Nga Adri Nurellari, Botuar per here te pare tek revista Shenja
Autostrada e Kombit dhe rruga Ibrahim Rugova kanë qenë dy projektet infrastrukturore më të mëdha dhe të përfolura në trojet shqiptare dhe fatkeqësisht akuzat për korrupsion e kanë eklipsuar ose njollosur përfitimin patriotik që është siguruar prej tyre dhe dobinë shpirtërore dhe gjeostrategjike e cila nuk mund t’i nënshtrohet përllogaritjeve të rëndomta ekonometrie. Në përgjithësi ekziston një retorike negative madje mund të thuhet edhe nihiliste edhe kur vjen fjala për bashkëpunimin ekonomik mes Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës e cila pretendon se ky bashkëpunim është i ulët gjë që duhet të konsiderohet dështim nga të dy krahët. Mirëpo ky lloj mendimi mbizotërues nuk përputhet as me faktet në terren dhe as me rrethanat dhe kushtet reale aktuale.
Duhet theksuar se në vitet e fundit, fal investimeve që janë bërë në infrastrukturë dhe rritjes së bashkëpunimit institucional, tregtia është rritur ndjeshëm, së paku me 20% vetëm gjatë vitit të kaluar duke arritur një volum prej 200 milionë eurosh në vitin 2015. Kosova ka një kapacitet prodhues shumë të kufizuar mirëpo mes atyre pak mallrave që eksporton, duhet thënë se Shqipëria është destinacioni numër një i prodhimeve Made in Kosova me 13% të volumit të totalit të eksporteve. Nga ana tjetër Kosova është destinacioni numër dy i eksporteve të Shqipërisë me 7.6% të totalit gjë që do të thotë se ne jemi bërë partnerë tregtar shumë më të rëndësishëm për njëri tjetrin.
Kuptohet që në të kaluarën janë hasur pengesa të shkëmbimeve tregtare si pasojë e grupeve të ndryshme të interesit që kanë dashur të shmangin konkurrencën brenda të njëjtit sektor që vjen prej përtej kufirit siç ka pasur raste përplasjesh për patate, miell apo çimento. Mirëpo këto janë dytësore sepse arsyeja kryesore pse volumi tregtar është i ulët krahasuar me partnerë të tjerë tregtar prej nga marrim importe, ka të bëjë me situatën strukturore të ekonomisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Sa herë që bëhet analiza për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve të banuara nga shqiptarët duhet të jemi të sinqertë dhe ndershëm intelektualisht për faktin që të dy ekonomitë kanë deficit të thellë tregtar sepse e kanë sektorin e prodhimit të kufizuar e të pazhvilluar. Pra nuk është se nuk duan por nuk kanë se çfarë t’i shesin këto shtete njeri-tjetrit në kushtet kur prodhimi vendas nuk përmbush dot as nevojat bazike të brendshme. Madje edhe ato pak produkte të përfunduara që prodhojmë janë kryesisht të të njëjtës natyrë apo cilësie dhe kjo është një ndër arsyet pse grupet e interesit përpiqen të ndikojnë vendim-marrjen për të siguruar epërsi të pandershme në treg duke penguar produktet rivale. Kjo do të thotë se për aq sa e kemi kapacitetin prodhues në këto dy shtete tregtia është duke shkuar shumë mirë dhe volumi i shkëmbimeve mund të shtohet vetëm nëse ekonomitë tona industrializohen dhe shtojnë ndjeshëm prodhimin e brendshëm.
Një tjetër element që flet për impaktin e rrugës së kombit por që neglizhohet është qarkullimi i madh i njerëzve dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për drejtimin klasik nga Kosova drejt Shqipërisë perëndimore, por edhe anasjelltas. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i vizitorëve të Republikës së Shqipërisë dhe numri i tyre i qëndrimit në hotelet e Kosovës është rritur në mënyrë shumë domethënëse viteve të fundit. Në vitin 2015 ka pasur 17206 shtetas të Republikës së Shqipërisë (më shumë se 1/5 e totalit) që kanë kaluar 23 872 netë në hotele kosovare pothuaj dyfish më shumë se në vitin 2014 kur kanë qenë 9262 që kanë kaluar 12942 netë ndërsa në vitin ndërsa në vitin 2013 ishin vetëm 7778 vetë me 10515 netë qëndrim. Pra shtetasit e Republikës së Shqipërisë janë të parët për nga numri për sa i përket turistëve që vizitojnë Kosovën dhe këtu duhet patur parasysh që numri duhet të jetë akoma më i madh po të kihet parasysh niveli i informalitetit në sektorin e hotelerisë si dhe fakti që një pjesë e mirë vijnë e ikin brenda ditës.
Për rëndësinë që ka rruga në riparimin e padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve nuk flet vetëm tregtia dhe turizmi por pothuaj çdo sektor i shoqërisë prandaj modeli i kësaj rruge duhet replikuar e shumëfishuar jo vetëm në nivel makro por edhe mikro. Politikanët shqiptarë nuk duhet të kompleksohen nga ky model pasi rritja e qarkullimit ndërkufitar dhe ndërveprimit mes shteteve të ndryshme faktikisht jo vetëm që forcon lidhjen mes shqiptarëve që kanë ngelur të ndarë nga kufijtë shtetërore të ndryshëm por shton edhe lidhjen mes shteteve të rajonit dhe ul tensionet etnike. Kjo gjë shkon përshtat edhe me aspiratën e integrimit Euro-Atlantik dhe politikat e Bashkimit Evropian që integrimin rajonal, fqinjësinë e mirë dhe ndërlidhshmërinë në komunikim e transport mes vendeve të Ballkanit Perëndimor i ka prioritet.
Unë besoj se ndërtimi apo përmirësimi i vendkalimeve kufitare dhe rrugëve ndër-shtetërore jo vetëm që do të forcojë lidhjet mes shqiptarëve të sotshëm por me siguri ka për të ndikuar edhe tek shqiptarët e dikurshëm të asimiluar për t’u afruar e u rikthyer në identitetin kombëtar shqiptar. Këtu bëhet fjalë si për myslimanët e boshnjakëzuar apo torbeshizuar ashtu edhe shqiptarët ortodoksë të asimiluar në Maqedoni e Greqi. Kështu për shembull masivizimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë që shkojnë në Greqi për pushime në bregdetin e Jonit duke kaluar kufirin në pikën Qafë Botë – Sajadha po rikthen lidhjen me banorët atjeshëm. Shumë prej këtyre turistëve po raportojnë kur kthehen se çamët ortodoksë kanë filluar të ndihen gjithmonë e më të lirshëm për të folur haptazi shqip me klientët e shumtë të tyre të ardhur nga Shqipëria.
Autostrada e Shkupit që po ndërtohet në Kosovë dhe ajo Kërçovë Strugë pritet që të përfundojnë brenda dy viteve që vijnë ndërkohë që në Maqedoni në vitin e ardhshëm pritet nisja e punimeve të autostradës Gostivar Kërçovë që do t’i bënte trojet e banuara nga shqiptarët në Maqedoninë Perëndimore shumë mirë të lidhura me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë. Një tjetër lajm i mirë për lidhjen dhe komunikimin mes shqiptarëve e që pritet të materializohet së shpejti është rruga që do kaloj në vendkalimin Bellanoc-Stançiç që do të sigurojë një lidhje të shkurtër mes banorëve të Gjilanit me ata të Likovës dhe Kumanovës duke iu kursyer së paku 60 kilometra rrugë për të kaluar nga Hani i Elezit. Po ashtu vlen për tu përmendur me gëzim fakti që së shpejti pritet hapja e pikës kufitare në Kapi afër fshatit Svircë e cila do të mundësojë një lidhje të shkurtër mes Kamenicës e Medvegjës duke iu shkurtuar banorëve përafërsisht 80 kilometra rrugë.
Fatkeqësisht një ndër projektet më të rëndësishme në dimensionin ekonomik por edhe patriotik është rruga e përfolur e Arbrit e cila është në ndërtim e sipër por po ecën me një rritëm shumë ngadalë. Kjo rrugë do ta lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra ose për një orë udhëtim me makinë ndërkohë që sot distanca me makinë është 172km dhe duhen më shumë se tre orë. Kjo rrugë kur të realizohet do të shndërrohet në boshtin kryesor i komunikimit dhe transportit për të lidhur Tiranën me Shkupin, Tetovën e Gostivarin duke e nxjerrë zonën e prapambetur dhe të braktisur të Dibrës njëherë e mirë nga izolimi.
Për sa i përket rrugëve që përshkojnë kufijtë shtetërorë për të lidhur shqiptarët një projekt i mirëpritur është afrimi i përfundimit të rrugës së bjeshkëve për të cilën kam pasur fatin që të shoh frytet e një lobimi intensiv ndër-shtetëror disa vjeçar ku kam qenë edhe vetë i përfshirë. Konkretisht bëhet fjalë për rrugën Shkodër Vermosh e cila parashikohet të përfundoj në fund të këtij viti dhe e bën distancën me Gucinë 103 kilometra ndërkohë që po të udhëtohej nga Podgorica e Hani i Hotit duhej të përshkruheshin 207 kilometra pra dyfishi. Vlen të theksohet që kjo rrugë tashmë e ka mbërritur Tamarën dhe në muajin shtator është parashikuar që të hapet pika kufitare e re Grabom – Cem i Trieshit qe do e lidhi këtë zone me Dinoshën e mandej Podgoricën duke e bërë distancën Podgoricë-Guci vetëm 75 km nga 147 km që është sot. Në këtë mënyrë kjo rrugë ka për të shërbyer si alternativë e preferuar për banorët e Plavës dhe Gucisë por edhe mbarë Sanxhakut për t’u lidhur më shpejtë me Podgoricën. Përfundimi i rrugës Deçan Plavë e cila ka nisur tashmë dy vite më parë por që po ecën shumë ngadalë, do ta afronte shumë Plavën e Gucinë edhe me Kosovën si dhe do të krijonte një korridor të ri nëpër Bjeshkët e Nemuna që jo vetëm do të frenonte e mbase kthente pas asimilimin e shqiptarëve atje por njëherazi do të ndihmonte në zhvillimin e ekonomisë, në nxitjen e turizmit, bujqësisë e blegtorisë në atë zonë duke minimizuar papunësinë dhe frenuar emigracionin e jashtëzakonshëm të deritanishëm.
Mirëpo ekziston edhe një tjetër rrugë ndërshtetërore potenciale që mund të nxjerrë nga izolimi krahinën e Plavës dhe Gucisë dhe të shndërrohet së shpejti në një nyje të rëndësishme ndër-shqiptare nëpër alpe. Edhe pse kanë kaluar pesë vite nga nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e pikës kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në Qafë të Vranicës, asgjë nuk është materializuar ende. Mjafton të bëhet një përmirësim i vogël dhe shtrohen me asfalt 18 kilometrat e rrugës së bardhë ekzistuese Dragobi-Çerem-Qafë Vranicë për ta bërë brenda një kohë shkurtër këtë një rrugë funksionale ndërshtetërore mes Plavës dhe Tropojës. Kjo rrugë do ishte impakt të jashtëzakonshëm ekonomik, do i jepte një shtytje të mirë turizmit malor të Bjeshkëve të Nemuna e mund të bëhej një bosht i rëndësishëm rajonal i transportit. Kështu për shembull aktualisht për të shkuar nga Plava në Gjakovë nga Rozhaja duhen 153 kilometra ose rreth tre ore me makinë ndërsa duke ndjekur korridorin e ri Plavë –Jasenicë- Hot i Kujit- Qafë Vranicë-Çerem- Dragobi-Bajram Curr-Gjakovë bëhet vetëm 86 kilometra të cilat mund të përshkohen me gjysmën e kohës ekzistuese, pra një orë e gjysmë.
Një tjetër rrugë ndër-shtetërore që ka potencial të lartë për zhvillimin e trojeve shqiptare në Malin e Zi është rruga Zogaj-Skje që do të çlironte potencialin turistik të gjithë bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës dhe nxirrte nga izolimi krahinën e lënë pas dore të Krajës në Malin e Zi. Kjo rrugë dhe kjo pikë kufitare mund të ishte lehtësisht e ndërtueshme pasi rruga ekzistuese e asfaltuar Shkodër-Shirokë-Zogaj është vetëm dy kilometra larg rrugës së asfaltuar të Skjesë në territorin e Malit të Zi. Projekti tjetër i cili më të vërtetë ka për të pasur një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimi përveçse integrimi mbarëkombëtar është lidhja nëpërmjet Bunës. Bregu i Bunës afër kishës së Shën Kollit në Shtoj të Ulqinit mund të shërbejë si pikë kufitare e re mes shqiptarëve meqenëse edhe lumi këtu është më i ngushtë e lehtësisht i kalueshëm. Si fillim brenda një kohë të shkurtër kalimi mund të bëhet me ndonjë trap-traget si ai i Butrintit e mandej kur të gjenden fondet mund të ndërtohet një urë për te kaluar kufirin lumor ndërshtetëror e për të dalë në Pulaj të Republikës së Shqipërisë prej nga mund të vazhdohet për në Velipojë e Shkodër. Ky rrugëkalim do ta afronte Ulqinin me Tiranën dhe Prishtinën me 20 kilometra dhe do të integronte ofertë turistike bregdetare të Adriatikut. Me këtë version rruga do te kalonte në një terren më të përshtatshëm fushor të Shtojit dhe Torovicës e më pak te banuar se Ana e Malit ( zonë kodrinore me shumë kthesa e vendbanime) ku shkon tani duke bere te mundur që të përshkohet shume më shpejtë duke kursyer se paku 40 minuta me makinë.
Në vitet e fundit është përmendur shpesh ideja e një rruge Tetovë-Prizren e cila do të përgjysmonte distancën aktuale dhe për të cilën janë përmendur disa alternativa itineraresh, një prej të cilave nga Zaplluzha e krahinës së Opojës. Mirëpo problemi i kësaj rruge është kostoja e lartë pasi terreni është malor si dhe fakti që autostrada Prishtinë-Shkup që po ndërtohet do e shkurtonte kohën e udhëtimit nga Prizreni në Tetovë duke e zvogëluar edhe më tutje leverdinë e ndërtimit të një rruge nga e para në një trase krejt të re. Mirëpo ekziston një rrugë e re tjetër që do të kishte shumë leverdi jo vetëm turistike por edhe patriotike dhe që do të lidhte Prizrenin e Dragashin me zonën e Rekës dhe Dibrës në Maqedoni. Vendkalimi i ri kufitar mund të vendosej në Restelicë për të dalë në shtetin tjetër në Strezimir e për të zbritur përgjatë luginës së Radikës. Në këtë mënyrë mund të bashkohej kjo rrugë me rrugën e Arbrit në Dibër duke krijuar një unazë të mirëfilltë ndër-shqiptare. Një projekt i tillë do të integronte ofertën turistike malore të parkut të Sharrit me atë të Mavrovës dhe malin e Korabit duke sjellë zhvillim, duke i afruar më shumë me trungun tonë etnik shqiptarët e asimiluar ortodoksë të Rekës së Epërme si dhe duke frenuar emigracionin masiv që ka prekur dibranët.
Kuptohet që rrugët dhe hapja e vendkalimeve kufitare janë vetëm një formë komunikacioni e transporti që forcon integrimin mes shqiptarëve, por ato duhen shtuar edhe me forma të tjera. Është për të ardhur keq që nuk ka lidhje të drejtpërdrejta ajrore mes Tiranës dhe Shkupit e Prishtinës ndërkohë që kjo lidhje ka ekzistuar më parë mirëpo vënia në punë e aeroporteve dytësorë për linja me kosto të ulët si ai i Gjakovës e Kukësit mund të shtonte qarkullimin e pasagjerëve ndërmjet shteteve. Po ashtu përshpejtimi i ndërtimit të hekurudhës 63 kilometërshe Kërçovë- Strugë- Lin i Pogradecit në Shqipëri do të integronte sistemin hekurudhor të Republikës së Shqipërisë jo vetëm me atë të Maqedonisë por edhe me të Kosovës. Prandaj është shumë e rëndësishme që elitat politika shqiptare kudo që të jenë në shtetet e ndryshme të mendojnë që përtej politikës ditore e përplasjeve rutinë, të angazhohen seriozisht që kufijtë ndër-shtetërorë të shpohen e përshkohen sa më shume që të jetë e mundur, në pritje të asaj dite ku i gjithë rajoni të jetë pjesë e Bashkimi Evropian dhe kufijtë shtetëror të shndërrohen në formalitet.