Home KRYESORE Koha Jone: Negociatat dështuan. Po vjen destabiliteti për fajin e politikës?!

Koha Jone: Negociatat dështuan. Po vjen destabiliteti për fajin e politikës?!

Nga Qamil Xhani

Më shumë se pesë orë negociata dje mes zëvendës/presidentit të PPE David McAllister, eurodeputetit, Knut Fleckenstein dhe drejtuesve kryesorë politikë, Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha nuk kanë dhënë rezultat. Zyrtarisht të gjitha palët pranuan mbrëmjen e djeshme se negociatat kanë dështuar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga çadra e PD-së konfirmoi se arsyeja e dështimit është fakti se Kryeministri Edi Rama nuk pranon të japë dorëheqjen. Ndërkohë, negociatorët e BE-së shpërndanë një deklaratë për mediat, ku jepnin detajet se çfarë ishte diskutuar këto pesë orë mes Bashës dhe Ramës.

Ajo që bie në sy në qëndrimin e BE është se mazhoranca PS dhe LSI kanë bërë lëshime ndaj PD dhe për gjëra, për të cilat më parë Kryeministri kishte deklaruar se nuk do t’i toleronte. Janë të paktën 6 pika, ku PS dhe LSI kanë rënë dakord që t’i lihet hapësirë e plotë opozitës. E para është se PS dhe LSI kanë pranuar që të shtyhet data e zgjedhjeve dhe kanë përcaktuar 16 korrikun si opsionin më të mundshëm. Pika e dytë është ndryshimi i kabinetit qeveritar. Edi Rama ka pranuar të bëjë disa ndryshime në ministri duke vendosur personalitete dhe emra teknikë të pranuar nga opozita. Qëllimi i kësaj lëvizje shkon në linjën që ka thënë Ilir Meta për krijimin e një qeverie besimi me emra të besueshëm. Pika e tretë është marrja e masave për shitblerjen votës duke ashpërsuar Kodin Penal për çdo krim elektoral. Pika e katër është ndryshimi i strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku PD-së i është premtuar dhe marrje e drejtimit të këtij institucioni. Pika e pestë është lufta kundër drogës, ku mazhoranca ka pranuar të ndryshojë shumicën e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit që janë akuzuar nga opozita. Drejtuesit e policisë të caktohen në rakordim me opozitën. Pika e gjashtë është forcimi i ligjeve dhe luftës kundër drogës. Por veç këtyre pikave, në tavolinën e negociatave PS dhe LSI prej kohësh i kanë dhënë opozitës të drejtën për zgjedhjen e Presidentit dhe Avokatit të Popullit. Lista e lëshimeve që ka pranuar mazhoranca është edhe më e gjatë se kaq duke i dhënë Bashës dhe PD garanci maksimale për të hyrë në zgjedhje dhe për pranimin e një numri të madh vëzhguesish ndërkombëtarë.

Megjithatë, Partia Demokratike ka pasur vetëm një kërkesë kryesore, që sipas Bashës është e panegociueshme; largimin Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Por paralel më këtë edhe ndryshimin e disa ligjeve të Vetingut. Në këtë pikë as mazhoranca dhe as vetë ndërkombëtarët nuk kanë pasur më çfarë të diskutojnë. Këmbëngulja në këtë kërkesë nga ana e PD-së ka rikthyer debatin në pikën e nisjes duke u dhënë fund negociatave mes kampeve politike dhe ndërkombëtarëve. Lulzim Basha kishte dje një mundësi të pranonte konsensusin. Në tavolinë kishte një ofertë që është më shumë se ç’mund të kishte marrë në çdo situatë tjetër. Por në vend të kësaj zgjodhi të vazhdojë betejën. Ai deklaroi mbrëmë nga çadra se do fillojë mosbindja civile, pra destabiliteti. Pas zyrtarizimit të dështimit të negociatave, ajo që e pret vendin nuk mund të parashikohet lehtë. Basha u shfaq dje pas mbylljes së takimit në çadrën e PD-së, ku dështimin e negociatave e cilësoi si vazhdim të betejës për zgjedhje të lira deri në largimin e Kryeministrit Edi Rama. Edhe më shqetësuese ishte gjuha që përdori kreu i opozitës. Ai paralajmëroi protesta masive dhe mosbindje civile në gjithë vendin, ndërkohë që, mund të mblidhte aleatët pas negociatave dhe të vendoste në raport me ofertën e negociatorëve të huaj. PD-ja nga dje ka nisur skenarin e tubimeve masive dhe qëndrimeve radikale. Përplasja e parë e madhe do të jetë Kavaja gjatë procesit të zgjedhjeve të 7 majit. Aty demokratët pretendojnë se nuk do të ketë më tubime paqësore si ai i ditës së hënë, pra vetëm me bllokim rrugësh.

Zhvillimet politike kanë marrë drejtimin më të gabuar të mundshëm. BE dërgoi në Tiranë një nga zyrtarët më të spikatur në Gjermani me shpresë se PD-ja do të bindej. Fundi i negociatave i hap rrugë një skenari të errët, me zgjedhje pa PD dhe me destabilitet të gjithë vendit.

Share: