Home KRYESORE Skenarët për ndryshimin e qeverisë dhe shtyrjen e zgjedhjeve

Skenarët për ndryshimin e qeverisë dhe shtyrjen e zgjedhjeve

Të paktën për 22 orë u krijuar përshtypja se projekti i kreut demokrat u shpartallua. Por ka mjaftuar një deklaratë për media e kreut të parlamentit Ilir Meta për të ringjallur shpresat e PD-së dhe për të kthyer situatën në pikën zero, duke i dhënë shpresë kauzës për krijimin e një qeveri teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo ka hapur sërish diskutimin nëse mund të shtyhen zgjedhjet ose jo.

“Shtyrja e datës së zgjedhjeve është plotësisht e mundshme”. Kështu arsyeton ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume në një intervistë për “Shekullin”, i cili thotë se hapësirat në Ligjin Zgjedhor lejojnë që data e zgjedhjeve sipas parashikimeve aktuale të shtyhen vetëm me një javë, por nuk është e pamundur.

Sipas Kumes kjo mund të bëhet përmes një ndërhyrjeje në Kodin Zgjedhor. Opsioni tjetër është të ndryshohet Kushtetuta e Republikës. Nëse palët mund të bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve duke ndryshuar Kodin Zgjedhor, ish-kryetari i KQZ thotë se ato mund të mbahen në fund të korrikut ose në një datë të mëvonshme në shtator.

“Nëse synojmë të evitojmë precipitimin e situatës duhet urgjentisht që palët të ulen në tavolinë. Është e domosdoshme ulja në tavolinë nëse kërkojnë që ta zgjidhin ngërçin duke ndërhyrë në kodin zgjedhor, kjo duhet bërë një orë e më parë”, thotë Kume. Ndërkohë, qëndrimet e Ramës se PSja mund të futet e vetme në zgjedhje, Kume i konsideron si të papranueshme dhe larg një vizioni që e çon Shqipërinë përpara drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Share: