Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi sot një bisedë telefonike me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëkohësisht edhe lider i AAK.
Meta i shprehu solidaritetin e tij dhe të Kuvendit të Shqipërisë dhe uroi që të marrë fund sa më shpejt ky proces absurd dhe provokativ duke shprehur dëshirën per tu takuar sa më shpejt me z.Haradinaj në Tirane ose Prishtinë.
Gjykata e Apelit në qytetin francez, Colmar, nesër pritet të bëjë të ditur vendimin pas kërkesës së Serbisë për ekstradimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Seanca gjyqësore do të jetë e hapur për publikun dhe është caktuar të fillojë në orën 9:00 të mëngjesit.
Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci ka thënë se beson fuqishëm që Serbia nuk ka mundur të sigurojë “prova të reja”, siç është pretenduar.
Koci shprehu besimin se nesër gjykata franceze nuk do të vendosë për ekstradimin e Haradinajt, por për lirimin e tij.