Home KRYESORE Ministritë dhe loja me cingla! Abuzimi i Bashkisë Korçë me Shtëpinë e...

Ministritë dhe loja me cingla! Abuzimi i Bashkisë Korçë me Shtëpinë e Oficerave

Nga Dr. Sorina Koti*

Ministritë po bëjnë rrokadë me Shtëpinë e Oficerave Korçë, apo thënë ndryshe, sipas një fraziologjie më të afërt për korçarët: Ministritë po luajnë me cingla me pronat publike në Korçë. Një lojë me cingla, që kanë epiqendër Bashkinë Korçë dhe interesa politike, ndoshta dhe private, ende të pa zbardhura, që nuk dihet se ku do i dalë tymi. Një rreth vicioz, që jo vetëm mbyllet gjithnjë atje ku u nis, por edhe më keq, çdo herë zbret në nivel më poshtë.

Ajo që njihet në Korçë si “Shtëpia e Oficerëve”, dikur pronë private e qytetarëve korçarë, të cilët nuk e fituan dot betejën me shtetin edhe pas viteve ’90, për shkak të arsyetimit ligjor se prona ishte shtetëzuar, por edhe ishte zhvilluar nga shteti gjatë diktaturës, mbeti në demokraci në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, pra pronë publike me interes të lartë publik. Për shkak të nevojave të Universitetit të Korçës, për më shumë hapësira mësimore, Ministria e Mbrojtjes e kaloi në vitin 2012, me një vendim Qeverie, godinën e Shtëpisë së Oficerave në pronësi të Ministrisë së Arsimit, për t’u përdorur nga Universiteti i Korçës. Ky universitet kreu edhe disa investime dhe e transformoi godinën në një mjedis të përshtatshëm për mësim-dhënie.

Me ardhjen në pushtet të Rilindjes socialiste, Universiteti i Korçës e humbi të drejtën e përdorimit të godinës, pasi me një tjetër vendim Qeverie, në vitin 2015, Ministria e Arsimit ia kaloi në pronësi këtë godinë Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Nën presionin e Qeverisë, më saktë – pushtetit, Bashkia Korçë manipuloi Këshillin Bashkiak dhe me votat vetëm të këshilltarëve të majtë kalojnë parimisht godinën e Shtëpisë së Oficerave nën varësi të Bashkisë Korçë. Një votim anti-ligjor, pasi kjo nuk ishte kompetencë e Këshillit Bashkiak, sepse thjesht nuk ishte prona e bashkisë, por e Ministrisë së radhës.

Qeveria e sotme, legjitimoi kalimin e godinës nga një Ministri tek tjetra, me pretekstin e fortë se Bashkia Korçë do ndërtonte një Qendër Rinore (aktualisht me një përdorim minimal dhe listë të kufizuar aktivitetesh) dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për zyrat e Agjensisë së Zhvillimit Rajonal. Kjo Agjensi e rëndësishme kombëtare u krijua për hartimin dhe zhvillimin e projekteve zhvillimore ndërsektoriale rajonale, të ndërthurrura me Strategjitë Kombëtare të Zhvillimit. Tituj të mëdhenj, pritshmëri të mëdha. Mirë projekte rinore dhe sociale jo, por ku janë gjithë ato plane të pretenduara zhvillimi, ekonomike bujqësore, infrastrukturore, marrëveshje ndërkufitare, që kërkonin kaq shumë hapësira zyrash dhe ambjentesh? Në fakt, kësaj Agjensie tepër të rëndësishme iu dha vetëm një zyrë në godinën e Qarkut Korçë.

Natyrshëm lind pyetja, pse gjithë kjo rrëmujë transferimi pronësie nga një Ministri në tjetrën, për asnjë përfitim konkret, pa asnjë produkt konkret? Të gjitha lëvizjet nuk e kanë justifikuar asnjëherë qëllimin. Qendra Rinore u hap me bujë, që të mbyllte gojën e gjithkujt, që mendonte se godina duhej t’i mbetej Universitetit. Korçarët arsimdashës ende sot, presin realizimin e premtimit për ndërtimin e një godine të re për universitetin.

Por loja me cingla nuk përfundon me kaq… Sot, godina e Shtëpisë së Oficerave po ndryshon përsëri pronar. Vendimi i fundit i Qeverisë, në Mars 2017, e ndryshon vendimin e vitit 2016, duke e kaluar Shtëpinë e Oficerave në pronarët e rinj, kësaj rradhe në varësi të Ministrisë së Brendshme. Nisi si pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, pastaj tek e Arsimit, dmth tek Universiteti i Korçës, që andej tek Ministria e Çështjeve Sociale dhe Rinisë, pastaj për Agjensinë e Zhvillimit Rajonal, ndërhyn pa asnjë të drejtë pronësie, si një intermexo Bashkia Korçë, pastaj Ministria e Brendshme dhe në fund, a ka fund… Asnjë shpjegim për këtë lojë cinglash. Asnjë arsyetim logjik për efektivitetin e përdorimit të një prone publike në zemër të Korçës. Logjika e vetme është logjika e pushtetit. Ata që mendojnë se e kanë në dorë Korçën vazhdojnë pa asnjë skrupull të luajnë me pronat e saj. Një thashethem, me dyshime shumë të arsyeshme, e shpjegon gjithë këtë rrëmujë. Thuhet se duan t’ia japin këtë godinë Partisë Socialiste, Dega Korçë për të demonstruar sundimin edhe mbi këtë qytet, edhe mbi këtë pjesë të Shqipërisë.

Pse iu mohua Universitetit si mjedis? Pse nuk u la as për qendrën rinore e sociale, që u trumbëtua si domosdo 2 vjet më parë? Pse sot i kalon në pronësi Ministrisë së Brendshme? Pse, projektohet si seli korçare për Partinë Socialiste? A vlen PS më shumë se Universiteti, se qendra rinore, apo qoftë dhe se Agjensia e Zhvillimit Rajonal?

Duket se për zv. Kryeministrin dhe klanin e tij më shumë se të ngushtë, kjo është një ëndërr.

Vite më parë, nga një pjesë e mbështetësve të Partisë Demokratike, ka pasur shumë presion, që ky ambient të përdorej për zyra partiake, PD dhe PS, por Qeveria e mëparshme u tregua shumë më e vetëpërmbajtur, duke e lënë godinën në funksion publik dhe në përdorim të Universitetit Korçë. Ajo qeveri, që u sulmua nga këta që janë sot në qeveri, nuk e cënoi qytetin. Këta, që qeverisin sot, duan të lënë shenjën e tyre. Duan më shumë simbolin e qeverisë dhe pushtetit të tyre, se sa qytetin dhe qytetarët, që ua dhanë pushetin.

Sot, nuk e dimë se çdo të ndodhë me godinën në qendër të qytetit. A do i dhurohet ajo PS-së? Urojmë të mos e gllabërojë arroganca e pushtetit, nga e cila ditë përditë shohim sesi humbet identiteti qytetar korçar… Uroj që unë të jem gabim. Por qytetit tim i them: ndaloji ata që nuk dine të ndalojnë vetë!

*Koordinatore, Partia Demokratike

Share: