Një ditë pas vrasjes së 58-vjeçarit, Agim Arapi në Durrës është publikuar video ku duken autorët e dyshuar të ngjarjes teksa futen në ambjentet e marketit që viktima kishte. Video e publikuar nga faqja “Jeta Osh Qef”, tregon momentin kur fillimisht duket një makinë tip Porsche nën drejtimin e njërit prej vëllezërve Ekonomi e cila kalon para dyqanit të Agimit dhe parkohet pak më poshtë.
Më pas duket se si hyjnë brenda Kostandin Ekonomi, Kujtim Ekonomi dhe Jurgen Kurti.
Video ka koment nga familjarët dhe dinamika e ngjarjes është mjaft e kuptueshme. Pasi hyjnë të tre brenda fillojnë të masakrojne Agim Arapin.
Sipas Policisë së Durrësit, Agim Arapi është goditur për vdekje me mjete të forta nga dy vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi, si dhe dhëndri i tyre, Jurgen Kurti.
Mësohet se shkak për konfliktin është bërë qiraja e papaguar e muajit mars.
Sipas Policisë, vëllezërit Ekonomi kishin rënë dakord që nëpërmjet dyqanit të Agim Arapit të kalonin tubat e ajrimit të picerisë që ata kishin hapur pak më shumë se një muaj më parë bashkë me dhëndrin e tyre.
Ata kishin bërë një marrëveshje, e cila konsistonte që vëllezërit Ekonomi do t’i paguanin 13 mijë lekë në muaj Agim Arapit për tubat e ajrimit që kalonin nëpërmjet dyqanit të tij ushqimor, që ndodhet në të njëjtën godinë.
Mbrëmjen e djeshme, bashkëshortja e viktimës, Shpresa, u ka kërkuar pagesën e muajit mars, të cilën ata nuk e kishin kryer. Në këto momente, vëllezërit dhe dhëndri i tyre nisin të debatojnë me çiftin Arapi, ndërsa më pas konflikti ka degjeneruar në dhunë e përdorimin e mjeteve të forta.