Nga Desada METAJ-
Më shumë se 1 muaj nga protesta e PD poshtë zyrave të Edi Ramës, kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë nuk ka gjetur zgjidhje dhe me gjasa vështirë se do e gjejë për sa kohë palët nuk kanë dhënë asnjë sinjal se mund të lëshojnë terren në qëndrimet e tyre.
Mundësia për një dialog mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës duket ende e largët, ndërsa dreka- darkat e njerëzve(biznesmenëve) pranë tyre nuk kanë mundur të gjejnë një urë të vërtetë komunikimi, ashtu siç rëndom krizat dhe aleancat në Shqipëri kanë qenë fryt i tavolinave të tilla.
Në këto kushte sytë e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës janë drejtuar nga Ilir Meta, që i ndodhur në mesin ‘e artë’ të konfliktit ende vijon të luajë nga njëra anë duke “sulmuar” aleatin e tij dhe nga ana tjetër duke “flirtuar” me çadrën e lirisë.
Por ka një institucion, apo person politik që mund ta marrë përsipër një inisiativë dialogu mes palëve, pa qenë i detyruar që tryeza të jetë ajo e një restoranti por e një zyre të lartë shteti. Dhe ky është Presidenti i Republikës, që përgjatë kësaj kohe nuk ka ndërmarrë asnjë inisiativë për të gjetur një zgjidhje. Justifikimi se kjo nuk është një detyrë kushtetuese apo se Edi Rama nuk do ta përfillte këtë tryezë janë po aq të pavlera sa pretendimet se dekretet e ministrave duheshin firmosur edhe pse Presidenti nuk ishte i bindur.
Por kjo “mungesë kompetencash” nuk i ka penguar paraardhësit e tij të gjejnë zgjidhje në raste të ngjashme, siç ishte për shembull Moisiu në 2007 kur Edi Rama nuk bindej të hynte në zgjedhjet lokale sepse kishte frikën e manipulimeve nga PD. Apo kriza tjetër e kutive të votimit në vitin 2010, ku sërish një tjetër President, Bamir Topi ofroi mundësinë e zgjidhjes. Në të dy rastet kriza gjeti zgjidhja dhe erdhi pikërisht nga ky institucion.
Presidenti Nishani nuk e ka parë ende të arsyeshme të ndërmarrë një hap të tillë, edhe pse qasja e tij pranë PD-së është një fakt që dhe ai vetë nuk përpiqet ta mohojë më.
Natyrshëm lind pyetja: Pse Bujar Nishani për herë të dytë (që pas mosdekretimit të pritshëm të Fatmir Xhafës) nuk po përpiqet që të jetë, në mos i dobishëm, të paktën një ndihmë për partinë të cilës i përket?
Përgjigjet mund të gjenden kudo, por më të saktat duken se janë fshehur brenda PD dhe protestës së saj.
Për ti parë me radhë, sado e vështirë dhe në dukje mision i pamundur, Lulzim Basha ia doli për herë të parë të bindë edhe më skeptikët se ai mund ta drejtojë një protestë edhe pa Sali Berishën. Sigurisht që roli dhe popullariteti i këtij të fundit janë ende të forta në PD, por pas më shumë se 20 vitesh në selinë e demokratëve po ravijëzohet një lider i ri, me të mirat dhe difektet e tij. Kjo gjë duket të ketë shqetësuar jo pak dhe një pjesë të “gardës së vjetër”atyre që strehën e fundit politike pas abuzimeve me pushtetin 8 vjeçar të PD e shohin tek nostalgjitë për Berishën dhe lojën se ky i fundit mbetet i pazëvendësueshëm.
Por, pavarësisht të gjithave ish-kryeministri mbetet ende me ndikim të pamohueshëm në PD. Janë fijet, lidhjet apo telefonatat që dalin nga zyra e Berishës ato që ruajnë ende kontaktet (jo vetëm nostalgjike) me ish-aleatin e dikurshëm Ilir Meta, politikanin e konsideruar si “çelësi” i zgjidhjes dhe që reciprokisht nuk e fsheh mallin që ka kur qeveriste me doktorin.
Me këtë rast Berisha edhe njeherë tjetër faktorizohet si negociator “de facto” i PD-së, parti që në fakt ka kryetar Lulzim Bashën. Edhe pse ish-kryeministri është njohës perfekt i aleancave fluide këtë herë në emër të PD duhet të firmosë një marrëveshje të mundshme dikush tjetër. Të njëjtat fije por shumë herë më të forta ish-kryetari demokrat ruan dhe me institucionin e Presidencës, nga ku ende nuk ka asnjë shenjë apo lëvizje se diçka do të ndodhë për daljen nga kriza.
Ka nga ata që mendojnë se nëse Presidenti do të kishte ndërmarrë një inisiativë të tillë ndoshta nuk do të kishte prodhuar asnjë zgjidhje për shkak të rrethanave dhe faktit që Edi Rama mund ta kishte injoruar si ftesë. Por të paktën, në fundin e mandatit të tij, Bujar Nishani mund të ishte përpjekur të dilte nga guacka e kompetencave të Kushtetutës dhe të gjitha fijet e lidhjet me ish -kryetarin që e zgjodhi në atë post. Ai duhej të vihej në funksion të zgjidhjes së krizës dhe të protestës së PD-së, që pas kaq shumë kohësh duket se po tregon se veç qeverisë teknike opozita ka nevojë edhe për një frymëmarrje të re, apo siç vetë Lulzim Basha ka pohuar “çlirimin nga prangat e së shkuarës”. /Opinion.al