Home KRYESORE Këto ditë të “fanatizmit” politik

Këto ditë të “fanatizmit” politik

Nga Kasem Seferi

Është vërtetuar në jetën njërëzore dhe veçanërisht në politikë se fanatiku është ai njeri që nuk e ndryshon mendjen e tij dhe, për këtë qëllim nuk do të ndryshojë as subjektin e tij.

Nëse ka diçka që është vlerësuar, vlerësohet dhe do të vlerësohet në jetën e shoqëtisë njerëzore (natyrisht edhe shoqërisë tonë), është e drejta për të folur atë që mendon, pavarësisht në se thua një gjë të mençur, apo budallallëk; një diçka me vlerë, ose diçka të pavlerë, një diçka të dobishme, apo të padobishme e kështu me rradhë.

Shakaja është një diçka shumë serioze. Dhe, për çudi, disa liderë politikë, pasojë, por jo shkak kryesor i marrëveshjes Rama – Basha justifikohen me anë të shakasë politike, pikërisht, kur duhet të mendonin mirë e bukur atë që populli na ka lënë trashëgim: “Urtësia pas kuvendit nuk vlen”.

Shumëkush, mund të më përgjigjet duke më pyetur: A ishin partitë e vogla të pranishme në “kuvendin” kokë më kokë Rama – Basha?!

Natyrisht, ishin.

Për arsye se palët ua deleguan/ua dhanë të drejtën e fjalës/ligjërimit njëra palë Bashës dhe tjetra Ramës.

Juridikisht, kur ia jep të drejtat dikujt, duhet të përcaktosh edhe tagret e përfaqësimit për të folur jo vetëm në emrin e PD – së dhe PS – së por dhe partive të tyre aleate.

Por, edhe tagret e përfaqësimit, bëhen duke nënshkruar një dokument, që në rastin e mosrespektimit të këtij dokumenti qytetarëve shqiptarë t’u bëhet e ditur se me kë kanë të bëjnë, kush po ua kërkon votën dhe si?!

Dihet se gënjeshtra mund të shëtisë gjysmën e botës, por e vërteta, shpejt, një ditë në mos një tjetër, do ta ketë të drejtën dhe fatin të “marrë frymë”.

Politikanët shqiptarë duhet të bënin atë çfarë duhet të bënin, pavarësisht pasojave personale, pavarësisht prej pengesave, rreziqeve dhe presioneve, për arsye se kjo është baza e gjithë moralit njerëzor në shoqërinë shqiptare.

Deklaratat, analizat, opinionet, tashmë që marrëveshja u arrit, të bindin për atë që ka thënë një prej politikanëve më të shquar të botës “… pesimisti shikon vështirësi në çdo mundësi; optimisti shikon mundësi në çdo vështirësi.”.

Pasi ua deleguan të drejtat e tyre Bashës dhe Ramës, liderët politikë të partive të vogla aleate, dëshmuan se atyre u mungoi aftësia për të parashikuar çfarë do të ndodhte të nesërmen, javët që vinin, muajve më pas dhe viteve që presim në legjislaturën që do të votojmë.

Ata duhet të kishin aftësinë të parashikonin që të ndodhte ashtu sikundër ata e duan dhe e dëshirojnë të jetë demokracia.

Gjërat e thjeshta mund të shprehen me fjalët: liri, drejtësi, nder, detyrë, mëshirë, shpresë. Me këtë rast, për ironi, më vjen ndër mend thënia: “Zbutësi e ushqen krokodilin, duke shpresuar se do ta hajë atë të fundit.”.

Zotërinj të partive aleate!

Qëndrimi politik në rastin e zgjidhje së ngërçit politik ishte një gjë e vogël por që bën dhe do të bënte edhe më mirë një diferencë të madhe.

Partitë e mëdha ashtu si bizneset janë të suksesëshme kur kanë kosto të ulta dhe përfitime të mëdha. Sa më i zoti të jetë lideri politik aq më shumë kontribuon në përfitime dhe më pak në kosto.

Politika udhëheq ekonominë e vendit, por varet po aq nga sukseset e saj.

Fjalët e shkurtëra të politiklës janë më të mirat dhe fjalët e mençura të saj më të mirat e të gjithave.

As forca dhe as zgjuarsia, por përpjekjet e vazhdueshme janë kyçi i potencialit të pakufizuar politik.

Marrëveshja Rama – Basha ishte produkt i thënies: “Të negociojmë jashtë frikës, por kurrë të mos frikësohemi për të negociuar.”.

Nga ana tjetër, kritika e liderëve të partive aleate, mund të mos jetë e pranueshme tani që marrëveshja u arrit, por është e domosdoshme, sepse përmbush të njëjtin funksion ashtu si dhimbja në trupin e njeriut, pasi kërkon vemendje për një gjendje kur punët nuk shkojnë mirë.

Në këtë kuptim pajtohem me shumë kontribues, akademikë, politikanë, gazetarë, etj.

Por, të mos harrohet se programet e veprimit të partive politike kanë kosto dhe risqe. Por, ato janë aq shumë pak në krahasim me kostot dhe risqet e pafund në rast se ato nuk do të vepronin në kushte e krijuara nga ngërçi politik.

John Fitzgerald Kennedy jo më kot la pas thënien brilante: “Mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi për ju; pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin?”.

Konformizmi në çështjet politike është i burgosuri i lirisë së fjalës dhe armiku i rritjes së nivelit të demokracisë. Në një krizë politikani duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun, por gjithashtu duhet të njohë dhe mundësitë.

Një politikan mund të humbasë, partitë mund të ngrihen dhe të bien, port ë mos harrohet se ideja e demokracisë duhet të rrojë gjithmonë. E pamë se çfarë humbëm nga 1944 deri në 1990.

Marrëveshja Rama – Basha nuk është një tërësi premtimesh por, një tërësi sfidash.

Të gjithë ata politikanë që do të shohin vetëm në të kaluarën, ose në të tanishmen që lamë pas me marrëveshjen Rama – Basha, të jenë të sigurtë se do ta humbin të ardhmen.

Ta mendojnë mirë të gjithë politikanët se qytetarët do të mendojnë, do të gjejnë justifikimet e mendimeve të tyre të drejta ose të gabuara. Do të memorizojnë vuatjet e tyre për të gjetur se çfarë u nevojitet në të ardhmen, çfarë të bëjnë më mirë dhe si ta bëjnë atë me votë.

Këto zgjedhje janë provë që lideri politik shqiptar do të mendojë vetëm për zgjedhjet e tanishme, apo dhe për ato të ardhshme, nëse do që të jetë një lider politik vizionar që mendon, vërtetë, për gjeneratat e ardhshme.

Lideri politik që nuk do të jetë në gjendje t’i bindë pasuesit e tij, ta ketë të qartë që do t‘i hedhë ata në konfuzion.

Armik nuk është lideri politik X. Armik nuk është lideri politik Y. Armik është budallallëku që bëjnë ata të dy.

Të shpresojmë që liderët politikë të marrëveshjes të mos na kenë premtuar të ndërtojnë “urën” e demokracisë atje ku nuk ka “lumë” demokracie.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: