Home KRYESORE Debati i panevojshëm “Kadare-Lubonja” dhe kotësia e thirrjes “të hapjes së dosjeve”

Debati i panevojshëm “Kadare-Lubonja” dhe kotësia e thirrjes “të hapjes së dosjeve”

Nga Kastriot Dervishi

Më duket i panevojshëm një debat që shoh këto ditë që nis me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare dhe përfundon me publicistin Fatos Lubonja. Kundër këtij të fundit janë përdorur pjesërisht disa dokumente të proceseve të dosjeve hetimore-gjyqësore. Pavarësisht se gjërat janë pa lidhje me njëra-tjetrën, e quaj me vend të them disa të vërteta.

Todi Lubonja ishte caktuar për t’u dënuar nga Partia e Punës dhe Enver Hoxha. Këtë dënim nuk e ndalonte dhe as e caktonte sasia e fletëve të dosjes formulare dhe as procedurat që ndiqeshin rëndom në dosjen përkatëse hetimore-gjyqësore. Të gjitha renditjet e fjalëve sipas së cilave Fatos Lubonja ka qenë përcaktues në dënimit e të atit nuk i përgjigjen asnjë të vërtete. Në radhën e veprimeve të ndjekura në rastin e dënimit të Todi Lubonjës, i akuzuar për “agjitacion e propagandë” dhe “armëmbajtje pa leje”, rolin kryesor e ka një person tjetër.

Si Ismail Kadare dhe Fatos Lubonja kanë qenë të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Dosjet e tyre formulare të ndjekjes, në dijeninë time, janë asgjësuar. Informacionet e sjella për Ismail Kadarenë nëpërmjet dokumenteve administrative, nuk lidhen me ndonjë dosje të veçantë përpunimi. Kadare është sulmuar drejtpërdrejt apo tërthorazi. Kundër tij është përdorur ndonjë “Dallëndyshe”, “Seman” apo “Nabar”, për t’i krijuar situata të trazuara si në jetën e përditshme, por edhe për t’u informuar udhëheqja rreth mendimeve të tij, sepse ngaqë ishte i vetmi shkrimtar shqiptar i talentuar kishte jo vetëm zilinë, por edhe smirën e një regjimi që përfaqësohej nga një klasë klanore, servilësh, kriminelësh, injorantësh dhe të paaftësh. Është rasti të kujtoj një praktikë asgjësimi dokumentesh.

P.sh. më 12.1.1979 janë asgjësuar 70 faqe të dosjes nr.114 në ngarkim të Ismail Kadaresë. Krahasuar me personat e tjerë, ai kishte numrin maksimal të fletëve në ngarkim.

Të vërtetat për Kadarenë nuk kanë kurrfarë nevojë të shohin si armik të madh Fatos Lubonjën, sepse ky i fundit nuk është as dallëndyshe, as seman, as nabar, etj.

Fatos Lubonja ka një histori qëndrese në burgjet e komunizmit, e cila nuk mund të hidhet poshtë me ndonjë rresht të hetuesit nga dosjet hetimoro-gjyqësore që nuk përbën as kallëzim. Ai është akuzuar për agjitacion e propagandë.

Referuar kartelës “model 1”, Lubonja është vënë në përpunim aktiv 2A më 21.1.1974 dhe është arrestuar më 25.7.1974. Fatos Lubonja dhe Todi Lubonja janë arrestuar në një ditë. Kjo do të thotë se Sigurimi e ka pasur gati lëndën për dënimin e tyre nga dosjet formulare të secilit dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë do vendosnin apo çfarë do thoshin të pandehurit gjatë procesit hetimor.

Historia e “shëtitjeve” të dosjes së tij formulare është interesante. Dosja e përpunimit në 2A është arkivuar në kartotekën e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë më 18.2.1976 dhe më 13.7.1977 është dërguar në Degën e 4-t të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Më 6.3.1978 dosja formulare është dërguar në Degën e Punëve të Brendshme Mirditë, e cila kishte në varësi kampin e punës së detyruar të të burgosurve nr.303 të Spaçit. Më 23.2.1978 Fatos Lubonja arrestohet përsëri. Për këtë arsye, më 6.3.1978 dosja e tij e arkivuar me nr.19.835, lëviz sërish nga Dega e 4-t dhe dërgohet në Degën e Punëve të Brendshme Rrëshen.

Më 12.9.1980, dosja në ngarkim të tij përfundon në kampin e punës së detyruar të të burgosurve nr.309 në Ballsh. Dosja shkon në vendet e tjera të vuajtjes së dënimit të Fatosit në burgun e Burrelit nr.321 dhe në Burgun e Kosovës nr.318. Gjurmët e kësaj dosjeje humbin në Degën e Punëve të Brendshme në Lushnje në vitin 1990.

Tani së fundi, dy fjalë për dokumentacionin. Për këto çështje, për fat të keq ne na duhet të operojmë me një sasi të kufizuar dokumentacioni të drejtpërdrejtë, duke pasur në dispozicion fare pak arkivistë, sepse jemi shtet unikal në botë që urrejmë arkivat dhe luftojmë si kriminelë lufte arkivistët. Mirë do ishte që të kurseheshin thirrjet e pakuptimta për “hapje dosjesh” e të flitej konkretisht për investime themelore për rrjetin kombëtar të arkivave, sepse Shqipëria “copë-copë” në të gjitha drejtimet nuk është engjëllore te arkivat.

Share: