Home KRYESORE Përgjegjësia e politikës dhe e medias në vërtetësinë e një lajmi

Përgjegjësia e politikës dhe e medias në vërtetësinë e një lajmi

Nga Carlo Bolino

Lajmi i 1.400 konteinerëve me mbetje italiane të zhdukura në Shqipëri vazhdon të alarmojë opinionin publik dhe debatin politik. Mjaftoi që lajmi të publikohej nga një portal i vogël dhe nga një gazetë e vogël në Itali për t’u bërë menjëherë i besueshëm këtu, në Shqipëri dhe të zinte faqet e para të gazetave dhe portaleve.

Megjithëse në mungesë të çfarëdolloj dokumenti e prove, lajmi për një skandal mjedisor, i cili, po të ishte i vërtetë, nuk do të kishte precedent në vend, u përhap nga gazetarë, analistë dhe politikanë shqiptarë pa asnjë lloj përgjegjësie, duke ngjallur tek qytetari i zakonshëm, që nuk ka asnjë mjet verifikimi në dispozicion, alarm dhe panik.

Ndërkohë, funksioni ynë, i mediave, por edhe i politikanëve, do të duhej të ishte ai i mbrojtjes së opinionit publik nga abuzimet dhe, ndër abuzimet, kundër të cilave duhet të luftojë një shoqëri e shëndoshë, janë edhe lajmet e rreme (fake news).

Termi “fake news” tashmë është në modë në të gjithë botën perëndimore dhe vetëm për këtë arsye po flitet për të edhe në Shqipëri. Por këtu, për fat të keq, lajmet e rreme nuk kanë ngjallur asnjëherë skandal: që prej 25 vjetësh ato janë pjesë e fjalorit politik kombëtar dhe në një pjesë të madhe edhe të atij gazetaresk.

Në 25 vjet demokraci “fake news” janë përdorur nga politikanë e gazetarë pa pikë turpi, deri në atë masë sa sot e drejta për të shpifur mbrohet në emër të lirisë së mendimit dhe lirisë së shtypit.

Por “fake news” nuk përfaqësojnë asnjë formë të lirisë, në asnjë formë të shtypit. Janë, në të kundërt, një atentat i qëllimshëm ndaj lirisë së qytetarëve dhe ndaj besueshmërisë së informimit.

Lajmi i 1.400 konteinerëve plot me mbetje, madje me skorje radioaktive (sipas interpretimit më të fundit të Sali Berishës, që është baba i padiskutueshëm i “fake news”­ eve) është thjesht një lajm fals.

Nuk dimë gjë nëse ekziston ndonjë trafik mbeturinash nga ndonjë anë tjetër e botës, por tashmë e dimë me siguri absolute që kjo histori e 1.400 konteinerëve të mbushur me mbetje, të nisur nga Gioia Tauro drejt Maqedonisë dhe pastaj të humbur në Shqipëri gjatë rrugës, është një lajm i rremë.

Një investigim i kryer nga Shqiptarja.com, duke kontaktuar institucionet italiane dhe shqiptare të përfshira në këtë lajm dhe një analizë e detajuar e materialeve të botuara nga portali Pianeta Italia News, që prodhoi dhe përhapi këtë lajm të rremë, tregojnë,
jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm, se kjo histori thjesht është e sajuar.

Në të vërtetë, ka vetëm një lajm të rremë, të botuar në Itali, pastaj të ribotuar në Shqipëri dhe pastaj të ribotuar edhe një herë në Itali dhe pastaj prapë në Shqipëri. Një gënjeshtër, e cila për 10 ditë është bërë ping­pong i çmendur mes dy vendeve, edhe pse asnjë gazetar serioz nuk ka shprehur dëshirën për ta verifikuar.

Shumë “kolegë” nga tanët, për fat të keq, të shtyrë nga ideologjia dhe nga dëshira për t’i shërbyer padronit të tyre politik, kanë vijuar të mashtrojnë lexuesit e tyre, duke botuar gënjeshtra sikur të ishin të vërteta dhe duke tradhtuar ligjin parësor të profesionit tonë, që është verifikimi.

Liderët politikë janë treguar po aq të papërgjegjshëm, duke mashtruar zgjedhësit e tyre me një alarm që, të paktën më këtë rast, nuk ka asnjë bazë të vërtetë dhe duke tradhtuar ligjin që, nga ana tjetër, ka të bëjë me politikanët: mos gënje kurrë. Por, pa u shqetësuar mbi përgjegjësitë që duhet të kenë përballë së vërtetës, pikërisht këta politikanë e transformuan këtë lajm të rremë në një alarm genocidi.

Ne punuam tetë ditë për të grumbulluar provat që përgënjeshtrojnë këtë fake news skandaloze. Prokuroria, që ka shumë mjete më tepër se ne gazetarët, po punon prej 14 ditësh dhe ende nuk i ka bërë të njohura konkluzionet e saj.

Tani presim që edhe nga Prokuroria të vijë një vendim i qartë, sepse, të zbulosh përgjegjësit e një trafiku ekzistent, kërkon shumë kohë, por të zbulosh që ky trafik thjesht nuk ka ekzistuar kurrë, kjo duhej të ishte diçka shumë më e thjeshtë. Ne nuk na intereson pjesa e propagandës; në rast se politika mendon që duke gënjyer do të fitojë përkrahje, le të vazhdojë të gënjejë. Por, ne na intereson që edhe institucionet t’i japin një qartësim opinionit publik, i cili, pas tmerrit që ngjalli ky lajm fals, të mund të qetësohet.

Hetimi i Prokurorisë shqiptare mund të zbulojë edhe atë, që investigimi i Shqiptarja.com nuk ka mundur ende ta sqarojë: Përse dhe në interes të kujt është shpikur kjo histori nga portali italian? Hipoteza e parë është ajo, që gjithshka ka lindur në kuadër të një lufte, jo vetëm italiane, ndërmjet shoqërive, të cilat synojnë të kapin tregun e pasur të mbetjeve.

Domethënë një sulm mediatik kundër FCL Ambiente për arsye konkurrence: Shqipëria, kështu, përfundoi vetëm rastësisht në shënjestrën e Fake­ news­it.

Hipoteza e dytë është që dikush në Tiranë ta ketë furnizuar me informacion këtë portal të porsalindur, duke i dhënë lajmin e rremë për të ushqyer fushatën e dizinformimit në Shqipëri, në koincidencë me protestën e opozitës në tendë.

Së fundi, ekziston edhe një hipotezë e tretë: lajmi i rremë ka lindur vetëm si pasojë e profesionalizmit të dobët të një gazetari italian, që u fry më pas nga profesionalizmi i dobët i gazetarëve shqiptarë dhe nga keqëbesimi i politikës.

Share: