Home KRYESORE 1990/Urdhri i dytë për asgjësimin e dosjeve të Sigurimit

1990/Urdhri i dytë për asgjësimin e dosjeve të Sigurimit

Nga Kastriot Dervishi

Pas urdhrit të datës 2 korrik 1990, në të cilin urdhërohej asgjësimi i dokumenteve të kartotekave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për anëtarët apo kandidatët e PPSH-së, vjen ai i dhjetorit 1990.

Vetëm disa orë pasi ishte miratuar ideja e pluralizmit politik, organet e MPB-së urdhëruan nisjen e procesit të asgjësimin të shpejtë të dosjeve ndaj personave që ndiqeshin dhe dosjeve të bashkëpunëtorëve. Në urdhrin nr.615, datë 15.12.1990 të ministrit të Punëve të Brendshme, drejtuar organeve vendore dhe qendrore, thuhej:

“Të asgjësohen pa pritur përfaqësuesin e ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve, e dosjet e tjera që janë veçuar, librat e evidencës së punëtorëve operativë, të hequra nga përdorimi dhe dokumentet e përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës: sekret, A.res.personal dhe SRV (janë nivele klasifikimi-shënim). Dosjet hetimore-gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi edhe ato që nuk kanë plotësuar afatin pesëvjeçar (por jo dosjet hetimore për zbulim autori). Veprimet të kryhen menjëherë. Këto janë veprime normale dhe bëhen sipas kërkesës tuaj, pra nuk lidhen me situatën”.

Për sqarim, fjala “përpunim” do të thotë ndjekje personi. Librat e evidencës kanë qenë me kapak të verdhë dhe mbaheshin nga punëtorët operativë. Në to regjistroheshin të dhënat për bashkëpunëtorët dhe personat që ndiqeshin me dosje prej tyre.

Share: