Nga Eleina Qirici
Dy kryebashkiakët në krye të Qeverisë, në krye të katër viteve, dështuan me sukses. Një piktor dhe një inxhinier elektronik vendosën në unanim të qeverisin ‘Bashkinë Shqipëri’ mes slloganit “të iluminuar” socialist ‘Rilindje Urbane’.
Rama dhe Peleshi edhe për katër vjet të tjerë u bënë kryebashkiakë të Rilindjes Urbane anë e kënd vendit, mes PPP-së urbane: Pedonale – Park – Projektorë.
Fjalë dhe togfjalësha boshe dhe absurde veshën e stolisën, deri në shëmti, propagandën e katër viteve për Rilindjen Urbane.
Njeriu, komuniteti, qyteti, historia, kultura, ekonomia, civilizimi, trashëgimia…, vazhdimësia, padyshim që nuk ishin pjesë përbërëse e Rilindjes Urbane. Ky dyfjalësh absurd, deri dhe i pakuptimtë, ishte në këto katër vite veçse një “Funds’ Exit Door”, apo “FED” që për koinçidencë, nga anglishtja do të thotë “ushqyerje”.
Rilindja Urbane ishte plan i qartë dhe diabolik për të kollofitur fonde, për të ushqyer me investime klientët dhe këta në mbyllje të ciklit, kthenin haraçin tek kërbaçi. Punë kjo, që dyshja Rama-Peleshi dinin ta bënin më mirë se çdo punë tjetër dhe për të cilën mbartnin eksperiencë të mjaftueshme.
Rilindja Urbane nuk ishte kurrsesi një plan zhvillimi, kurrsesi nuk ishte një Plan me efekte në tregti, sipërmarrje, punësim, mirëqënie.
Dy kryebashkiakët, dështakë të suksesshëm, për katër vjet mes Rilindjes urbane, shpenzuan qindra miliona euro, për investime me impakt në jo më shumë se 2% të totalit të territorit të Republikës së Shqipërië.
Rilindja Urbane ishte materializimi i cektësisë dhe mungesës së aftësisë për të qeverisur vendin, nga ana e dyshes së kryebashkiakëve, por mbi të gjitha ishte materializimi i masakrës urbane, mes tjetërsimit të qyteteve dhe kryesisht të qendrave të tyre, si dhe mes gllabërimit të pronave dhe truajve. Paaftësia në qeverisje dhe vullneti për t’u korruptuar, janë binomi që prodhuan Rilindjen Urbane. Kujdes! Asgjë rastësore.
Korça është modeli më tipik i fasadave që të përpijnë, i pedonales pa profil qoftë turistik, tradicional, muzeal, apo tregtar a tjetër, modeli tipik i dështimit me sukses në menaxhimin e hapësirës urbane dhe planifikimit të saj, modeli tipik i imponimit të pushtetit mes diktatit të tjetërsimit të strukturës urbane në një qytet, për të lënë gjurmë që zhbëjnë dhe nuk zhbëhen, për t’u shfaqur në popull si njeriu-pushtet i ndryshimeve tronditëse, paçka fatalitetit që mbartin këto akte në vetvete për urbanistikën, arkitekturën, funksionalitetin, trashëgiminë dhe historinë e qytetit dhe banorëve të tij.
Dhe më prototipe, mbi modelin tipik të imponimit të pushtetit mbi popullin, mes trasformimeve radikale apo ngrehinave të frikshme urbane, është Kulla e Turpit, Kulla e Korçës, etydi i transformimeve urbanistike, nuerozës urbane dhe qarkullimit të çartafillosur të institucioneve, në Korçën e marrë peng nga paligjmëria e hipotekur me “firmën” e inxhinierit elektronik.
Qeveritarët e paligjshmërisë dhe korrupsionit, “Neronët” e Rilindjes Urbane, në rastin konkret inxhinieri elektronik që drejton Bashkinë e Korçës nga kryeministria në Tiranë çuditen me kritikët dhe plot qesëndi i shpërfillin qytetarët dhe intelektualët që kanë mendim oponent dhe vazhdojnë të thellojnë gropën e paligjshmërisë, në zemër të Korçës.
“Neronë”,
Njerëzit e krijojnë qytetin, sepse njeriu për nga natyra është qënie komunitare, ka lidhje farefisnore, ka lidhje legale, ka një shtëpi apo pronë dhe aktivizohet si pjesë e së tërës komunitare, duke lënë gjurmë në hapësirë dhe në kohë.
Qyteti evoluon dhe konsolidon identitetin mes qeverisjes, që në vetvete është hartuesi dhe aplikuesi i rregullave dhe ligjeve mbi infrastrukturën, arkitekturën, jetën social-ekonomike dhe gjithçka tjetër që mbart jeta komunitare në kufijtë e qytetit.
Koha në dukje kalimtare, në qendrat urbane dhe jo vetëm, nuk është aspak kalimtare, përkundrazi koha mbartet mes njerëzve, veprës së tyre dhe kthehet në trashëgimi, duke u dhënë njerëzve dhe pasardhësve të tyre identitetin. Është koha që na ngarkon me përgjegjësinë për ta mbrojtur, konservuar dhe përdorur, si identitet dhe trashëgimi.
Një qytet lind prej njerëzve dhe shkatërrohet prej “Neronëve” të kohëve tranzitore.
Qyteti është një realitet natyror dhe është më i rëndësishëm se individi. Sepse, individi nuk është i vetëmjaftueshëm për t’u shkëputur nga qyteti, nuk është i vetëmjaftueshëm për t’u shkëputur nga jeta komunitare. Por, në pastë ndonjë individ që mund të mendojë se është i vetëmjaftueshëm dhe se nuk ka nevojë për të qenë pjesë e komunitares, apo mendon se është i gjithpushtetshëm për t’iu imponuar qytetit, nuk mund të jetë pjesë e tij dhe për pasojë është ose bishë, ose “perëndi”.
“Neronëve” të Rilindjes Urbane që enden nëpër Korçë dhe mendojnë tashmë se ku do ngrehin statujën e tyre, qytetarët e Korçës po u thonë se: kanë edhe shumë pak kohë për të gjetur se kush mund t’i “asgjësojë”, pas arratisë nga qyteti.
Me bindjen se në ikje e sipër, do i dëgjojmë të citojnë fjalët e fundit të Neronit: “Mjerim, ç’artist i madh po humbet”.