Home KRYESORE Idetë liberale dhe fushata zgjedhore

Idetë liberale dhe fushata zgjedhore

Nga Kasem Seferi

Rryma liberale ekonominë e perqendron te një fjalë të vetme: pronë, duke nënkuptuar pronësinë private mbi mjetet e prodhimit, transportit, etj.

Në këtë kontekst, rryma liberale mendon ndryshe nga rryma e ideve të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, që nënkupton se qeveria e ka për detyrë, ose të mbështesë, ose të subvencionojë, ose të japë privilegje për grupe të veçanta, sikundër janë monopolet dhe konçensionet.

Të gjithë janë të vetëdijshëm se çfarë ndodhi në këto katër vjet me konçensionet.

Në realitetin e jetës politike, partitë politike janë grupe presioni, ose ai grup njerëzish që duan të përfitojnë privilegje të veçantë për interesa vetiakë në kurriz të qytetarëve.

Ligji ose ligjet që shtrembërojnë konkurrencën në treg, që, me çdo kusht, u sigurojnë grupeve të caktuara të presionit një pozicion të veçantë në treg, duke i dhënë atyre diçka që u mohohet të tjerëve, cënon interesin e përgjithshëm.

Rryma liberale, si filozofi, ngrihet mbi kriterin e lirisë, si dhe mbi kriterin: më pak shtet më shumë treg, duke argumentuar me larine e këmbimit, të pronës, si dhe atë të efikasitetit ekonomik me mirëqënien, që rezulton prej tij.

Por, kufizimet shoqërore ndaj lirisë së njeriut, nuk janë thjesht pasojë e veprimit të shtetit, por edhe e veprimit të personave të tjerë (privatë apo të organizmave të tjerë).

Sektori publik mund të jetë një mjet për realizimin e dëshirave të personave, pra një instrument i lirisë së tyre.

Por, a ka rezultuar si i tillë nga zbatimi i plotikave të këtyre katër viteve?!

Pra, të dish nëse një veprim ose një tjetër duhet të realizohet nga sektori publik dhe politik, apo përkundrazi, t’i lihet tregut, ka qenë problemi kryesor i shtruar për studim nga ekonomia politike gjatë krejt zhvillimeve të saj.

Shteti/qeveria, duhet të përpiqet të korigjojë dhe, në këtë drejtim të ndërhyjë, nëse informacionet dhe arsyet e dhëna nga nëpunësit e vet i ofrojnë një mundësi më të mirë se mekanizmat e tregut.

Ndryshimet në filozofi mund të çojnë në mosmarrëveshje përsa i takon sferës përkatëse të veprimtarisë ekonomike të qeverisë, mirëpo, krijimi i mendimeve inteligjente rreth politikës publike nuk kërkon vetëm një filozofi politike, por dhe një kuptim të qartë mbi atë se çfarë bën në fakt qeveria.

Rezultatet e zgjedhjeve do t’i japin përgjigje të saktë pyetjes se si ka vepruar qeveria (me humor: me paratë e mia).

Në parim, konkurrenca e ndershme në treg e udhëheq sjelljen e individëve drejt mënyrave prej të cilave përfiton shoqëria si tërësi, por në fakt nuk ndodh përherë kështu, pasi interesat e individit nuk përputhen gjithnjë me ato të grupit duke i çuar ato në konflikt, veçanërisht, në rastet e konkurrencës së pandershme në treg.

Shqetësimi i vërtetë i ekonomistëve dhe i politikanëve duhet të përqendrohet mbi ato veprime të ndërhyrjes së qeverisë, të cilat synojnë t’i detyrojnë sipërmarrësit dhe kapitalistët t’i venë në punë faktorët e prodhimit në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ata do të bënin në qoftë se ata do t’u bindeshin vetëm diktateve të tregut.

Analiza e ndërhyrjes shtetërore/qeveritare në treg nuk do të ishte e plotë në qoftë se nuk do t’i referohej dukurisë së korrupsionit, që shkakton dëmtime në sfondin e çdo veprimi të ndërhyrjes së qeverisë në proçesin e tregut.

Përvoja nuk njeh ndonjë metodë të qartë dhe të drejtë të ushtrimit të një pushteti shumë të madh, si ai që ndërhyrja shtetërore/qeveritare vendos në duart e ligjvënësit dhe ekzekutivit, me pretendimin për të zevendësuar efektet “shoqërisht” të dëmshme të pronës private, me maturinë e pakufizuar të legjislatorit të mençur dhe të zyrtarëve.

Fatkeqësisht, zyrtarët nuk janë engjëj. Sigurisht, ka zyrtarë që nuk marrin rryshfet, por ka të tjerë që mezi presin të marrin përparësi për çdo mundësi të sigurt të ndarjes së pjesës me ata të cilët i favorizojnë me vendimet e tyre.

Korrupsioni është një efekt i rregullt i ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi.

Të shohim se çfarë do të thuhet për korrupsionin!

Të shohim çfarë do të thuhet si do të përdoren (me humor: paratë tona)!

Të shohim nëse do të votohet për Zotin X, Zotin Y dhe Zotin Z!

Të shohim se kush do të jetë “Lali” kryeministër i radhës!

Të shohim nëse do ta këndojnë qytetarët shqiptarë anekënd Shqipërisë këngën: “Të ka Lali xhan! Të ka Lali shpirt”!

Kasem Seferi – ekonomist

Share: