Home KRYESORE Knockout mendor! Nga Elis Buba

Knockout mendor! Nga Elis Buba

Plot spekullues të fjalës rreken të përpunojnë mendimin se si teknologjia e përparuar ka ndikuar në jetët e njerëzve, duke i bërë ata më të vetëdijshëm, më të informuar e duke ofruar ekspertizë, pa nevojën fizike të një eksperti.

Kjo nuk do të thotë detyrimisht se kemi të bëjmë me një hap gjithpërfshirës përpara. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një zhvillim të teknologjisë në fuksion të marketingut dhe konsumizmit dhe një mobilizim të tepruar të masave në kotësirat e pafundme që ofron një teknologji e zhvilluar me në brum informacionin multimedial, më së shumti për të shuar etjen injoranteske për argëtim nëpërmjet të rejave pa thelb dhe sens.

Nëse i referohemi jetës virtuale shqiptare, mund të themi se prodhues të shumë ndotjesh mendore, nëpërmjet portaleve të tyre, krijojnë gjithfarëlloj qyfyresh e krundesh serioze por edhe karagjoze, thjesht dhe vetëm për të akumuluar klikime e rrjedhimisht para, nëpërmjet politikave konvertuese të kompanive të ndryshme. Përpos klikimeve këto portale tërheqim shumë vëmendje duke fituar simpati diku e xhelozi diku tjetër. Skemës i kanë rënë në të shumë njerëz, të cilët nga publik, duan tashmë të shndërrohen në protagonist, duke përfituar kështu edhe ndonjë shumë modeste.

Influencës së dukshme të këtyre portaleve, sidomos atyre informative, i është bashkangjitur leverdia e partive politike, të cilat e kanë të domosdoshme të spekullojnë me një opinion publik të anuar e varur përkrah e madje poshtë tyre. Këtë qëllim e mbërrijnë më së miri, dukë derdhur shuma serioze në llogari të filologëve urbanë, që sakaq i lënë shëndenë pavarsisë së tyre e bëjnë fushatë të pastër dhe eksplicite politike.

Duhet të jesh shumë naiv ose i pandershëm, që të imagjinosh se njeriu krijon besim në pavarësi të plotë nga gjendja e tij konkrete. Claude Levi-Strauss

Kësisoji në pikpamjen time modeste do të thoja se janë vërtetë të paktë ata që përfitojnë nga teknologjia e përparuar në të tre dimensioned e saj shkencore. Masmedia ka një prirje për të konsumuar gjithnjë e më pak kohë, duke përcjellë një mesazh të ngushtuar e të qëruar nga çfarëdolloj nocioni interesant, kulturues ose edukues. Ky cungim i të rejave dhe kurioziteteve, kontribuon në sendertimin e një publiku që siç e shohim dita ditës, në rrjetet sociale por edhe gjetkë nuk di as të shkruaj e jo më të formulojë ide të rafinuara e të detajuara. Vetë mungesa e dëshirës dhe e arsyes për të shfaqur ide apo mendime të kësaj natyre, është një hap pranë KO-it mendor.

Teoricienë të ndryshëm komplotues thonë se e ashtuquajtura idiokraci, nuk është aq larg sa duket. Do të shtoja se në Shqipërinë tonë, këtij zjarri të rrezikshëm i hedhin benzinë nga të katërta anët.

Ne shqiptarët mendimet dhe perceptimet, i kemi magazinuar në një lloj fetusi të ngushtë mendor të ndotur e të konsumuar nga anarkia që duket se pëlqejmë kaq shumë. Të jem i sinqertë jam i bindur se kësaj toke kaq të bukur e të rrallë, që të shton dashurinë me një të thithur të ajrit të pastër diku në majë të malit, ose në brigjet e detit, dora e paskrupullt, cinike, pragmatiste e makiaveliste e njeriut i ka shërbyer, siç i shërben virusi një trupi të shëndoshë.

Ky fetus që përmban mendimet, idetë dhe perceptimet tona, bëhet edhe më i ngushtë, me kalimin e brezave. Si shembull na shërben shndërrimi i fëmijëve të porsa ardhur në jetë, në spektatorë të çakërdisur monitorësh e minimonitorësh, në mënyrë që të përqëndrohen e urtësohen për disa minuta, derisa prindi të ketë mundësi të konsumojë një pije në kafene e të flasë paksa për gjërat e kota e rrjedhimisht të ndryjë këtë pjesë të rutinës, brenda një lloj tradite ripetitive për të cilën që të gjithë ankohemi me fraza të llojit, “Mbetëm në kafe” apo “Asgjë…kafe gjithë ditën.”

Jeta bëhet kaq absurde, kur nuk ke pasione, aspirata dhe prirje për të dëshiruar në vazhdimësi për të jetuar. Për t’i dhënë minimalisht një kuptim çdo mëngjesi e çdo mbrëmje. Për tu ndarë një herë e mirë nga kriteret e tufëzimit më ordiner të mundshëm që gjeneron shoqëria e sotme shqiptare. Ku gjithsekush thotë se është ndryshe, por që të gjithë vishen njësoj e nuk guxojnë të mendojnë se ekziston edhe një mendim ndryshe e jo më të formulojnë një mendim të tillë a të mbajnë një qëndrim të tillë. Konformizëm i pështirë kashmi një realiteti që na është ngurtësuar, çimentuar e betonizuar ndër duar, pa na dhënë mundësinë që t’i japim një formë të dëshiruar.

Si nga një prind jo i njëmendtë i popullit, një dorë e pushtetshme vendos përpara syve tanë një ekran a monitor të teknologjisë së fundit, në mënyrë që edhe ne të rrijmë urtë për një periudhë të papërcaktuar, në mënyrë që kjo dorë e gjithpushtetshmë të bëj atë që ka planifikuar të bëjë, e që prezenca jonë fizike e mendore ia kufizon, për të mos thënë ia bën të pamundur. Sa më shumë të përthithemi e përfshihemi nga monitori që shfaq lajme dhe të dhëna plot ambiguitet, aq më shumë pallate të lartë do të na e rrethojnë shtëpinë, aq më shumë ujë i ndotur, do të na shitet si ujë i pishëm, aq më shumë ushqime jocilësore do stivosen në raftet e dyqaneve tona e makina të zhurmëta, zhulëta e ndotëse do të shtyhen zvarrë rrugëve, aq më pak ajër e jetë do të mbetet për ne dhe fëmijët tanë.

Sa më shumë të përthithemi e përfshihemi nga monitori që shfaq lajme dhe të dhëna plot ambiguitet, aq më urtë do rrimë edhe në ditë si 1 Maji për shembull, kur të drejtat duhet të kërkohen me kokën lartë e pa u dridhur nga despotizmi epror që rreket te orientojë pafundësisht jetët tona. Na shtrydhin e zgërlaqin njerëz që nepotizmin e kanë bërë institucion, njerëz që nuk drejtojnë parti politike, siç i quajnë publikisht, por korporata të mirfillta kompromentimi njerëzor. Këta individë të rrezikshëm i japin një mësim të mbrapshtë e zullumqar një shoqërie të tërë, në kërkim të identitetit dhe vetëdijes. Mësimi është elementar, keqbërësit në këtë stan gjeografik delesh, nuk pësojnë asgjë, askund, askurrë.

Madje mund të zgjidhen një ditë prej ditësh, (Pa dëshirën e tyre, kuptohet!), president republike. Mosbindja e mosaplikimi i normave minimale etike si një model suksesi profesional e shoqëror, arroganca dhe cinizmi i epërm si sinonime të shkathtësisë dhe pararendëse të një personaliteti të shëndetshëm, janë pjesë të vijimit të mësimeve që na ndihmojnë t’i nxëmë lektorët e shquar që duhet të gjendeshin pas një gardhi të hekurt. Mes të tjerash edhe për arsye se mosdakortësitë e tyre politiko-karagjoze, treguan për të shumtën herë se sovraniteti i këtij shteti është një mit e asgjë më shumë.

Një personi të thjeshtë si ti e unë, nuk i lejohet të jetojë e të luaj rolin e vetvetes në këtë shtet pragmatist. Atij i kërkohet të bëhet pjesë e hierarkisë së shahut që luhet nga duar me doreza pushteti. Ky qëllim mbërrihet duke na kushtëzuar jetën, duke na e pikpyetur të ardhmen, duke na e përçudnuar individualitetin.

Ti nuk mund të jesh vetja. Kjo nuk të lejohet. Jashtë turmës ka vetëm anonimë dhe ti dështon në një pozitë të tillë. Suksesi është brenda korit, që ekzekuton me të shtëna injorance brutale solistët.

Jemi të izoluar për më tepër. Na garantohen me pasaportë, tre muaj leje, për të vizituar ato vende, në të cilat ne duam të jetojmë. Të shporremi që këtej e asgjë më shumë. Ky është teatër absurd. Është si të luash me një femijë, duke i zgjatur një ëmbëlsirë që në fund e kafshon dhe e përtyp vetë.

Madje kushdo që arsimohet mes shumë sakrificash në shkollat më përfaqësuese të Europës, është i kushtëzuar nga detyrimi i kthimit pas. Duke qenë se legjislacioni është i atillë, që lejon përthithjen institucionalisht më fluide nga tregu i punës, vetëm i shtetasve të shteteve anëtare të BE.

Asnjë shqiptar nuk e merr dotë me mend se si mund të jetë Shqipëria europiane, pasi shumkush pranimin në Europë të këtij vendi të vogël, e konsideron nëpërmjet përceptimit të fukarait, si një hapje dyersh e mundësi ikje prej këtej. Kush ka ende dëshirë dhe nerva të konsumojë edhe disa vite të tjera pas hyrjes në BE, duke qëndruar këtu, është mëse i lutur ta bëjë, pjesa tjetër, sulm, të shkojmë e ta rinojmë Europën plakë. Ato vite që na kanë mbetur, t’i jetojmë në vende me rend të njëmendtë demokratik. Ta kujtojmë me lotë në sy për së largu vendin tonë, ku deputetllëku kushton vetem 100 mijë euro, në mos më pak.

Një mendje e ndritur, thotë një antropolog me vlera, nuk është ajo që jep saktë çdo përgjigje, por ajo që drejton saktë çdo pyetje.

Për shembull, përse ne jemi në këtë gjendje alarmante sociopolitike? Sepse vetëm blegërima na mungon, që të na zëvendësojë fjalët e mendimet. Barin për ta ngrënë e gjejmë vetë!

Share: