm dhe verifikim ndaj një masakre mjedisore në rrugën dytësore rajonale Korçë, fshati Polenë!

Banorë të fshatit Polenë informojnë të alarmuar për një masakër mjedisore, që po ushtrohet në formë të organizuar me motoseka dhe kamionë, që presin pemët në buzë të rrugës Korçë – Polenë, në afërsi të fshatit dhe që i transportojnë në destinacion të panjohur.

Banorët deklarojnë se kjo masakër ka disa ditë që po ndodh dhe se të gjithë dyshojnë se kjo është punë e Bashkisë, ndërkohë nuk ka ndërhyrje nga asnjë institucion, lidhur me prerjen e drurëve, megjithëse jemi në një moratorium i vendosur nga Ministria e Mjedisit.

I bëj kërkesë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit në Korçë të na informojë publikisht për sa më poshtë:

1. Kush individ apo institucion po i pret drurët përgjatë rrugës Korçë – Polenë dhe pse?

2. A është njoftuar DRM Korçë për këtë veprim?
3. A është dhënë leje prej DRM Korçë për këtë?

Kjo masakër e kësaj forme dhe e kësaj përmase, në një zonë kaq të afërt me fshatin Polenë është një akt i pahasur më parë, fakt që ka tronditur banorët e fshatit, teksa shohin sesi asgjësohen drurë mbi 35-vjeçarë, mbjellë buzë rrugës që të çon në fshat.

I bëj kërkesë dhe apel DRM Korçë të ndërhyjë menjëherë për ndaljen e kësaj masakre natyrore, si dhe të vendosë para ligjit përgjegjësit.

Reforma Territoriale Administrative po shfaq defektet e saj dhe po na bind çdo ditë e më shumë se Pushteti Vendor është territorialisht një “vilajet” i madh, por administrativisht ka mungesë totale organizimi, konfuzion kompetencash, burime të cunguara humane dhe teknike për ta menaxhuar.

Dēshtimi i kësaj reforme është fakt, një arsye me shumë që banorët të jenë zgjuar dhe vigjilentë dhe i ngarkon ata me përgjegjësinë vullnetare, për të ruajtur dhe mbrojtur territorin apo zonën ku jetojnë dhe punojnë.

Share: