Home KRYESORE Cilësitë që duhet të ketë një deputet

Cilësitë që duhet të ketë një deputet

Nga: Dr. Enriko Ceko

Të shërbesh si deputet në Parlament është sa e thjeshtë aq edhe e vështirë. Kjo në varësi të botëkuptimit, edukimit, origjinës, bindjeve politike, ekonomike, sociale, kultrore, etj, që përbëjnë edhe bazën apo themelin mbi të cilin individi ecën përpara në jetë. Është e thjeshtë nëse e ke ndarë mendjen që të ngresh apo jo kartonin për të marrë vendime vetëm në interes të mbushjes së xhepit dhe është po ashtu e thjeshtë nëse e ngre apo e ul kartonin për të mbrojtur interesat kombëtare dhe të atyre që të kanë votuar dhe je në Parlament me të drejtë, me përvojën e punës, me nivelin e lartë të edukimit, me origjinën e të parëve e të tjerë si këto. Është e vështirë që të ngresh apo ulësh kartonin për të mirë të vendit dhe kombit kur në Parlament shkohet me manipulime e vjedhje të votave dhe me ndihmën e krimit e korrupsionit dhe gjithashtu është shumë e vështirë që të ngresh apo ulësh kartonin në dëm të interesave kombëtare dhe të atyre që të kanë votuar kur e do atdheun dhe qytetarët e tij.

Imagjoni një ishull me shumë pak burime të vlefshme natyrore, me njerëz që, të dëshpëruar, kërkojnë një lider apo disa të tillë, që ti drejtojnë. Pra, cilat janë disa nga cilësitë kryesore që këta njerëz të dëshpëruar do kërkonin te drejtuesit e tyre?

Për një drejtues të suksesëshëm janë të nevojshme një grup aftësish bazë, pavarësisht nga stili i drejtimit, që i rendisim më poshtë:

1. Vizioni

Drejtuesit më të mirë janë ata që kanë vision me një sens të qartë të synimeve të moralshme. Drejtuesit e suksesëshëm kanë një vision të qartë dhe aftësi për të formuluar dhe formësuar të ardhmen dhe jo të formëzohen nga ngjarjet që ndodhin përreth tyre apo nga njerëzit që i rrethojnë.

2. Kurajo

Drejtuesit e suksesëshëm tregojnë përkushtim të madh dhe dëshirë të mirë e qetësi për të parë përtej, përpara. Ata janë të gatshëm të ndërmarrin riskun dhe të marrin vendime të shpejta. Kjo ka të bëjë me kurajon mendore për të qendruar në ballë të detyrave dhe përgjegjësive.

3. Pasioni

Drejtuesi është në ballë për të tjerët dhe jo për vehten dhe kjo nuk duhet harruar kurrë. Drejtuesit e suksesëshëm janë të pasionuar për drejtim dhe për të mësuar gjatë punës, duke treguar përkushtim ndaj njerëzve. Ata tregojnë interes aktiv për çdo gjë që ndodh në jetë përreth tyre dhe përtej dhe padyshim për çdo gjë që është parashikuar të ndodhë në komunitet.

4. Inteligjienca emocionale

Drejtuesit e suksesëshëm janë ndërtues të grupeve të punës. Ata e kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fuqizimit të personelit, duke treguar dëshirë të madhe për të punuar së bashku. Duke ndërtuar marrëdhënie të drejta me kolegët dhe njerëzit në përgjithësi drejtuesit bëjnë që të ndiqen në mënyrë të natyrshme nga të tjerët, të cilët ndihen të motivuar nga puna e drejtuesve.

5. Gjykimi

Drejtuesit e mirë janë gjykues të mire (jo gjykatës). Ata ndërmarrin veprimet e duhura dhe bëjnë përpjekje që të përfshijnë edhe të tjerët në vendim marrje, duke ecur së bashku përpara me qytetarët.

6. Elastikë

Drejtimi është plot me ngarkesa nga më të ndryshmet dhe kjo kërkon që drejtuesi të ketë optimizëm dhe të jetë elastik, të qendrojë i qetë përballë krizave dhe të tregojë energjinë e nevojshme dhe pozitive përgjatë tërë kohës. Kjo ka të bëjë me njohjen e vetvehtes dhe e përdorimit të aftësive e strategjive personale për të notuar në ujra të panjohura.

7. Bindja

Drejtuesit e mirë janë komunikues të mirë. Ata janë bindës të mirë të atyre që u vijnë nga pas dhe gjithashtu ata janë edhe dëgjues të mirë të atyre që i ndjekin. Në këtë mënyrë ata sjellin motovim midis njerëzve dhe kjo bën që drejtuesit të ecin së bashku me njerëzit për një kohë të gjatë.

8. Kurioziteti

Drejtuesit e suksesëshëm shikojnë përpara dhe janë kuriozë. Sekreti është që drejtuesit të mbajnë një sy e një vesh jashtë organizatës për të parë dhe kuptuar se ç’farë ndodh përtej, për të krijuar ide të reja. Kjo bën që lidhjet e punës të shtohen edhe më shumë dhe organizata të zgjerohet me njerëz të tjerë të mire dhe edhe më të mirë.

Pra, deputetët tanë, minimalisht, duhet të kenë vizion për të ardhmen e vendit sepse me uljen apo ngritjen e kartonit ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të ardhmen e afërt dhe të largët të vendit. Ata duhet të kenë kurajo që të mbrojnë interesat kombëtare dhe t’u thonë ndal manipulimeve që mund të bëhen nëpërmjet kartonit në Parlament në dëm të këtyre interesave. Deputetët duhet të jenë pasionantë në punën e tyre dhe të përcjellin po me pasion te kolegët e qytetarët e vendit pikëpamjet e tyre dhe kjo kërkon që ata të jenë të pajisur edhe inteligjiencë emocionale. Gjithashtu, deputetët duhet të kenë aftësi gjykuese të shëndosha dhe një logjikë të fortë, për të mos rënë pre e situatave të komplikuara e të vështira për të marrë vendime dhe këto cilësi ecin paralel me cilësinë e elasticitetit. Deputetët duhet të jenë të bindur në vendimet që marrin dhe për këtë ata duhet që të jenë edhe shumë kuriozë për të mësuar çdo ditë edhe më shumë për çdo gjë që lidhet me detyrën e tyre, që është bërja e ligjeve të mira, në mënyrë që cilësia e jetës së qytetarëve të përmirësiohet edhe më tej.

Personalisht mendoj se Shqipëria është fare pranë skenarit të ishullit me pak burime të vlefshme natyrore e financiare dhe çuditem se si në këto prag zgjedhjesh qytetarët e këtij vendi kaq të bukur por të varfër nuk e morrën në dorë situatën por lanë që kandidatët për deputetë të përzgjidhen nga krerët e disa partiçkave, të mbushura me militant, ku gëlon injoranca, dhe, në mënyrë që Shqipëria të mos bëhet si ky ishulli, është shumë e nevojshme që deputetët të zgjidhen nga populli dhe jo nga partitë dhe populli të zgjedhë për deputetë më të mirët prej nesh e jo më të paaftët e më të pamoralshmit, apo ata që kurrë nuk kanë qenë protagonist të ideve e pikëpamjeve të avancuara për zhvillimin e vendit dhe kombit tonë.

Është vetë populli që duhet të zgjedhë për deputetë ata që kanë vizion, ata që kanë kurajo, ata që kanë passion, ata që kanë inteligjiencë emocionale, ata që kanë gjykim, që janë elastikë, që kanë bindje dhe që janë kuriozë. Pa këto cilësi deputeti shumë shpejt kthehet në një palaço apo zagar, që mezi pret të mbushë xhepat e vet, paçka se qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, që i dhanë votën, vuajnë për bukën e gojës.

Share: