Një ish-prokuror serb i krimeve të luftës ka krahasuar rastin e Haradinajt me arrestimin e një ish-politikani të njohur boshnjak, të cilin Britania e Madhe nuk e kishte ekstraduar në Serbi për shkak të ndërhyrjeve politike.
Përmes këtij krahasimi, ai del në konkluzionin se Serbia nuk ka mësuar nga e kaluara.
Pjesëmarrja e drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, në një konferencë për të prezantuar gjoja faktet e reja kundër Ramush Haradinajt, ka nxitur ish-prokurorin e krimeve të luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviç që të kritikojë vendin e tij për ndërhyrje politike në këtë rast.
Për të krahasuar dëmin që kjo gjë mund të sjellë në përpjekjen e Serbisë për të ekstraduar Haradinajn, Vukçeviç ka rikujtuar rastin e ish-politikanit boshnjak, Ejup Ganiç, i cili në vitin 2010 ishte arrestuar në Londër, po ashtu me urdhër të Serbisë.
Por, pas rreth 5 muajve ndalimi, Ganiç ishte liruar, ndërsa një gjykatës britanik kishte thënë se ka gjetur prova që rasti ka qenë “i motivuar politikisht”.
Në këtë kontekst, sipas prokurorit serb është e rëndësishme që kur një shtet të kërkojë ekstradimin e një personi, të mos ketë ndërhyrje nga ana e politikanëve.
Në fakt, rasti i Haradinajt me politikanin boshnjak ka ngjashmëri. Ganiç, para se të arrestohej në Londër ishte hetuar dy herë për akuzat ndaj tij, e në të dyja rastet nuk ishin gjetur prova të mjaftueshme për ta dënuar.
Të njëjtën histori me drejtësinë ka dhe Ramush Haradinaj, i cili është gjykuar edhe nga Tribunali i Hagës, por që është shpallur i pafajshëm. Të mërkurën, gjykata franceze e Colmarit vendosi për herë të dytë që të shtyjë vendimin për kreun e AAK-së. Ai është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze, bazuar në një fletarrest të Serbisë. Haradinaj, gjithsesi, do të mbesë në liri me kusht edhe për një muaj./dita.al