Home KRYESORE A duhet të hyjë PD në zgjedhje? Nga Fatos Lubonja

A duhet të hyjë PD në zgjedhje? Nga Fatos Lubonja

Retorikat e përdorura gjatë kësaj krize politike, që ka koinciduar me fushatën elektorale, të kujtojnë thënien e Paul Valerisë: “Çdo gjë që është e thjeshtë, është false dhe çdo gjë që nuk është e tillë është e papërdorshme”. Sepse, ndërkohë që kriza që ka shkaktuar krizën është kaq komplekse dhe gjetja e zgjidhjes aq e vështirë, si përgjigje ndaj saj kemi thjeshtëzime “të përdorshme”,– si ato reklamat e shitjes së dyshekëve (më të përhapurat në televizionet tona): “me ne do flini gjumë rehat”.

Thjeshtëzimi më “fals” dhe më “i përdorshëm” në këtë realitetin tonë të sëmurë rëndë nga perversiteti i politikanëve për të cilët nuk ka të tjerë përveç atyre që u shërbejnë, është ndarja e shoqërisë në të mirë e të këqij, miq dhe armiq dhe ngritja e urrejtjes midis dy kampeve. Kulmin ky thjeshtëzim e arriti së fundi kur Rama u tha shqiptarëve se pa opozitën do të flenë më rehat, më pa zhurmë sherresh. Sigurisht ky nuk e di se ai që citohet më së shumti se ka shkruar për kotësinë e sherreve në parlament me opozitën ka qenë Hitleri.

Por edhe PD-ja nuk qëndron larg në këtë lojë thjeshtëzimi. Brenda dy- tre muajsh nga protesta e drejtë dhe e rëndësishme për një qeveri teknike, që do të siguronte zgjedhje të pamanipuluara, ka kaluar në qark të shkurtër në premtimin “republika e re”, në të cilën shqiptarët do të jetojnë si në “më të mirën e botëve”. Por se si e qysh e tek do të kalojmë nga zgjedhjet me qeveri teknike në një republikë të re askush nuk kërkon të na artikulojë diçka bindëse.

Një nga temat që kërkon reflektim të thellë, por që po trajtohet me parimin e gjërave të thjeshta, por false, është edhe ajo nëse duhet të hyjë PD në këto zgjedhje apo nuk duhet të hyjë. Personalisht këtë çështje e shoh me anë të kundërta, të cilat duhen peshuar mirë. Për të shtjelluar këto anë të kundërta po i referohem fillimisht thirrjeve të mazhorancës dhe të ndërkombëtarëve që ajo të hyjë edhe në kushtet e mospranimit të kërkesave të saj.

Gjykoj se halli i vetëm i Ramës, tashmë edhe Metës, është se një opozitë që nuk hyn në zgjedhje heq fasadën e demokracisë prapa të cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe krimit që ata kanë ndërtuar. Edhe ndërkombëtarët këtë fasadë duan të ruajnë, sepse rënia e saj është edhe tregues i dështimit të tyre, i faktit se kanë shpenzuar miliona e miliona për të ndihmuar konsolidimin e një kaste kriminale në Shqipëri, me të cilën, do s’do, janë bërë partnerë. Në këtë kuptim moshyrja në zgjedhje e opozitës duket jo vetëm diçka logjike, por edhe një akt i rëndësishëm denoncimi. “Fasada” është si një kostum i bukur elegant që vesh një kriminel për të hyrë në sallonet evropiane, që duhet grisur për ta nxjerrë atë lakuriq sepse, edhe pse po vesh kostume gjithnjë e më elegante, krimineli po bëhet dita ditës më i rrezikshëm.

Por megjithatë problemi nuk mbaron këtu. Puna është se ajo që e quajta “fasada”, dmth. ekzistenca, e një kushtetute demokratike dhe e shumë ligjeve, ndikojnë sadokudo në mënyrën e sjelljes së kriminelit. Me fjalë të tjera çështja mund të ngrihet: mos vallë ky kuadër kushtetues që kemi zgjedhur, që i siguron opozitës disa garancira, mund të humbasë nesër e vendi mund të shkasë edhe më keq në autoritarizëm? Apo, përkundrazi, duke dalë nga ky kuadër/ fasadë, opozitarizmi i PD mund të bëhet edhe më i fortë për shkak se do të fitojë mbështetjen popullore që e ka pas humbur meqë deri dje ka qenë edhe ajo pjesë e kësaj fasade?

Nuk më duket e lehtë t’i japësh përgjigje kësaj dileme. Më një anë moshyrja në zgjedhje i rrit PD-së mundësinë për të krijuar besueshmëri në popull për t’u shndërruar në një lëvizje mbarëpopullore, më anë tjetër mund të rrezikojë edhe më tej ekzistencën e opozitës në këtë vend. Zgjedhja në këtë dilemë mendoj se është e lidhur shumë me qëllimet e vërteta të Lulzim Bashës me shokë. Janë ata që e dinë më mirë se të tjerët cilat janë synimet e tyre të vërteta, por edhe se cila është mbështetja që gëzojnë dhe pengesat që kanë. Janë ata që i dinë më mirë se të tjerët përgjigjet që u japin vetmevete disa pyetjeve të rëndësishme që ngrenë njerëzit e shqetësuar për fatet e këtij vendi: a ka vërtet në PD një vizion të qartë për problematikën e madhe se ku na ka çuar kapja e politikës jo vetëm nga një oligarki që përdor mjete kriminale, por tashmë edhe nga vetë krimi i organizuar dhe sa ndjehet vërtet përgjegjës lidershipi i PD-së për kontributin që ka dhënë për krijimin e kësaj situate? Sepse PD-ja deri më sot ka qenë parti e “njerëzve me kollaro” që denoncoi një nga manifestueset e protestë së fundit. Pra, a ekziston vërtetë kjo ndjeshmëri dhe reflektim, siç duket se tregojnë herë pas here diskurset e Bashës në çadër kur flet për oligarkinë dhe mediet e kapura, a është e sinqertë ajo, apo po përdoret për mashtrim siç ka ndodhur deri më sot?

Dhe prapë problemi nuk mbaron këtu. Pyetja që ngrihet paskëtaj është: edhe nëse lidershipi i PD-së e ka këtë vizion, reflektim, madje dhe vullnet vetëtransformimi, a mundet objektivisht PD të shndërrohet në një lëvizje popullore pasi të mos hyjë në parlament? Dhe këtu të dalin përpara disa vështirësi jo të vogla.

Së pari, do të vija kulturën klienteliste, konsumiste, të pasurimit të shpejtë nëpërmjet krimit, të servilizmit dhe nënshtrimit që është përhapur në vend nga partitë ekzistuese. Ajo ta bën të vështirë mendimin se njerëzit mund të bashkohen në një lëvizje të madhe mbi ideale demokratike dhe të shtetit të së drejtës.

Së dyti, do të duhej një transformim i madh i PD-së, së pari nga ata që kanë bashkëpunuar deri dje me oligarkët e krimin, por edhe ideologjik, pasi do të duhej që të kthehej nga një parti e djathtë që nga pikëpamja e përfaqësimit përfaqëson shtresat më të pasura, në një parti që duhet të përfaqësojë interesat e pjesë më të brishtë të shoqërisë, sepse është ajo që sot ndjen peshën më të rëndë të këtij regjimi.

Dhe së fundi, edhe sikur të arriheshin këto dy të parat, mbetet një pikëpyetje tjetër: a do të mund të kishte jetë dhe të rritej një lëvizje e tillë në kushtet kur regjimi i instaluar kontrollon gjithnjë e më shumë jetën ekonomike, politike, kulturore, mediatike të vendit? Apo, mos vallë dalja e PD-së nga parlamenti do t’ia lehtësonte punën regjimit për asgjësimimn e opozitës çka do të thotë se PD-ja mund të jetë më efikase po të hyjë në parlament, por në këtë rast duhet ta harrojë lëvizje mbarëpopullore dhe republikën e re?

Nuk kam një përgjigje të prerë ndaj kësaj dileme dhe fakti që s’e kam mund të duket se po them diçka “të papërdorshme”. Besoj se nënteksti i këtij shkrimi duke u thjeshtëzuar dhe bërë “i përdorshëm” është: nëse e kanë me gjithë mend çka kanë thënë deri më sot tek çadra, ndoshta ia vlen më shumë të mos hyjnë në parlament sesa të hyjnë. Por ky shkrim është më shumë se kaq. Në të preferova më së shumti ta shtroj dilemën dhe jo t’i jap një përgjigje të thjeshtë me rrezikun që të jetë false. /panorama/

Share: