Home KRYESORE Më mirë në Call Center apo një teserë partie më tepër?

Më mirë në Call Center apo një teserë partie më tepër?

Nga Jeta Toçila

Ata janë një grup i madh të rinjsh, të diplomuar në fusha të ndryshme, që halli i ka bërë bashkë në një sallë. Ata janë të pafatët që morën pjesë në fushata elektorale e brohoritën fitoren. Ata janë të rinjtë që mbanin kapela e bluza me logo partie, që trokisnin derë më derë duke mbledhur vota për të tjerët. Ata janë të rinjtë që dikur u ndjenë të rëndësishëm dhe me shpresë për të ardhmen vetëm sepse kandidati ua mbante mend emrat apo u dërgonte urim për festa. Ata janë të rinjtë që emrat e tyre nuk u ruajtën as në memorien e celularëve të kandidatëve, sapo këta u shpallën fitues.

Ata janë të rinjtë që sot lehtë u lexohet humbja e shpresës, ndërkohë që mezor u shquhen ëndrrat, mbuluar nga tymnaja e cigareve të paketave të tyre të përbashkëta.

Ata janë të rinjtë e qytetit, që gjysmën e ditës banojnë në pallatin tim. (jam e bindur që mund të jenë edhe në pallatin tënd). I shoh çdo ditë dhe i përshëndes si komshinj, në kohën kur dalin nga salla e kufjeve të shumta.

Më ka rastisur të dëgjoj bisedat e tyre, sepse ju e dini kur je grup i madh flitet me zë të lartë. Kam dëgjuar një djalë që flet si jurist, një tjetër si psikolog, një vajzë më duket si zyshë, ndërsa për një vajzë tjetër bukuroshe jam e sigurt që është piktore.

Ai juristi është i mërzitur dhe padit në çdo bisedë. E ka inatin me qeverinë kur në media përsërit: “Punë ka, por s’ka profesionistë”. “Duhet hapur çështje gjyqësore për mashtrim” –thotë.

Ajo piktorja e lezetshme, me zërin e ndrojtur ankohet për kolegun kryeministër që nuk i lë rradhë artistëve të rinj e të talentuar për ekspozita.

Ai psikologu, rreket të qetësojë shokët, kur ata e vënë në sedër “hë mo, na bëj ndonjë terapi për stresin”. Por i ziu, nuk ka liçensë për të ushtruar profesionin, se nuk ka para të mjaftueshme për ti dhënë rryshfet atyre që premtojnë për një të tillë.

Ajo vajza që më duket si Zyshë u kërkon shokëve të mbajnë qetësi e të flasin me rradhë, sepse banorët e pallatit nuk ua kanë për borxh t’u dëgjojnë hallet.

Më pëlqen kjo zysha, flet pastër gjuhën shqipe, nuk e dalloj dot krahinën nga vjen.

Pastaj është edhe ai momenti kur vjen e ndez cigaren e rradhës ai djali që i ngjan një politikani. Është një tip që mbahet me të madh. Ai hyn në bisedë rëndë–rëndë duke u thënë shokëve se ka folur me dikë lart dhe kartat e anëtarësisë i ka gati. Vetëm partia do t’u sigurojë punën e duhur.

Shokët pohojnë kokë-ulur e shpresë-vrarë duke pëshpëritur “ta provojmë edhe këtë parti, ta marrim edhe një tjetër kartë”.

…Tring, tring…bien zilet e telefonëve. Urgjent në sallë! Kufjet në vesh! Le t’u shesim atyre që kanë ç’të blejnë….!

Share: