Home KRYESORE Lindita Nikolla “je vetëm”, arsimtarët i ke përballë!

Lindita Nikolla “je vetëm”, arsimtarët i ke përballë!

Nga Eleina Qirici*

Ata që u japin edukimin fëmijëve, duhet të respektohen edhe më shumë se vetë prindërit që i lindën, sepse prindërit u dhanë jetën, ndërsa mësimdhënësit u japin aftësinë për të jetuar mirë (këtë thotë antikiteti).

Arsimtarët, si misionarë të kombit në formimin e gjeneratave te reja, për çdo vend të botës, në vendin tonë të qeverisur keq, veçse të tillë nuk janë, veçse të respetuar nuk janë, veçse të mirëpaguar nuk janë, veçse të lirë nuk janë, dhe jo vetëm kaq, ata po trajtohen në këto katër vite çdo ditë e më shumë, si instrumenta në shërbim të Partisë Socialiste, për t’i kthyer ata në megafonë apo propagandistë.

Kjo është qeveria që po i shndërron me forcë arsimtarët në një armatë në shërbim të Partisë Socialiste dhe Qeverisë që ajo drejton, në individë “numra” që mbushin salla dhe sheshe, në vegla diktati që detyrohen të mbledhin edhe maturantë, për t’i ardhur rreth e përqark kryeministrit, në shfaqet e tij boshe dhe propagandistike.

Në cilin vend të Europës dhe botës së civilizuar ndodh kjo?!
Të gjithë në fushatë, të gjithë për fushatën, të gjithë për partinë, të gjithë atje ku thërret e gulçon partia.

Ministra largohen nga detyra ekzekutive qeveritare për t’i shërbyer më mirë Partisë Socialiste, sepse partia është në fushatë dhe duhet të marrë sa më shumë vota. Sot partia është primare, qeverisja sekondare.

Ministra në detyrë, sërish në llogoret e fushatës së Partisë Socialiste, kanë braktisur ekzekutivin dhe janë në shërbim të grumbullimit të votave nga populli, popull që e takojnë një herë në katër vite, shoqëruar nga eksorta dhe sejmenë.

Kryeministri i qeverisë së shqiptarëve ka një vit që ka braktisur qeverisjen, por jo Facebook-un, ka një vit në fushatë, duke shëtitur nëpër Shqipëri me propagandë në gojë dhe tapi në dorë.

***

Ministrja në sabatin e javës vendosi të kuvendojë përpara arsimtarësh, të cilët i mblodhi për shfaqen e radhës dhe thirrjet e saj nga podiumi i ngjanin më shumë një vendi në një regjim totalitar, si pasazhe nga e kaluara “e ndritur” e arritjeve të pashoq, apo e fanarit ndriçues.

Ministrja, “me dorë në zemër”, del dhe kërkon nga arsimtarët, citoj: “mos më lini vetëm”. Domethënë, grusht bashkuar rreth ministrisë dhe qeverisë, ministres dhe kryeministrit.

Takime me tematikë të munguar, por me qëllim të mëkuar.
Arsimtarëve sot e katër vite që nuk u është bërë asnjë ngritje page. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarët sot e katër vjet punojnë me frikën e largimit nga puna, nëse shpehin ndonjë gjë kundër “sistemit”. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarët sot në zonat rurale zhvillojnë mësim në kushte të papërshtatshme për mësimdhënie. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarëve nuk u ofrohen mjete transporti për të shkuar në shkollat e tyre në zona të thella malore dhe ende ka nga ata që bëjnë rrugë në këmbë, në shi dhe në diell, në dimër dhe në verë. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarëve me eksperiencë sot u vihet në dyshim vjetërsia dhe aftësia në punë dhe testohen të dyshuar si të paaftë, teksa partia mbush armatën e arsimtarëve me militantë. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarët sot hyjnë në një portal të Ministrisë dhe dalin prej andej kontigjent për zyrën e të papunëve, pasi portali i mësuesve çertifikon militantë. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarët sot thirren me urdhër dhe diktat për të qenë pjesë e takimeve elektorale të Partisë Socialiste. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Arsimtarët nuk përfitojnë asnjë fond nga projektet komunitare, fonde që vijnë nga BE, por që nuk dimë ku shkojnë. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Fëmijët e këtyre arsimtarëve duhet të paguajnë shumëfish që të ndjekin arsimin e lartë. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!
Fëmijët e këtyre arsimtarëve, maturantë vjet, nxënës të shkëlqyer nuk gëzuan të drejtën e studimit në një universitet publik, sepse i skartoi politika arsimore hartuar dhe firmosur nga zj.Nikolla. E për këtë shkak, ministrja i ka përballë!

Ministrja e Arsimit duhet të ndryshojë menjëherë filozofinë e saj të punës, edhe për këto pak ditë në qeverisje dhe të lërë jashtë lojërave politike edukatorët, mësuesit dhe pedagogët anë e mbanë vendit.

Misioni i tyre është i shenjtë, zonja ministre.

Detyra e juaj është përmbushje e misionit të tyre!

*Autorja eshte deputete e PD per qarkun Korce

Share: