Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përshkruar nismën “Brezi dhe Rruga” si një përpjekje kundër terrorizmit për të shtuar se vendi i tij do t’i japë përkrahje të plotë, raporton Anadolu Agency.
Në fjalimin e tij të dielën në hapje të forumit “Brezi dhe Rruga” që po mbahet në Pekin të Kinës, Erdoğan, tha se nisma për një rrugë të re të Mëndafshit paraqet një projekt të rëndësishëm i cili do të mbulojë mbi 60 shtete të botës dhe rreth 4.5 miliardë banorë.
Nisma “Brezi dhe Rruga” u propozua nga presidenti i Kinës, Xi Jinping në vitin 2013.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Kinës, Xinhua, qëllimi i kësaj nisme është ndërtimi i një rrjeti të tregtisë dhe infrastrukturës përgjatë rrugëve të lashta tregtare siç është Rruga e Mëndafshit që do të lidhë Azinë me Evropën, Afrikën dhe më gjerë.
“Kjo nismë, në veçanti kundër rritjes së terrorizmit në botë, do të zhdukë pothuajse tërë terrorizmin, prandaj besoj se ky bashkëpunim i cili do t’i sjellë dobi të gjithëve, do të ketë sukses si një model. Ne si Turqi jemi të gatshëm të japim të gjitha llojet e mbështetjes”, tha Erdoğan.
“Besoj se kjo nismë e quajtur edhe Rruga e Re e Mëndafshit, do të paraqesë përpjekjet e së ardhmes për të lidhur Azinë, Evropën, Afrikën, madje edhe Amerikën e Jugut”, tha më tej Erdoğan, duke shtuar se suksesi i projektit do të varët nga rruga që lehtëson tregtinë e vendeve në fushën doganore, siç është heqja e barrierave jo-tarifore ndërkohë që i njëjti nxit investimet./dita.al