Home KRYESORE Ballkani mes krizave, por Europa bën një sy qorr

Ballkani mes krizave, por Europa bën një sy qorr

Deputetë të opozitës të mbuluar me gjak; një turmë “që ngushton rrethimin përreth tyre si një tufë ujqërish”: edhe një herë republika e vogël ballkanike e Maqedonisë (2.1 milionë banorë) ka zënë titujt kryesorë të mediave botërore, shkruante Ervan Fouéré në Balkan Insight (Beograd). Vështirë të besosh se ky është një vend kandidat për në BE, i udhëhequr nga një parti (nacionalizmi i të cilës josh maqedonasit etnikë) të lidhur me Partinë Popullore Evropiane, grupin më të madh në Parlamentin Europian.

Megjithatë, është një parti, udhëheqësi i së cilës, Nikolla Gruevski, refuzon t’ia dorëzojë pushtetin një aleance të social demokratëve dhe pakicës etnike shqiptare, edhe pse ata mund të formojnë një qeveri të shumicës, ndërsa ai nuk mundet. Kur opozita shënoi një sukses të rrallë javën e kaluar duke zgjedhur një prej të vetëve si drejtues të Parlamentit, ishte Gruevski dhe deputetët e tij që e lanë turmën nacionaliste të hynte në parlament.

Ajo që ndodhi më pas ishte e tmerrshme edhe sipas standardeve të Ballkanit, shkruante Benoît Vitkine në Le Monde (Paris). Forcat e sigurisë rrinin e vështronin, ndërsa turma vërshoi brenda qëllonte me karrige. Udhëheqësi socialdemokrat Zoran Zaev, me fytyrën dhe këmishën mbushur me gjak, u pa të mbrohej nga deputetë të tjerë të lënduar.

Deri kohët e fundit, Maqedonia ishte një “fëmijë posteri i fuqisë transformuese të BE-së“, shkruante Dimitar Bechev në Al Jazeera.com. Përkundër pritshmërive, ajo i mbijetoi konflikteve që pllakosën Bosnjën dhe Kosovën, duke arritur të mbetet një demokraci multietnike, megjithëse “e brishtë dhe jofunksionale”. Ajo madje aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në. Por projekti i “evropianizimit” është ndalur, pjesërisht për shkak se Greqia ka vënë veton ndaj aplikimit të saj. (Ajo kundërshton përdorimin e emrit Maqedoni, meqenëse pjesa më e madhe e mbretërisë së lashtë të Maqedonisë ndodhet në Greqinë veriore.)

Pra, politikanët e Maqedonisë, të cilët kurrë nuk ishin shumë të interesuar në ndjekjen e vlerave evropiane, iu kthyen shpejt mënyrave të dikurshme. Në dy vitet e fundit, vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, ku spikat “nacionalizmi gjuhësor” tipik i Ballkanit: qendra e Shkupit është shndërruar në një “park me temë historike”. Partia e Gruevskit tani është e përfshirë aq shumë në korrupsion dhe skandale të abuzimit me pushtetin, saqë ai nuk guxon të largohet, nga frika se do të paditet nga një prokurore speciale dhe do të përfundojë pas hekurave, ashtu si kryeministri i mëparshëm i Kroacisë, Ivo Sanader.

Si zakonisht, Evropa është “një somnambul që ecën” nëpër këtë krizë të re, shkruante Adelheid Wölfl në Der Standard (Vjenë). Mosveprimi i saj i dërgon një sinjal “shkatërrues” politikanëve kudo në rajon, të cilët shohin se liderët evropianë, tani mund të bëjnë një sy qorr, edhe përballë rikthimit të tyre tek metodat e kanosjes dhe frenimit të lirive.

Në atë që ishte ndoshta veprimi i tij i fundit para largimit nga detyra, Barak Obama kishte vendosur sanksione ndaj udhëheqësit serb të Bosnjes, Milorad Dodik për sjelljen e tij anti-demokratike, por Brukseli nuk deshi të vepronte njësoj. Dhe tani që Donald Trumpi është në detyrë, as SHBA nuk është e gatshme të ndihmojë, për ta mbajtur gjallë demokracinë në Ballkan. / Përgatiti: Bota.al

Share: