Home KRYESORE Tamburashet e vonuar!

Tamburashet e vonuar!

Nga Ilir Demalia

Lexova disa herë duke qenë i përqëndruar në maksimum dëshminë e Fatos Lubonjës të botuar në disa gazeta por nuk konstatova ndonjë denoncim në adresë të shkrimtarit Ismail Kadare. Klasifikimi si “denoncim” i pohimit sipas të cilit “Todi Lubonja vlerësonte si shkrimtar të mirë Kadarenë ndërsa të tjerët ishin skematikë…” është i papërtypshëm për çdo njeri i cili posedon një logjikë normale, kur dihej që dhe vetë E. Hoxha e kishte shkrimtar të preferuar. Nga ana tjetër, Henri Çili duke u përpjekur të evidentojë faktin se “Fatos Lubonja nuk ishte treguar me karakter për deri sa me dëshminë e tij rendoi të atin e tij, Todi Lubonja”, vetëm sa kompromentoi qëllimin kryesor për të cilin ishte nisur; të argumentonte se Fatos Lubonja me dëshminë e ti kishte bërë një denoncim kundër I. Kadaresë.

Vetë mënyra si e kishtë ndërtuar Çili aksionin e tij, duke u marrë me personin e Lubonjës ishte krejtësisht e gabuar. Në këtë aspekt Çili dukej si një prokuror a hetues i kohës së komunizmit, që i paaftë të mbrojë një akuzë kundër dikujt merret me gjëra dytësore vetëm për të denigruar atë që ka përballë. Me logjikën e Çilit kushdo që nuk mendon si ai për një çështje apo person të caktuar na qenka “prokuror”, se nuk ka të drejtë të shfaqë mendimin e opinionin e tij në publik për shkak, gjithnjë sipas Çilit, “të moralit të ulët, i evidentuar ky moral me dëshminë në dëm të babait të tij.

Për mendimin tim, lidhur me Kadarenë, Lubonja gjithmonë ka shfaqur mendimin e tij personal nga pozitat e një qytetari të zakonshëm, në kuadër të hapsirës së rezervuar nga një sistem demokratik. Në rastin e këtij debati nuk ka pse diskutohet se kush ka qenë dhe ç’ka bërë Fatos Lubonja, por se a ka qenë disident, i persekutuar, denoncuar e survejuar shkrimtari i njohur i kohës së diktaturës. Përsa i përket kësaj në vend që Çili të shpenzonte energjitë e tij për të denigruar Lubonjën do të kishte qenë më frytdhënëse nëse do t’i argumentonte publikut se si ishte e mundur që një person objekt shumëvjecar i makinerisë së përbindshme të Sigurimit, i “denoncimeve” shumëdrejtimshme, survejimeve me urdhër “nga lart” etj, nuk i hyri gjemb në këmbë, kush ishte vallë “engjëlli mbrojtës i tij”.

Madje, jo vetëm kaq, po kronologjikisht pas çdo fushate “denoncimesh” pushteti e promovonte në poste të larta nga deputet, nënkryetar I Frontit Demokratik etj. Të jesh “i rrezikuar”, si pasojë e “denoncimeve” dhe shteti I diktaturës të interesohej duke paguar dhe përkthyesit më të mirë për të përkthyer librat e tu në gjuhë të huaja, të shkosh jashtë shtetit si askush tjetër nga pjesa tjetër e artistëve të realizmit socialist, të internohet një familje vetën se djali i kësaj familjeje i “kishte rënë më qafë” vajzës tënde etj, janë dy gjendje të cilat e përjashtojnë kategorikisht njëra tjetrën.

Do të kishte qenë mirë që Çili, Kaloçi, kryehetuesi Lame etj, ashtu siç kanë mbledhur “denoncimet’ kundër Kadaresë, t’i kishin shoqëruar këto dhe me listën e masave ndëshkimore e vërejtjeve për shkrimtarin. Nuk flas për arrestim, apo përjashtim nga partia, por të paktën për ndonjë vërejtje në mbledhjet e organizatës bazë, sic veprohej në atë kohë. Këtë nuk e kam vetëm për Henri Çilin po për të gjithë ata, të cilët i bien tambureve të “persekutimit” të Kadaresë nga diktatura.

“Denoncimet” e renditura në librin e Kaloçit nuk kanë asgjë të përbashkët me denoncimet e mirëfillta pas të cilave fillonte procesi hetimor, grumbullimi i dëshmitarëve për të “provuar” krimin, që në rastin e Kadaresë ishte “shkelje e vijës së partisë”. “101 a 100 denoncimet” e famshme kryesisht janë kritika e vërejtje të bëra në Lidhjen e Shkrimtarëve, por dhe ne ndonje forum tjetër, ku një pjesë e mirë janë dhe qëllim këqija nga ana e disa kolegëve të tij xhelozë për statusin që gëzonte shkrimtari në atë kohë. Nuk kanë munguar dhe rastet kur disa kanë menduar se Kadare do të hantpësonte “goditjen fatale” dhe janë kujdesur që duke e kritikuar atë t’i japin një “coup de grace” dhe të konsolidonin pozitat e tyre, por që për çudinë e tyre asgjë nuk ka ndodhur dhe shkrimtari vazhdonte të ishte mysafir i rregullt në familjen e diktatorit dhe të kryeministrit deri në momentin e vetëvrasjes së këtij.

Ish-kryehetuesi, Lame, pretendon se në vitin 1981-82, nga Enver Hoxha ishte urdhëruar të hapej një dosje për Kadarenë duke e inkorporuar paradoksalisht me grupin e hierarkëve të lartë të Sigurimit që kaluan në gijotinë pas vetëvrasjes së M. Shehut. Dhe për vetë opinion publik shqiptar që duke lexuar veprat e Kadaresë ishte njohur me “alergjinë” e shkrimtarit për njerzit e sigurimit, do të dukej qartë si një farsë e kurdisur. Por, ashtu si në rastet e tjerë, ish-kryehetuesi nuk sqaron se cilat qenë shkaqet që ideja e E. Hoxhës nuk gjeti zbatim. Cili vallë ka qenë ai “burrë” që paska guxuar të zhvlerësojë një direktivë të Hoxhës? Duket se kryehetuesi, nuk e paska njohur mirë diktatorin.

Enver Hoxha, kur kishte ndërmend diçka nuk “fliste në erë”, po kur e nxirrte fjalën nga goja çdo gjë konsiderohej e përfunduar; pra dhe për Kadarenë, nëse do të ksihte planikuar ta dërgonte “tek të shumtët” nuk kishte më kthim pas. Edhe Çili edhe kryehetuesi e kompani, të angazhuar në fushatën për disidencën e Kadaresë nxjerrin në dritë dhe arsyen e vërtetë të angazhimit të tyre në këtë fushatë. Gjithçka ka të bëjë me çmimin “Nobel”, të cilin sipas tyre dhe disa të tjerëve i a kanë mohuar për shkak të “letrave anonime” kundër shkrimtarit si shërbëtor i diktaturës, a thua se “letrat nga populli” janë kriter kryesor në akordimin e këtij çmimi. “Nobelin” e ka marrë dhe Mihail Shollohov duke qenë dhe antar i KQ të PKBS, e mori vitet e fundit dhe një kinez duke mos qenë disident.

Disidenca, në fakt, ka qenë një faktor, i cili ka ndikuar në dhënien e këtij çmimi deri në rënien e perdes së hekurt. Tashmë ky faktor e ka humbur efektin e dikurshëm. Shkrimtari shqiptar, ikonë e realizmit socialist duhet mbështetur në forma të tjera për të bërë realitet pretendimin e tij për këtë çmim të munguar.

Përpjekjet e tamburashëve të tipit Çili për ta praqitur si disident, kundërshtar të regjimit vetëm sa revoltojnë ata që kanë provuar mbi shpinën e tyre persekutimin çnjerëzor nga diktatura komuniste.

Share: