Partia Demokratike duhet të përmbyllë brenda mesnatës së sotme listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, ndërsa i gjithë proçesi mund të cilësohet hermetik, për shkak të mungesës së informacionit.
360grade.al ka mësuar se listat po hartohen drejtpërsëdrejti nga Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili takimet e fundit që ka pasur ishin gjatë ditës së djeshme me të deleguarit në Qarqe, të cilët mblodhen informacione mbi mbështetjen e kandidatëve të propozuar qoftë nga baza e partisë, ashtu edhe në formë elektronike.
Nga ky moment, pra pas dorëzimit të verifikimeve të kryera nga koordinatorët e emëruar në këtë proçes, gjithçka është mbajtur “top secret”.
360grade.al ka mësuar se kreu demokrat është treguar i prerë ndaj tentativave për të përfshirë në listën e kandidatëve emra që nuk rezultojnë të propozuar në një nga format, madje në të paktën 3 raste ka kërkuar prej koordinatorëve që t’i përmbahen vetëm listës së propozimeve, duke nxjerrë jashtë propozimeve emra të hyrë rishtas.
Po çfarë flitet në selinë e PD-së mbi listën e kandidatëve? Cilët do të jenë emrat që do të drejtojnë fushatën sipas qarqeve?
360grade.al ka mësuar nga burime të PD-së se lista do të ketë surpriza jo vetëm përsa i takon emrave të rinj që do të promovohen, madje duke u renditur në vendet e sigurta të listës, por edhe për faktin se disa prej ligjvënësve aktualë, që konsiderohen edhe “senator” në rradhët e PD-së, do të jenë në vende jo shumë të sigurta.
Burime shprehen se edhe kreu demokrat Lulzim Basha nuk ka caktuar ende qarkun që do të drejtojë për fushatë, edhe pse përzgjedhja do të jetë mes 3 qarqeve, Tiranë, Elbasan, Fier.
Asnjë prej emrave të propozuar si kandidat nuk ka pasur mundësi kontakti me kreun e PD-së përgjatë ditëve të fundit, çka do të thotë se është tentuar që i gjithë proçesi të bazohet në numrin e propozimeve që janë bërë nga degët e PD-së dhe në mënyrë elektronike, por edhe verifikimet e kryera në terren nga koordinatorët.
Burimet shprehen se do të ndiqet filozofia që emrat më me eksperiencë të punojnë më fort në sigurimin e votave, nëse do të duan të jenë pjesë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit.
360grade.al ka mësuar se po synohet një shpërndarje e deputetëve me eksperiencë në qarqe të ndryshme, jo domosdoshmërisht duke respektuar origjinën apo daljen si deputet në disa mandate nga një zonë apo qark i caktuar.
Burimet konfirmojnë se gjithashtu do të zbatohet udhëzimi që të deleguarit apo verifikuesit e kandidaturave të propozuara për deputet nuk do të kandidojnë në Qarqet që kanë mbuluar në këtë proçes, duke shmangur në këtë ,mënyrë atë që demokratët e quajnë si konflikt interesi. /gj.k/ /360grade.al/