Home KRYESORE DASHNORJA…

DASHNORJA…

Nga Agim Xhafka

Egla shkon një herë në muaj tek varri i burrit. Zakonisht pasi thyhet mesdita. Se nuk do ta shohë kush që po çon një lule tek ai që ia solli jetën përmbys pesë vitet e fundit.

Ai i nxirosuri,Leksi,vrau veten andej nga motelet e Vaqarrit. Vrau dhe atë dashnoren e tij,të vogël në moshë sikur të ishte vajza. Në fakt nuk kishin vajzë,veç dy djem nga martesa e gjatë. Njëri i martuar dhe me familje në Greqi,tjetri mbaron sivjet studimet në Londër. Leksi,burri,nuk kursehej të shkollonte çunat,i nxiste dhe çfarë fitonte e investonte së pari në shkollimin e tyre. Pa dituri nuk konkuron e pa garë kapitalizmi të kullufit,porosiste ai.

Ndërrimi i rregjimit e gjeti të ri burrin. Fëmijët të vegjël,e një ditë ai ngeli pa punë . Se erdhën këta të protestave dhe e nxorrën gati me shkelma nga komiteti. Por nuk u dëshpërua. U bashkua me Ladin dhe nisën tregti në Turqi me ca para marrë borxh nga Shyqyriu,krushku ynë. Dhe lodhja iu shpërblye. Bënë goxha para e morën toka për ndërtime. Atëhere më shpejt shitej pallati se buka në furrë. Leksi zgjeroi zyrat,punësoi njerëz dhe filloi të demonstronte inferioritetin e mesomoshës. Shihte vajza të reja,i joshte dhe më pas vazhdonin bisedat në motel. Kështu ecnin vitet. Punën e delegoi tek ca te rinj që ishin shkolluar në Itali e vetë një ditë në shtëpi e një javë bredhje brenda e jashtë vendit. Ndërkohë punët ecnin mbroth. Deri sa u takua me Monën dhe atje ngeci. U lidh sikur e kishte dashuri të parë. Gruaja mori vesh diçka,por ai e mohonte. Një ditë shkoi dhe e takoi tek shkolla. E kishte futur Leksi të jepte muzikë. Goca e bukur si drita.

-Jam gruaja.
-E di. Të njoh.

Më tej nuk u bë muhabet. Egla u kthye mbrapsht dhe nuk po i jepte dum kësaj lidhjeje. Kjo vajzë mund të bjerë në dashuri me këdo. Pse ngeli tek burri im.

Hera herës i shkonte ndër mend divorci,por i kujtohej djali që sapo ishte fejuar,tjetri në Angli…Turp,turp,po per kë? Heshtte dhe e linte ngjarjen të rridhte vetë. Diku do gjente uji një pritë.

Erdhi dhe ajo ditë. I tregoi Vera,shoqja e vet se dashnorja,kështu e quanin,kishte zënë një të dashur,një çun nga Tirana që kishte filluar punë në bashki si inxhinier. U lehtësua dhe mendoi se zoti nuk harron. Por,një mëngjes zilja e telefonit e çoi vrulltas. Mendoi se ishte çuni:

-Hë,bir,si je?
-Flasim nga komisariati. Burri juaj ka vrarë veten dhe një vajzë që po e identifikojmë. Mund të vini sa më shpejt.

Sikur i ra qyteti sipër. Me shapka arriti atje dhe i njohu të dy. Më pas dilemat ta varros unë apo bashkia,të therres njerëz,apo hiç frymë rreth xhenazes. Djemtë pyetës se si ndihej. I mësuan të gjitha dhe i thanë a të vijnë për varrim apo më pas.

-Ejani,një dhëmb i sëmurë hiqet,nuk shtyhet se veç lëngatë sjell.

Nuk u çudit kur pa kaq e kaq njerëz. Leksi ishte shoqeror dhe bamirës,nuk harxhonte veç me femra,jepte ndihma për këdo. U duk para njerëzve jo me dhimbje,por as e qeshur. E varrosën gati sikur ishte ndonjë lojtar futbolli. Hodhi sytë nga parcela e gocës dhe pa vetëm të ëmën e saj me dy varrmihësit. Murga,shqiptoi gati me zë.

Që atëhere vjen një herë në muaj tek Leksi. Nuk e fali,por e mëshiroi. Rri një copë herë me sytë mbi foton e tij. I kujtohen plot ditë e vite të bukura. Më pas,nuk rri më. Ngrihet e nuk del nga varrezat. Ecën drejt varrit të Monës,dashnores. Një grumbull dheu e sipër e anuar emri i saj. Kallogre,ç’qe ky fat i zi për ty,psherëtin dhe ndjen keqardhje. Jo se u lidh me Leksin,por që u shit tek ai. Iu gëzua dhuratave,udhëtimeve dhe kënaqësive të moshës. Burri ishte plot shëndet e i gjallë,por babai i saj quhej. Dashuri e shitblerë,ku njëra bëhet kurtizane e tjetri pronar. Atje nis dhe thyerja e balancave,rritet xhelozia se prona është shpirt,është luftë. Leksi që mos ia linte askujt e mori me vete. Fatzezë,moj korbë.

Pastaj i le një karafil të kuq dashnores dhe i drejton tabelën e emrit. Që kur të vijë sërish mos e gjejë të vidhisur. Kallogre,kallogre…largohet dhe çapitet drejt shtëpisë së saj…

Share: