Home KRYESORE Siguria në Kosovës: Plane për sulm ndaj liderëve institucionalë e politikë në...

Siguria në Kosovës: Plane për sulm ndaj liderëve institucionalë e politikë në vend

Një ditë pasi kryeministri Isa Mustafa njoftoi se mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës, kryeministria ka informuar se institucionet janë alarmuar pasi kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të caktuara të lidhura me grupe nga vende tjera jashtë Kosovës, të cilat kanë planifikuar akte kundër disa liderëve institucioneve dhe politikë. Derisa Drejtoria qendrore e Policisë së Kosovës ka urdhëruar pjesëtarët e saj të ruajnë 24 orë në ditë objektet e Kishave katolike dhe atyre ortodokse në vend, gjatë festimeve të Pashkëve, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, të premten ka ndryshuar komplet alarmet për sulme të mundshme terroriste me karakter fetar.

Sipas një njoftimi për media Këshilli për Siguri thotë se institucionet e Kosovës kanë zbuluar veprime të disa grupeve brenda Kosovës, të lidhura me të tilla jashtë vendit, kanë pasur synim të kryen akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës. “Pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, Këshilli për Siguri i Kosovës informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues. Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës”, thotë njoftimi.

“Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës”, thekson njoftimi i nisur nga Zyra për Informim e Kryeministrit. Njoftimi thotë se “Institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale”.

Këshilli për Siguri i Kosovës, në njoftim, konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile.
“Organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë”, përfundon njoftimi. Ndryshe, pjesëtarët e Policisë së rajonit të Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit, janë urdhëruar nga drejtoria qendrore e PK’së, t’i mbulojnë me Policë të gjitha rrugët kryesore që çojnë në drejtim të Maqedonisë dhe të kontrollohen të gjitha veturat dhe njerëzit në to, duke u mbajtur shënime dhe më pas ato tu përcjellën njësive të inteligjencave rajonale.

Përveç rrugëve kryesore, urdhri për veprime urgjente, obligon këta pjesëtarë obligohen të sigurojnë edhe të gjitha rrugët sekondare që çojnë po ashtu për në territorin maqedonas, e posaçërisht ato që qojnë në kishat më të afërta. I njëjti urdhër thotë se kufijtë duhet vëzhguar me dronë. /Express

Share: