Home KRYESORE Analiza/ Dominimi i Vuçiç në zgjedhjet e Serbisë

Analiza/ Dominimi i Vuçiç në zgjedhjet e Serbisë

Serbia hyri në fazën finale të fushatës për zgjedhjet presidenciale, të parashikuara në 2 Prill. Sipas Komisionit Zgjedhor të Republikës, numri total i votuesve të regjistruar është 6 milion e 724 mijë e 172 votues.

Gjithsej 11 kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale:

  1. Sasha Jankoviç i propozuar nga një grup qytetarësh me moton “Për një Serbi pa frikë”
  2. Vuk Jeremiç, kandidat për president i propozuar nga një grup tjetër qytetarësh nën moton “Ne mund të bëjmë më mirë”
  3. Miroslav Paroviç nga Lëvizja e Popullit Liberal
  4. Sasha Raduloviç, i propozuar nga Lëvizja Mjaft është Mjaft
  5. Luka Maksimoviç, një kandidat i mbështetur nga qytetarët nën logon “Godit fort”
  6. Aleksandar Vuçiç kandidati i koalicionit qeverisës, ku bëjnë pjesë Partia Progresiste e Serbisë, dhe i mbështetur nga Ivica Daçiç – Partia Socialiste e Serbisë, Rasim Ljajiç – Partia Social Demokrate e Serbisë, Dragan Markoviç Palma – Serbia e Bashkuar, Milan Krkobabiç – Partia e Pensionistëve të Serbisë, Aleksandar Vulin – Lëvizja Socialiste, Vuk Drashkoviç – Lëvizja e Rilindjes Serbe, Bogolјub Kariç – Lëvizja e Forcës Serbe (BK), Vajdasági Magyar Szövetség-Pásztor István – Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës
  7. Boshko Obradoviç Lëvizja Dveri
  8. Vojisllav Sheshelј i propozuar nga Partia Radikale Serbe;
  9. Dr. Aleksandar Popoviç nga Partia Demokratike e Serbisë; (DSS)
  10. Milan Stamatović i propozuar nga një grup qytetarësh nën moton Për një Serbi të Shëndetshme
  11. Nenad Çanak i propozuar nga Liga e Social demokratëve të Vojvodinës

Zgjedhjet e vitit 2012 në Serbi u fituan nga Tomislav Nikoliç, nga Partia Progresive e Serbisë. Para se të hynte në Presidencë, Nikoliç emëroi Aleksandër Vuçiç kryetar të Partisë. Ndryshe nga Boris Tadiç, që në kundërshtim me Kushtetutën vendosi një system gjysëm presidencial në Serbi, Nikoliç dha dorëheqjen si kryetar partie, duke rikthyer postin e presidentit në termat kushtetues.

Dështim që i faturohet presidencës së Nikoliç, është se ai mund të kishte bërë më shumë për bashkëpunimin rajonal dhe se ai nuk arriti dot të vizitojë Kroacinë dhe Bosnjë – Hercegovinën, që janë dhe dy fqinj të rëndësishëm të Serbisë. Që nga viti 2012, skena politike e Serbisë dominohet nga Partia Progresive e Serbisë.

Dominimi i fushatës nga Aleksandër Vuçiç

Fushata zgjedhore ështe dominuar nga kryeministri në detyrë, Aleksandër Vuçiç, që është edhe kandidati presidencial i koalicionit të udhëhequr nga Partia Progresiste e Serbisë. Kjo ishte dicka e pritshme, po të kemi parasysh se Vuçiç është në krye të partisë kryesore të koalicionit dhe kryeministër në të njëjtën kohë.

Mendohet se Vuçiç do të fitojë që në raundin e parë të garës presidenciale. Për të arritur këtë, ai ka mbledhur një koalicion të gjerë partish me programe të ndryshme. Fitorja e raundit të parë, do të shenjonte supremacinë e tij dhe njëkohësisht dominimin e Partisë Progresiste në skenën politike serbe.

Numri i madh i kandidatëve për president, është shenjë e qartë se këto zgjedhje përbëjnë një pikë kthese në riformatimin e politikës serbe. Përveç Vuçiç, një kandidat tjetër që bie në sy, është ish Ombdusmani (i barazvlefshëm me Avokatin e Popullit në Shqipëri) Sasha Jankoviç, që po tenton të mbledhë rreth vetes një gamë të gjerë mbështetësish, kryesisht nga shtresa intelektuale e vendit.

Një kandidat tjetër është ish ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç që përfaqëson një tendencë si ajo e regjimit të Tadiç. Programi i tij ka për bazë kritikën kundër qeverisë aktuale, sidomos ndaj Aleksandër Vuçiç dhe marrëveshjeve për çështje që nuk kanë të bëjnë me kompetencat e presidentit, por që janë nën influencën e qeverisë.

Kandidati Vojisllav Sheshel, kandidon për president për të nëntën herë, në një tentativë tjetër për kontrollin e elektoratit me ndjenja anti Perëndimore dhe që kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me Rusinë.

Kandidat tjetër që tërheq vëmëndjen në zgjedhjet e ardhshme është Luka Maksimoviç Beli, me një fushatë ndryshe, që synon të nxisë një pjesë të zgjedhësve kundër qeverisë. Ai përfaqëson një erë të re në skenën politike serbe, por jo më shumë se kaq.

Rezoluta e Parlamentit Europian ende e pazbatuar- çeshtja Mobtel

Bashkimi Europian po ndjek me vëmëndje ngjarjet në Serbi, sidomos ato që lidhen me përmbushjen e detyrimeve karshi BE. Situata në Serbi dhe roli i qeverisë së saj përshkruhet më së miri nga Rezoluta për Serbinë në Parlamentin Europian, e cila u miratua në Strasburg në 29 Mars të 2012, por që ende mbetet pa u zbatuar.

Rezoluta ishte një goditje për autoritetin e Tadiç në atë kohë në Beograd. Në paragrafin 18 të Rezolutës së Parlamentit Europian shprehet shqetësimi për akuza të përsëritura penale për shpërdorim të detyrës, që u shoqëruan nga sekuestrim dhe ngrirje të pasurive dhe kompanive private.

Në paragrafin 19, Parlamenti Europian kërkoi nga autoritetet serbe të rishohin menjëherë privatizimet kontroverse dhe shitjen e 24 kompanive, ndërsa Komisioni Europian shprehu dyshime serioze për ligjshmërinë e tyre dhe në veçanti për aferën në lidhje me Mobtel, Startid, Jugoremedija, C Market dhe Atp Vojvodina dhe për të bërë transparencë në lidhje me dokumentat e privatizimit të tyre, të cilat ishin shpallur sekret shtetëror. Komisioni Europian tërhoqi vëmëndjen për publikimin e plotë të dokumentave që kanë të bëjnë me pronat publike, me qëllim krijimin e një klime të sigurtë për biznesin, për të kompensimin e pronave private dhe për të shmangur përfitimet e padrejta të pronës publike nga interesa private.

Prona private është e shenjtë dhe e patjetërsueshme në çdo shtet europian. Vëmëndje e veçantë iu kushtua kompanisë Mobtel, e cila u shit me një vlerë që i kalon të gjitha privatizimet e tjera të kryera në Serbi.

Shitja e diskutueshme e Mobtel zbuloi se në këtë aferë ishin të përfshirë Boris Tadiç dhe Mlladan Dankiç, partneri i tyre austriak Martin Shlaf,

Ish-Komisioneri i Bashkimit Europian Benita Ferrero-Waldner, ish-Zëvëndës Kancelari Hubert Gorbah dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Në shtator të vitit 2011 parlamenti austriak mandatoi një komision hetimor për hetimin e shkeljeve në shitjen e Mobtel. Hetimi i kësaj çështjeje filloi edhe nga prokuroria austriake. Pas nisjes së hetimeve, ish Kancelari Austriak, Volfgang Shysel dha dorëheqjen si anëtar i Parlamentit Federal të Austrisë. Po ashtu, një prej kandidatëve për president në Serbi, Vuk Jeremiç dyshohet se ka lidhje me Martin Shlaf, duke ngritur dyshime për financime jo transparente të fushatës së tij, shumë të kushtueshme.

Për herë të parë në territorin e Bashkimit Europian dhe të vendeve kandidate ka një çështje të heqjes së liçensës nga kompania Mobtel, e cila në pjesën më të madhe është në pronësi të Bogoljub Kariç.

Ish kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica e shpalli tradhëtar, pasi e akuzoi se përdori Mobtel për të përgjuar qeverinë serbe për llogari të qeverisë së Kosovës, një akuzë kjo tipike në politikën serbe. Në bazë të kësaj akuze, qeveria serbe hoqi licensën e Mobtel, dhe në mënyrë të paligjshme bëri shitjen e kompanisë. Në të njëjtën kohë, autoritetet represive dërguan një skuadër policie, të veshur civilë dhe të maskuar për të marrë nën kontroll kompaninë, për kapjen e menaxhimit dhe mbylljen e televizionit të njohur BK. Qeveria ende nuk e ka korrigjuar padrejtësinë e bërë ndaj Mobtel. Televizioni BK ende nuk e ka rimarrë licensën e tij.

Gjithsesi BE ende këmbëngul për shtetin ligjor dhe mbrojtjen e pronës private dhe investimit privat. Një shtet që nuk respekton këto parime nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Qeveria e shkuar e Vojisllav Koshtunicës shkeli hapur ligjet për të hequr qafe kundërshtarët politikë brenda vendit, Bogojlub Kariç dhe Lëvizjen e Forcës Serbe që (bashkë me parti të tjera) mundën qeverinë e Koshtunicës dhe koalicionin e tij në zgjedhje. BE ende monitoron zhvillimin e ngjarjeve që kanë lidhje me Mobtel dhe BKTV.

Fundi i regjimit të vizave mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës, si kontribut për bashkëpunimin rajonal

Samiti “Ballkani Perëndimor 6” që u mbajt së fundmi në Sarajevë, bëri bashkë kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit, zyrtarë të lartë të BE-së dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë.

Pak vite më parë, BE i dha fund regjimit të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Për më shumë se dy dekada regjimi i vizave përfaqëson politikën e padrejtë dhe një ndëshkim për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh se BE është themeluar me parimin e lëvizjes së lirë së njerëzve, të mirave, shërbimeve dhe kapitalit. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë dy vendet që ende kanë një regjim të rreptë vizash. Pyetja është se përse gjashtë kryeministrat e vende të Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kryeministri Aleksandër Vuçiç nuk e përdor autoritetin e tij tek përfaqësuesit serbë në institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës që të heqin vizat për qytetarët e Kosovës dhe në institucionet e Kosovës që heqin vizat për qytetarët e Bosnjës Hercegovinës?

Sigurisht që ky do të ishte një kontribut në stabilitetin dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Asnjë fjalë nuk u tha në Samit për këtë çështje, megjithëse heqja e regjimit të vizave do të sillte përfitime për të gjitha komunitetet etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë dhe do të ishte një shembull i mirë për bashkëpunimin rajonal. Me një regjim të tillë vizash mes këtyre dy vendeve është e vështirë të flitet për bashkëpunim të mirë mes tyre.

Analistët besojnë se Aleksandër Vuçiç ka dhënë një kontribut real në bashkëpunimin rajonal, por sërish, individë pranë tij, shpeshherë kanë qenë shkaktarë të destabilitetit në rajon, për shkak të natyrës së tyre konfliktuale. Ka shumë mundësi që Vuçiç do t’i vuajë pasojat e tyre, sepse në fund përgjegjësia do të bjerë mbi të.

Situata në rajon dominohet nga një rivalitet mes politikanëve serbë dhe atyre shqiptarë. Vuçiç ia ka dalë të zvogëlojë rolin e Kroacisë, si një aktor në rajon dhe kjo ka nxitur frustrim në anën e kroatëve, të cilët po tentojnë ta kompensojnë këtë me rritjen e aktivitetit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku po promovohet komuniteti kroat në Bosnjë dhe Hercegovinë si i vetmi që mbart vlerat europiane, gjë që në fakt nuk është e vërtetë.

Kroacia shpesh e keqpërdor anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe pjesërisht atë në NATO për hir të interesit të saj në rajon. Me shumë mundësi do të rrisë rolin e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes që ka me kufirin me Slloveninë.

Kryeministri kroat, Andrej Plankoviç do t’i duhet të marrë në dorë frenat e shtetit të tij, pasi shumë qendra graviteti po e dërgojnë vendin jashtë kontrollit.

Dialogu mes Serbisë dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e Brukselit do të mbetet një nga prioritetet e BE-së. Jeremiç dhe Tadiç kanë marrë meritat për kalimin e negociatave nga Kombet e Bashkuara në Bashkimin Europian.

Marrëdhënia me Bosnjën dhe Hercegovinën do të mbetet një test për Vuçiçin. Duhet theksuar se 1.5 milion qytetarë serbë janë me origjinë nga Bosnjë-Hercegovina dhe këta përbëjnë një pjesë të konsiderueshme në elektorat.

Marrëdhëniet me Malin e Zi dhe komunitetin serb atje, pas dështimit të grushtit të shtetit, duhet të jenë transparente, të hapura dhe të bazuara në besimin e përbashkët.

Zgjedhjet për liderin e ri të opozitës

Një numër i madh kandidatësh që kandidojnë për zgjedhjet presidenciale janë tregues i një opozite të përçarë. Nëse opozita do të binte dakort për një kandidat të përbashkët, atëherë do të kishte një kandidat serioz përballë Aleksandër Vuçiç, që ka thënë se ishte opozita që e detyroi të kandidojë për president të Serbisë.

Opozita e përçarë, tashmë ka nevojë të zgjedhë një lider dhe ky lider duket se do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme. Pritet që pas zgjedhjeve Jankoviç dhe Jeremiç të krijojnë parti të reja. Ndryshimet në skenën politike do të shkundin njërën anë të partive në Serbi.

Zgjedhjet presidenciale të 2 prillit do të jenë të parat që nga rrëzimi i Sllobodan Milloshevisit pa vëzhgues të OSBE-së. Me një njoftim të shkurtër kjo organizatë bëri me dije se nuk kishte kohë të organizonte vëzhguesit e saj. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme, që Autoriteti Rregullator i Mediave Elektronike të monitorojë fushatën elektorale dhe të garantojë përfaqësim të barabartë të kandidatëve në media, gjë që është kritikuar nga opozita.

Gjithashtu, kishat, sidomos Kisha Ortodokse Serbe dhe komunitetet e tjera fetare duhet të mbajnë vendin e tyre në panoramën kushtetuese të sekularizmit, që shpeshherë është prishur në Serbi.

Statusi i qendrës humanitare serbo-ruse në Nish

Serbia ka një pozicion të rëndësishëm gjeografik dhe ka shumë shtete fqinje përreth saj. Kjo i jep një rol të rëndësishëm dhe përgjegjësi në rajon. Në rrugën e saj, Serbia nuk do të mund ta mbajë për shumë gjatë, një politikë të jashtme bazuar në kuadratin BE-Rusi-SHBA-Kinë dhe Lëvizjen e Papërcaktuar, por do t’i duhet ta qartësojë shumë shpejt politikën e jashtme dhe prioritetet strategjike.

Test kyç për politikën e jashtme do të jetë statusi i ardhshëm i Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish. Rusia kërkon imunitet diplomatik për Qendrën Humanitare dhe punonjësit e saj. Analistët theksojnë se dhënia e imunitetit diplomatik do të ishte në fakt vendosja e bazës së parë ushtarake ruse në territorin serb, duke ditur që Qendra po ashtu përdoret si bazë ushtarake e Rusisë për ndërhyrjen ushtarake në Siri.

Instituti Ndërkombëtar IFIMES beson se pas zgjedhjeve presidenciale, Aleksandër Vuçiç do të ketë një sfidë të vështirë për të zgjedhur pasardhësin e tij në postin e kryeministrit dhe për të ruajtur zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien e shtetasve serbë. Në këtë kontekst i rëndësishëm mbetet vazhdimi i partneritetit strategjik me Gjermaninë. Një qëllim tjetër kyç mbetet ndalja e emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në Serbi dhe harmonizimi i marrëdhënieve etnike brenda në Serbi dhe me shtetet fqinje. Për të arritur të gjitha këto, Vuçiç duhet të distancohet nga disa politikanë brenda dhe jashtë Serbisë, që po minojnë imazhin e tij dhe të Serbisë. Do të ishte shumë e rëndësishme që të garantohej një konsensus i gjerë për të ardhmen e Serbisë dhe të rajonit.

Zgjedhja e Vuçiç në krye të presidencës serbe rrit pritshmëritë për një epokë të re për të ardhmen e Serbisë dhe të vendeve në rajon. Nga Vuçiç ka pritshmëri të mëdha dhe nëse ai kërkon të mbajë rolin e liderit në rajon, ai duhet të bëjë disa hapa të rëndësishëm para, për të shmangur që roli i liderit t’i kalojë një politikani tjetër në rajon. Rasti i Nikola Gruevskit në Maqedoni është një shembull edukues për të gjithë politikanët si të mos qeverisin një shtet.

Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet Ballkanike (IFIMES) me qendër në Ljubjanë, Slloveni, analizon rregullisht ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan. IFIMES ka analizuar situatën në Serbi për zgjedhjet presidenciale të 2 Prillit./ Përkthyer nga Lapsi.al

Share: