Home KRYESORE Politika – në zgjedhje pa zgjidhje!

Politika – në zgjedhje pa zgjidhje!

Nga Behar GJOKA

Nisur nga deklarimet e palëve të interesuara për 18 qershorin ditën e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat duken sikur janë larg, ndonëse afatet ligjore të komisioneve zonale, të regjistrimit të partive, sa vijnë dhe shkurtohen, kupton se forcat politike, deri më tani po luajnë aktin e parë, sin ë gjithë zgjedhjet e tjera, të prishjes së tyre.

Nëse zgjedhjet parlamentare, nisur prej paralajmërimeve të bëra në media prej partive janë të rrezikuara, atëherë demokracia dhe siguria janë po kaq të rrezikuara. Janë vetë partitë politike, me qëndrimet e ngurta dhe deklarimet, për militantët e tyre, që kundërshtarin e shohin si armik për ta fshirë nga faqja e dheut, me sa kanë në dorë po paraljamërojnë dështimin e zgjedhjeve.

Madje, çdo ditë në sheshe dhe çadra, po punojnë që kjo rrethanë të parapërgaditet deri në detaj. Loja e nervave, lojë politike skutash, me shpresën se kush lodhet i pari, bie përfundimisht nga fiku, shkojnë me shpresën se zgjidhja do të zbres nga qielli, ose faktori ndërkombëtar, do t’i zërë për veshi dhe të bëjnë paqe emergjence, duke e bartur krizën për në një kohë tjetër.

Pra, jemi në një lojë absurde, që sërish e lë krizën në mesin tonë dhe, ndeshja finale lihet që të zhvillohet më vonë. Situata e këtillë, që bën sikur e mbulon krizën e thellë, buron nga roli dhe hapësira që kanë tre polet e politikës shqiptare, të cilët nga viti 2009 kanë ngjizur një trinitet paradoksal, që vetëm sa do ta menaxhojë krizën, por pa e zgjidhur, sepse tre aktorët kryesor, pothuajse nuk kanë besim te vetja dhe te tjeteri.

Rama është i pasigurtë me Metën dhe anasjelltas. Meta, në kërkim të mbetjes në pushtet, luan me të dy krahët, dhe shpreson që dikush të hapi udhën që të përcaktohet si kryeministër, duke u bërë rrezik për të ardhmen e Ramës dhe Bashës. Ky i fundit, Basha, duket sikur shkon me shpresën dhe iluzionin që dikur, këtyre ditëve, në javët në vijim, Meta do ta braktis Ramën.

Pra, shpresohet që të luhet akti i dytë, ku “qelbësirat” e vitit 2013, që u bashkuan për të mundur Berishën, nëse në fund ndahen, humbet Rama. Jemi përpara një rebusi enigmatik, megjithëse luhet ditën për diell, që edhe militanti më i zellshëm nuk di se çfarë të bëjë, jo më qytetari, që nuk ka lidhje me absurdin e politikës shqiptare, ku fitorja dhe humbja, matet me bashkimin apo ndarjen e “qelbësirave”!

Kjo rrëmujë unike e politikës sonë, e krijuar nëpër këto vite, me kontributin e gjithë spektrit politik, të ndërmend idenë e Uinston Çurçill: “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni vetëm njëherë”, kurse politikanët tanë, sidomos kur flasin me militantët, në secilën ditë lëshojnë shashka tymuese. Lëngata e gjatë politike e mungesës së marrëveshjeve serioze për të mirën e vendit dhe qytetarit, ka zënë për fyti gjithë spektrin, partitë e vjetra dhe të reja, partitë me elektorat dhe vetëm me kryetar.

Të gjithë, në kor dhe vetëm, sikur janë vënë në garë se kush të mundet, që vetëmse të heq tulla në themelet e shtetit, duke folur në emër të shtetit, në situatën e realizimit të reformës në drejtësi, të futjes së vendit në zgjedhje. Të vënë në garën se kush të jetë më i ashpër, më emocional me militantët dhe të lërë qytetarët jashtë vëmendjes, kryen e vendit, për këtë mision të pamundur, gjer më tani e mbajnë dy forcat kryesore, të cilat duke vënë kërkesa maksimaliste, duket se më tepër janë të interesuar për pushtetin se sa për zgjedhjet e lira, që në demokraci është shans për tu kthyer në normalitet.

Kapërceu muajn PD, që është në shesh, ngujuar në çadër, që flet për kauzën e zgjedhjeve të lira, ndërkaq e shoqëruar me kërkesën për qeveri tenike, që për palën tjetër, për aleancën PS+LSI, është e pamundur që të realizohet, ndonëse vetë LSI, në korrik të 2016 e hodhi e para si opsion. Pranëvënia e kauzës së zgjedhjeve të lira, me kërkesën për qeveri teknike, bazuar në shqetësimin se zgjedhjet janë të rrezikuara nga krimi, droga, korrupsioni, problematikë shqetësuese jo vetëm për opozitën, e ka kthyer situatën e zgjedhjeve, në një ushtrim me dy të panjohura, që kërkojnë shtjellim dhe sqarim të masës së qytetarëve, se e para është kauza e zgjedhjeve të lira.

Nëse kriza politike është e qartë, situata e qetë parlamentare, dhe pritja me shqetësim e qytetarëve, jo e militantëve, që janë peng i fjalëve të liderëve, edhe kur ata lëshojnë broçkulla, duket se qeveria teknike është një opsion që varet edhe nga faktorë të tjerë, sidomos nga dalja në opozitë e LSI. Në anën tjetër, nga forca kryesore qeverisëse PS, pas përpjekjeve për të realizuar Vettingun në çadra më të vogla, një e panjohur legjitime, e miratuar 100 % nga parlamenti shqiptar, tashmë me ligjërimin e kryemnistrit Rama, vjen ideja se zgjedhjet do të mbahen me 18 qershor, edhe pa opozitën, madje edhe vetëm me PS!

Pohimi kryeministror, shton edhe të panjohurën e katërtë të kësaj situate jo pak absurde, edhe pa këtë shtegmbyllje politike, që e kthen gjendjen politike, në një tenxhere me presion, pa valvula shkarkimi. Kërkesa maksimale e opozitës për qeveri teknike, pasohet nga një kushtëzim po kaq maksimalist, për të organizuar zgjedhje pa opozitën. Si mundet të bëhen zgjedhje pa opozitën në sistemin demokratik?

Nëse ka ndonjë ide që të “shpiket” ndonjë opozitë, do të ishte ideja më e keqe e mundshme, që vetëm sa do ta thellonte krizën dhe do ta largonte shtetin ligjor nga binarët e vetë, jo pak të lëkundura në historinë e këtyre viteve, gjoja demokratike. Zgjedhjet e lira, për maxhorancën, për Kryeministrin, për të gjithë spektrin politik, jo vetëm duhet të jenë kauzë, por janë edhe përgjegjësi përpara qytetarëve dhe ardhmërisë. Mbahen apo nuk mbahen zgjedhjet e lira, përgjegjësi e parë i takon shumicës, por nga fajësia historike nuk shpëton as opozita.

Realizohen apo jo zgjedhje të lira dhe demokratike, përgjegjësia e parë ligjore është mbi shumicën dhe qeverinë. Kushti i parë, që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, nis nga pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje. Maksimalizmi i kërkesave, nga të dyja palët e interesuara për zgjedhje, o me qeveri teknike ose nuk ka zgjedhje, ose duke bërë zgjedhje pa opozitën, është një akt që politika tashmë po kërkon rrugët jashtë kushtetushmërisë. Loja e forcës, e demostrimit të saj, sidomos duke synuar zgjimin e vetëdijes së militantëve, duket sikur ka mbyllur të gjitha shtigjet, ndonëse ka gjasa që të jemi në një rrethanë të një vetëmbyllje qëllimore, e cila lidhet vetëm me aspiratën e pushtetit.

Nuk ka vend urtia, aty ku është ulur këmbëkryq marrëzia, thotë një shprehje, ndonëse në këtë mjegullimë të endur nga vetë aktorët dhe faktorët politikë, ende ka hapësira për dialog. Përpjekja e hapur, paralajmërimi për t’i rrëzuar zgjedhjet e lira, pa ndodhur ende, tregon shenjat e kalbëzimit të kastës politike, mbase të mungesës së alternativës për ta marrë përgjegjësinë, për ta ndalur rrëshqitjen e shtetit dhe shoqërisë drejt humnerës. Voltaire thotë: “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria e ka gabim.”.

Po nëse qeveria dhe opozita mendojnë vetëm pushtetin si është? Katrahura është ngjizur nga vetë aktorët e politikës dhe nuk ka ku të vejë më keq se sa kaq. Kasta politike ka hyrë në tunelin e vetmisë, zërat e arsyes së pushtetit, që megjithatë vijnë nga LSI, mbase me opsionin e qetësisë, janë për të mos e thelluara krizën. Klasa politike, ka vetëm një shans, të marrë përsipër përgjegjësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira, pa terror dhe shitblerje, pa iluzioni se populli është dele, dhe mbi të gjitha, të lënë një gjurmë, mbase të vetmen që u ka mbetur në dorë, kthesën e vendit drejt normalitetit, ku zgjedhjet nuk asgjesojnë kundërshtarët politik, por japin shans të përkohshëm, për të zhvilluar dhe integruar vendin.

Share: