Home KRYESORE Andi Bushati për Muç Nanon dhe “ëngjëllin” Basha

Andi Bushati për Muç Nanon dhe “ëngjëllin” Basha

Nga Andi Bushati

Lexova sot një shkrim të Muç Nanos, për konfliktin Rama – Basha dhe për rolin e ekzagjeruar që më jepte mua dhe disa zërave të tjerë publikë, që sipas tij i hidhnin benxinë kësaj flake. I pashë me kujdes disa shtrembërime apo interpretime abuzive të qëndrimeve që kam mbajtur. I këqyra me vëmendje vërejtjet e tij se qenkam bërë i pakuptueshëm dhe se jetuakam në një realitet politik të shpikur. I nënvizova me durim konstatimet se në këtë betejë ku ndeshen “dhjaksi” dhe “djalli”, pra Rama në  njërën anë, me “trimin” dhe “ëngjëllin”, Basha në anën tjetër, unë sipas Muçit paskërkam zgjedhur këtë të dytin (lexo poshte).

Dhe sado absurde, të reduktuara sipërfaqësisht, të thjeshtëzuara deri në deformim dashakeq të më duken këto teza, vendosa t’i përgjigjem kolegut tim për një arsye të thjeshtë. Pasi pavarësisht të gjithave, pavarësisht se shumë herë nuk kemi rënë dakord, e di që në fund të fundit, Muçi thotë mendimin e tij. Po të ishte ndryshe, po të qe si në rastin e botuesit te gazetës ku shkruan, i cili idetë i ka lënë peng të interesave, as nuk do të denjoja t’i përgjigjesha, siç edhe kam bërë realisht. Po në këtë rast është ndryshe. Prandaj po e vijoj këtë polemikë.

Po e nxis këtë debat edhe për një arsye tjetër, sepse fatkeqësisht e di që nuk janë të paktë ata që mendojnë njësoj si kolegu im Nano.

Le ta nisim nga e para, pra nga konkluzioni i Muçit se unë e shikuakërkam Bashën si të mirin dhe Ramën si të keqin. Pra njërin si “ëngjëll” dhe tjerin si “djall”.
Konstatimi është në mos i nxitur nga pandershmëria për të zhvlerësuar opinionin e tjertrit, së paku nga mosinformimi për tezat e atij me të cilin ke vendosur të replikosh.

Unë mendoj se në këtë betejë është e pamundur të bëhet ndarja nè të mirë dhe të këqinj. Në të virtytshm dhe shkërdhata. Për mua në këtë konflikt janë përballë dy specie të ngjashme. Pikërisht se mendoj kështu, që kur nisi kjo krizë, pra në 18 shkurt, kam mbajtur të njëjtin qëndrim. Qëndrimin që besoj e ndaj njësoj me Muç Nanon, se kjo është një qeverisje e keqe, kleptokrate dhe abuzive. Pra shkurt është një dështim. Por, ama një dështim i ambalazhuar mirë me marketingun që i bëjnë mediat e blera totalisht, në një aleancë të pathyeshme me oligarkët të cilëvë u ka falur koncesione 10 vjeçare dhe leje ndërtimi mbi 20 katshe, në një kompromis të plotë me narko-trafikantët.

Nga ana tjetër, ama, nuk kam nguruar të theksoj se edhe një qeverisje e tillë, sado e koracuar që të duket, mund të mundej nëse dikush do të kishte moralin dhe aftësinë për të mbrujtur një frymë popullore kundër saj. Në këtë prizëm kam konstatuar se opozita e Bashës, nuk është e aftë për këtë mision. Për një qind e një arsye, për faktin se nuk është shkëputur dot nga praktikat më të këqia të berishizmit, se nuk ka ditur të rinovohet, se nuk ka bërë mea colpa për Gërdecin, 21 janarin, Armon, Albpetrolin, vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë, kam theksuar se kjo opozitë nuk është e aftë t’a mundë pushtetin e mbështetur me para droge dhe media klanore të Ramës.

Prandaj, që në fillim kam mbrojtur idenë se para se të bëjë opozitë fallco dhe t’i sigurojë kryeministrit sfondin e një farse demokratike, PD-ja do të bënte mirë të mos futej në zgjedhje. Pra unë kam mbështetur idenë, se është më mirë një PD e ngujuar në çadër, sesa një opozitë si ajo që i bëhet Putinit në Rusi. Gjëndja aktuale në Shqipëri, ku qeveria ka rrëmbyer pushtete ekstra demokratike dhe ku opozita është moralisht e pabesueshme, e bëjnë të pamundur një garë reale. Atëherë më mirë të mos kemi zgjedhje fare, sesa të kemi një konkurim fiktiv. Atëhere më mirë Rama t’i marrë të gjitha siç është përpjekur këto katër vite dhe opozita t’a humbasë edhe pushtetin e të qenit pakicë.

Ky pra ka qenë thelbi i qëndrimeve të mia. Jo ai që thotë Nano. Jo ai i Bashës së bardhë dhe Ramës së zi.

Natyrisht, ndonëse i kam parë të dy njësoj me ngjyra të errëta, kam qenë i bindur se ata kanë të drejtën të kenë zgjedhje të ndershme, të rregullta dhe të barabarta. Ashtu si dy kriminelë që përfitojnë nga ligji njësoj me dy burra të ndershëm. Ashtu sikurse dy skuadra futbolli, që sado të dobëta apo difektoze të jenë, nuk mund të penalizohen duke u caktuar një gjyqtar të anshëm.

Dhe këtu, procesi zgjedhor i 18 qershorit nuk ka asnjë shans të jetë i barabartë. Në një kohë kur gjithë TV-të e mëdha janë kapura nga qeveria, ndërkohë kur gjithë biznesmenët e mëdhenj do financojnë fushatën e Ramës që ka ndikuar në shumfishimin e pasurisë së tyre, ndërkohë që trafikanët nuk renditen kurrë me opozitën, ç’zgjedhje të ndershme mund të kishte?

Këtë ide kam mbrojtur unë.

Dhe besoj se fakti se kam këmbëngulur se edhe një “i keq” si Basha, ka të drejtë të trajtohet me të njëjtat rregulla dhe të njëjtat të drejta si “i keqi” tjetër, kryeministri i vendit, nuk më bën as palë, as më pak të pavarur.

Duke sqaruar këtë pozicion bëhet më i thjeshtë edhe shpjegimi i akuzave të tjera që më bën Nano. Ai më rendit tek radikalët, duke më përmendur idenë time se me Ramën nuk bëhet dialog.

Po a ka ekstremitet këtu?

A është Rama një njeri i dialogut? A e prishi ai dialogun me opozitën për reformën teritoriale që e ndau Shqipërinë sipas interesave të tij dhe të Ilir Metës? A bëri ai dialog për ligjin konsensual të nënpunsëve civilë qe e shkallmoi sapo erdhi në pushtet?

Ka dhe raste të tjera.

Po le t’i shmangemi krahasimeve të tij me opozitën dhe ta marim Ramën në raport me fakrorët e tjerë në shoqëri.
A bën ai dialog me shoqërinë civile që kur proteston për çështje të mjedisit apo të trashigimisë u thotë shkoni bëni pariti?
A bën ai dialog brenda familjes së vet politike të cilës pas çerekshelulli i suprimoi edhe zgjedhjet e brendëshme?
A bën ai dialog me gazetarët kur shëtit studio më studio dhe i quan media të kazanit dhe të korruptuar?
A bën ai dialog ne qytetarët të cilëve i premton kur i merr votat “zero ndërtime” në Tiranë dhe pasataj vazhdon e mbush qytetin me grataçiela?
A bën ai dialog me protestuesit kundër importit të plehrave, të cilëve u pat bërë premtimin elektoral se kjo nuk do të ndodhte kurrë?
A bën ai dialog me ekologjistët kur vendos të ndërtojë edhe nëpër zonat e mbrojtura natyrore?
Ja pra, kjo kronologji faktesh më ka bërë mua të besoj se Edi Rama është i pa aftë të dialogojë. Me Lulzim Bashën jo e jo, por as me ata që nuk ka pse i sheh si kundërshtarë dhe armiq. Dhe që të arrish në këtë konkluzion, përpara se të kesh kompleksin se i shërben Bashës, unë besoj se duhet të kesh krenarinë se po i shërben të vëretetës.

Po e njëjta fabul përsëritet edhe në akuzën tjetër që më bën kolegu im për nxitje dhune, lidhur me një thënie në emisionin “Të paekspozuarit”: “se pushtetet banditeske mund të luftohen edhe me mënyra banditeske”.
Po, po, citimi është i drejtë dhe i qëndroj. E kam thënë disa herë dhe përsëris të njëjtën tezë që prej janarit 2011. Dhe jam koshient për atë që bëj. Sepse e di që jetoj në një vend ku gjithnjë faji i vihet atij që proteston dhe jo atij që abuzon në zyrë. Sepse e di që shkruaj dhe flas këtu, ku më e kollajshme është të nxish opozitën sesa të pickosh nga pak pushtetin.

Kështu ishte edhe në 21 janar siç e kujton me të drejtë Muçi. U ngrit gjithë ajo zhurmë e ububushme (që përfundoi me vrasje) se dikush donte në rastin më të keq të thyente nja xham, ndërsa në mëkatin më ekstrem të gërvishtte një gardh. E pastaj? Po sikur të arrinin t’a bënin ç’gjëmë e madhe do të qe? Azgjë më shumë sesa do të shihej më mirë në sy të shqiptarëve se gjendja qe shumë më e rëndë sesa ajo që përshkruante Berisha dhe mediat e tij. Se kartolina e vendit të qetë dhe normal do të grisej sado pak.

Prandaj, megjithëse vetë nuk do ta bëja kurrë, nuk do t’i shihja si armiq të kombit ata që do të hidhnin një gur të paligjshm më tepër. Një pushtet arbitrar dhe abuziv duhet të marrë edhe ndonjë të gërvishtur në fytyrë.

Të njëjtin mendim kam pasur në janar 2011 ruaj edhe për Kavajën. Nuk do të bënte keq grisja e fotografisë se aty po zhvilloheshin zgjedhje normal.? Ku zgjedhje normale? Aty ku kandidati i PS-së kishte caktuar edhe një konkurent fallco, që u tërhoq sapo dha urdhër Rama? Ku zgjedhje normale? Aty ku ishte kryebashkiak Ervisi, i cili i la fillimisht vendin gruas së ortakut dhe më pas caktoi në garë zëvendësin?
Cila është dhunë me e madhe, ajo që po ndodhte në zyrat e pushtetit në Kavajë, apo një shkop i paligjshëm i ngritur në ajër?

Ja pikërisht për këtë, kam qenë i mendimit se as pushteti i Berishës dje dhe as ai i Ramës sot, nuk mund të trajtohen me respektin e pushteteve legjitimë. Pikërisht për këtë, kam rrefuzuar t’i quaj tradhëtarë të kombit, të porosive të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ata që duan ta gërvishtin llakun e kartolinave që pikturojnë qeverisjet.

Këto qëndrime kam mbajtur unë. Dhe të besosh kështu nuk mendoj se i shërben idsesë se Rama është “djall” dhe Basha është “ëngjëll”,  siç më akuzon Muç Nano.

Jo, jo, aspak.

Unë vetë nuk kam as pikën e dyshimit se të dy janë njësoj. Se kur gjenden në pushtet prodhojnë të njëjtat mëkate, ndërsa kur janë në opozitë, qahen për të njëjtat padrejtësi.

Prandaj nuk e kuptoj se si një kënvështrim i tillë i thënë kaq ashpër dhe kaq troç, mund të shtyjë dikë të të radhisë me njërën nga palët.

Pikërisht këtë gabim ka bërë sipas meje edhe kolegu im Muç Nano.

Sinqerisht dua të besoj se në këtë konkluzion ka arritur, nga pakujdesia që ka treguar ndaj qëndrimeve të mia. Nga leximi sipërfaqësor i atyre që kam thënë dhe kam shkruar. Pasi versioni tjetër do të qe t’a kishte bërë nga pozita e të qenit palë. Nga këndvështrimi i atij që megjithëse e kritikon Ramën, nuk do ta shohë të bjerë nga pushteti. Nga optika e atij që mishin ta kafshon, por kockën ta ruan. Nga pozicioni i atij që është i gatshëm të mbështesë që të gjithë qelbësirat të vazhdojnë të qeverisin këtë vend. Dhe në këtë rast kjo replikë do të qe një goditje nën brez. (Lapsi.al)

Share: