Zakonisht thuhet, “ajo që e prisnim, ndodhi”.
Në këtë rast, Gojët e Liga mësojnë se shprehja korrekte do ishte: “Ajo që nuk e priste të ndodhte as ai që e bëri, ndodhi!”
Bëmën e ka bërë Nik Rosonero, i cili ka vendosur sot në sabah të krijojë një qeveri teknike. Pasi ëndrrën e hodhi në letër, Rosonero u entuziazmua aq shumë, mësojnë Gojët e Liga, sa nuk pati as prudencën që lajmin t’ja “plasonte” ndonjë portali sivlla, por e hodhi drejt e tek opozita pik kom.
Gjithë merakun, Niku e kishte të bënte veten ministër të Brendshëm: Posti i pëlqeu aq shumë, sa edhe vetë u tremb se mos fuste veten në burg nga të pabërat që kishte bërë, kaq shumë e dehu ideja ministrore.
Siç mësohet, pasi mblodhi veten dhe e pastroi edhe njëherë me fotoshop portretin e vet të kadifenjtë në kompjuter, Nik Rosonero filloi të shpërndante qoka: Gridën e bëri zv.kryeministre, Niko Lesit i dha transportet, Zhejit i dha kulturën etj.
Por pastaj u kujtua që s’kishte kryeministër. “Po Fevziu sigurisht”, vendosi ai, dhe kërkoi një internet foton e Fevzos. E merr, e ngjit te kolazhi që kishte përgatitur dhe e hedh në portal.
“Ekskluzive, ja emrat e qeverisë teknike”, del titulli që shokoi të gjithë, e sidomos vetë Nikun, që harroi se e kishte hedhur vetë.
Kur fap, i bie telefoni: “Alo Nik, jam Koli, Kol Nako. Po ti më pyet njëherë o burrë i dheut, dua apo s’dua të bëhem kryeministër. Se kemi dhe punë të tjera…”
Nik Rosonero ngriu: “Uee plako më fal. Kujtova se kisha vënë Fevziun, por edhe ti e bën. Do të të ndihmoj edhe unë…”
***
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Këto ditë, realiteti është shumë më gallatë se satira, ndaj zgjidhni e merrni.