Home KRYESORE Raporti i NATO-s: Ballkani “pre” e politikave Ruse

Raporti i NATO-s: Ballkani “pre” e politikave Ruse

“Ballkani Perëndimor është nën rrezikun e influencës ruse”, – Ky është konkluzioni i raportit të NATO-së, të diskutuar një ditë më parë në Asamblesë Parlamentare të Aleancës për Atlantikun e veriut.

Në këtë dokument 21 faqesh të siguruar nga Vizion Plus, me titull “Tranzicioni ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor”, me raporter, britanikun Richard Benyon, theksohet se Rusia vazhdimisht përpiqet që të ndërhyjë në punët e brendshme të këtyre shteteve.

Vendet e Ballkanit perëndimor nuk janë imune nga sfidat e dezinformimit dhe fushatave destabilizuese nga politika e jashtme dhe ushtarake Ruse. Rusia ofron shumë pak për rajonin e Ballkanit Perëndimor në temat ekonomik por dhe stabilitetin rajonal. Synimi i Moskës është që të shfrytëzojë pikat e dobëta të Perëndimit në këtë rajon dhe shtrijë influencën e saj në këto hapësira boshe. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë ekonomikisht dhe politikisht vulnerabël. Sikurse Dimitar Bechev, kreu i Institutit për Politikat Evropiane ka deklaruar: “Rusia e sheh Ballkanin si hallkën e dobët të Perëndimit dhe po përdor gjithë forcën e saj për ta shfrytëzuar këtë moment. Rusia ka mbështetur të gjitha qëndrimet radikale të Serbisë në raport me Kosovën, ka tentuar të mbështes partitë të vogla radikale gjatë zgjedhjeve Maqedonase dhe ka të dhëna se Rusia ka mbështetur personat e përfshirë në komplotin për vrasjen e kryeministrit në Mal të Zi, që dështoi në tetor të vitit 2016.

Dokumenti i shqyrtuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, bën me dije se Ballkani gjithashtu është nën rrezikun e celulave terroriste që po kërkojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në këtë territor.

Autoritarizmi nuk është një formulë suksesi për vendet e Ballkanit. Ka shqetësime për importimin e interpretimeve radikale të islamit në rajon. Ka të dhëna se organizata dhe fonde të caktuara Vehabiste dhe Salafiste që nuk reflektojnë dhe përputhen me traditat lokale islamike po përpiqen të shtrihen në këtë rajon. Ata janë me pak tolerante në interpretimet fetare dhe besimeve të tjera. Ka gjithashtu akuza se grupe terroriste të Al-Quaedas dhe Al Nusras kanë rekrutuar luftëtar në Ballkan.

Gjatë diskutimit të një dite më parë, ku u shqyrtua në mënyrë të hollësishme dokumenti i reporterit britanik, NATO i bën thirrje BE-së dhe SHBA-së të bëjë më shumë përpjekje dhe të zgjerojë angazhimin e tij në rajonin e Ballkanit. /Vizion Plus/

Share: