Nga Kliton Nesturi
Si asnjëherë më parë, shqiptarët gjenden të dyzuar mes kohës së shkuar dhe asaj që vjen. Më saktë gjenden të hutuar përballë aspiratave, ëndrrave, dëshirave dhe qëllimeve, për të cilat dikur, në ditët dhe motet që shkuan, kanë menduar se ia vlen të sakrifikosh dhe të qëndrosh në Shqipëri duke kontribuar për të, për vendin, për shoqërinë. Situata në të cilën ndodhet tashmë jeta e tyre frymon në mes të një udhë, pa sens drejtimi e pa udhërrëfyes.
Ka një kaos total, një gjendje pa identitet. Nuk është fjala për identitin nacional, për të cilin e dimë se kemi qenë e do të mbetemi pjesë e Evropës, si nocion gjeografik apo popullsi. Të gjithë e kemi të qartë, se sado që koha të vonojë, ne do të jemi dikur, pas pesë, dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vjetësh, ndoshta edhe më shumë, pjesë e Bashkimit Evropian, nëse atëherë kjo ëndërr e vjetër aristokratike do të ekzistojë. Dhe kur ne të jemi pjesë e saj, sigurisht mirëqenia do të jetë më e lartë, jeta më dinamike dhe e gëzueshme, e gjërat do të jenë secila në vend të vet, duke nisur që nga pronat, të cilat janë bërë me dashje lëmsh, apo liritë dhe të drejtat e njeriut, për të cilat vazhdimisht flitet shumë. Por kur të ndodhë kjo, ne ndoshta do të jemi tretur, pasi askush nuk është i zoti të japi një përgjigje të saktë se kur do të ndodhë. Madje, as ata që vetquhen “baballarë të kombit”, dhe që kanë marrë në dorë fatet e atdheut e të njerëzve, tash e tre dekada. Ajo që i dallon më së shumti këta “baballarë” nga ata që udhëhoqën deri në 1990, është se masën e krahasimit të rritjeve ekonomike, arritjeve dhe mirëqënies së popullsisë, nuk i llogarisin në krahasim me vitin 1938. Vetëm krahasimi me këtë vit, do i bënte edhe më galopante arritjet e shoqërisë dhe shtetit tonë gjatë kësaj periudhe.
Sipas ligjeve të evolucionit të shoqërisë, do të duhen së paku edhe tre dekada që dikush prej tyre të jap një përgjigje të saktë. Dikush do të pyesë: “Pse, kaq e vështirë është?!”. Sa duket, tek shqiptarët, shprehja angleze “Simply the best!”, nuk ka pikë vlere. Të paktën, në ndërtimin e shoqërisë shqiptare deri më sot, të ngritjes së institucioneve, të të bërti të gjërave sipas normave dhe principeve universale, të mirëqënies së jetës së njerëzve, kemi dëshmuar se dimë t’i fusim në disa kallëpe e ngërçe, prej të cilave as edhe forcat hyjnore apo universale nuk na nxjerrin dot, sado që të duan. Në këto tre dekada, prej “baballarëve të kombit” kemi dëgjuar më shumë demagogji, se sa kemi parë realizime konkrete të ëndrrave dhe aspirtave, ndërsa në jetën e përditëshme, kemi parë më shumë kaos e anarki, se sa kemi ndjerë rend e ligj.
Si asnjëherë tjetër dëshpërimi ka ngjitur kulme të reja. Të kapur nga kolapsi i së tashmes, njerëzit, po mendojnë si e si të ikin prej këtej, në kërkim të një jete e ndoshta të një atdheu tjetër, që do t’u siguronte për ditët e mbetura të jetës, më shumë paqe, mirëqënie dhe prosperitet. Në kohët moderne, koncepti i atdheut shihet me një sy shumë pragmatist. Po ku të shkojnë? Rregullat që BE aplikon tash sa kohë, nuk iu lejon qëndrimin normal me shumë se nëntëdhjetë ditë pa ndërprerje. Më pas duhet të kthehen dhe pas nëntëdhjetë ditëve të rinisen sërish në Evropë për të qëndruar edhe nëntëdhjetë ditë të tjera. Por vetëm si turist, ama. Për të aplikuar për punë, ashtu si ikur, dhet sërish të presësh në listën e pritjeve që rezervojnë ambasadat. Në pamundësi të padurimit, shqiptari do të rendi drejt kampeve azilante, e duke pranuar edhe tjetërsimin e karkaterit, herë duke u hequr si minoritet kulturor apo seksual, vetëm e vetëm që të shpëtojë prej dëshpërimit që i rezervonatdheu i tij. Njeriu shqiptar nuk ka se ç’bën tjetër. Jemi pjesë e Evropës. Atë që nuk e gjen në vendin tënd, duhet ta kërkojmë në Evropë, dhe duhet të kemi durim parvarësisht se ajo na ka vënë në listë pritjeje. Por fajin nuk na e ka Evropa. As bota, që na torturon një jetë të tërë nëpër zyra dhe procedura emigracioni, e ku duhet që t’ia nisim çdo gjëje nga e para. Po kush, atëherë?
Në Shqipëri mjaft pyetje mbeten pa përgjigje. Dhe sa duket kështu do të vazhdojë të ndodhë gjatë, për një kohë të papërcaktuar. Njeriu shqiptar hedh sytë përreth dhe e sheh veten në mes të udhës pa sens drejtimi dhe udhërrëfyes. Të kthehet pas, në ditën që shkuan, edhe nëse ka dëshirë nuk mundet, por edhe të shoh shumë ëndërra, sikur nuk shkon.
KLITON NESTURI