Home KRYESORE Fitorja e vogël e Lulzim Bashës

Fitorja e vogël e Lulzim Bashës

Nga Desada Metaj-

Opozita ka përshkallëzuar sot protestën e saj pas më shumë se dy muajsh që qendron në çadrën poshtë zyrave të Kryeministrit. Përtej pritshmërive dhe paralajmërimeve zyrtare dhe jo zyrtare, gjithçka sot tregoi për një protestë civile ku munguan përplasjet me forcat e rendit apo djegiet dhe prishjet e makinave.

Aq e qartë ishte kjo sa lajmi më provokues i portestës së sotme ishte një ambulancë që për fat kaloi pa probleme në orën kur trafiku ishte i bllokuar në 5 nga akset kryesore të vendit.

Sikundër dhe mospjesmarrja e disa prej figurave kryesore të lidershipit aktual të PD u referua si lajm disa orë pasi protesta kishte mbaruar.

Ky fakt ndoshta ka qenë dhe keqardhja e madhe e një pjese të pakënaqurish nga Lulzim Basha dhe aksioni i tij i kohëve të fundit. Aksion ky që po e ravijëzon atë si liderin “de facto” të PD dhe po i heq nga shpina përcaktimin e “partisë që i dhuroi Sali Berisha”.

Siç duket ky do të jetë dhe shqetësimi i ardhshëm dhe ndoshta i fundit i shumë prej figurave të vjetra në PD që kohët e fundit kanë ndjerë fuqizimin e kryetarit të ri dhe në të njëjtën kohë dhe frikën se mosangazhimi serioz në 4 vitet e opozitës mund t’i lërë edhe pa punë.

Por më shumë se brenda PD-së, protesta e sotme ka lënë pa fjalë dhe deri tani edhe pa status apo komente në FB vetë Kryeministrin. Prej dy ditësh Edi Rama paralajmëron trazira në emër të protestës së opozitës. Poston foto dhe komente në rrjete sociale për dhunën e mundshme ndërkohë që shumë portale dhe media i risollën në vëmendje protestën e organizuar nga vetë ai 6 vite më parë, ku nuk kishin munguar djegia e gomave të makinave dhe përplasja me policinë.

Ndoshta Lulzim Basha mund të ketë marrë “kopje” tek Edi Rama mbi formën e protestës, por përmbajtja e aksionit të sotëm të opozitës ishte krejtësisht një gjë e re dhe qytetare. Aq sa duket se do t’i shërbejë më së miri dhe negociatave që priten të nisin orët në vazhdim dhe që sigurisht do të kishin një kosto të madhe për PD nëse sot do të kishte patur akte dhune. Për këtë dhe jo vetëm, Lulzim Basha do të jetë negociatori i vetëm që do të përfaqsojë PD në takimet që priten ti japin zgjidhje krizës së gjatë politike në vend.

Tashmë edhe kundërshtarët më të ashpër të tij, brenda apo jashtë PD nuk mund ta akuzojnë për qëndrime jo koherente lidhur me kërkesat apo ndikim në vendimmarrje nga lidershipi i vjetër.

A do të arrijë Lulzim Basha ti shkojë deri në fund betejës së tij për qeveri teknike? A do të mund të jetë fitues i kësaj loje nervash që ka përfshirë 3 partitë kryesore në vend? Kjo mbetet për t’u parë në orët dhe ditët në vazhdim.

Fitorja e parë në të cilën ai mund të ndihet i sigurt është ajo brenda PD dhe grupit të deputetëve të saj. Edhe pse një betejë është ende shumë larg ngadhënjimit mbi vlerat e humbura ndër vite të së djathtës shqiptare. /Opinion.al

Share: