Home KRYESORE Lapsi.al: Platforma e plotë që po negociohet nga Rama e Basha

Lapsi.al: Platforma e plotë që po negociohet nga Rama e Basha

Prej afro 2 orësh kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës Basha po negociojnë në tryezën e thirrur nga presidenti Nishani për të gjetur një zgjidhje për krizën. Po cila është platforma mbi të cilën po zhvillohen negociatat?

Lapsi.al mësoi se po diskutohet mbi të gjitha pikat e ofruara të martën e javës që shkoi nga negociatori McAllister.

Dokumenti që McAllister i ofroi Bashës përmbante tre pika, siç zbuloi vetë mbrëmë kreu i PD. Ai ishte hartuar edhe ndihmën e ekspertëve të tre misioneve në Tiranë, OSBE, Bashkimi Europian dhe SHBA, ku paraqiteshin këto propozime.

Pika e parë: Shtyrja e zgjedhjeve me 16 korrik.

Pika e dytë: Zëvëndësimi i katër ministrave te kabinetit Rama me persona teknik të zgjedhur nga Rama dhe të aprovuar nga opozita.

Pika e tretë: Dhe një paketë mikse ku feksin dëshira për të parë një zgjedhje me konsensus të Presidentit te Republikës, të Avokatit të Popullit, kalimin e kryetarit të KQZ opozites, por jo shumicën në KQZ, dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE, pjesëmarrje te OJQ-ve në gjithë këtë proces.

PD u bëri këtyre propozimeve një kundërofertë.

Ajo argumentoi se prania e katër ministrave teknik të përcaktuar nga Rama, pishte  komplet e pamjaftueshme.  “Kjo për faktin e thjeshtë se Rama e ka provuar në këto katër vite se është i aftë të blejë deputete, parti të tëra opozitare e ti kthejë në parti qeveritare, të blejë deputetë të opozitës madje, të blejë edhe deputetë të LSI, partnerit të vetë në qeverisje, dhe se nuk do të kishte asnjë problem që të tjetërsonte menjëherë idenë pas këtij propozimi, për ti kthyer katër ministra teknike të propozuar nga ai, qoftë edhe me aprovimin tonë, në katër persona të bindur për axhenden politike të Edi Ramës që në këndvështrimin tonë mbetet shkatëririmi i zgjedhjeve të ardhshme përmes influencës së krimit drogës dhe kapjes totale të shtetit” deklaroi Basha mbrëmë.

Kundër propozimi ishte: Në qeverinë teknike kryeministri të propozohej nga Partia Socialiste, Edi Rama apo mazhoranca.

Për cështjen e datës së zgjedhjeve McAllister përsëriti qëndrimin e OSBE se nuk mjaftonte koha për votimin dhe numërimin elektronik.

PD pati këtë kundërpropozim: “Ne ua konfiduam ndërmjetësuesve europianë se në kontakt me pesë kompani kryesore europiane, prej të cilave kemi marrë garancitë, se prototipi për votimin elektronik mund të ndërtohet 3 deri në 5 javë nga momenti i porositjes dhe 5 mijë prototipë të tillë, 4 deri në 6 muaj. Dikush e ka ofruar për 4 muaj, dikush për 6 muaj, për të mbuluar të gjithë Shqipërinë me qendra elektronike, biometrike, ku shqiptarët hyjnë në dhoma pa komisionerë, pa kartë identiteti, indentifikohen me shenjat e gishtërinjve që tashmë është 90% e punës, ndodhen në bazën e të dhënave në serverin e sigurt që shërbeu për heqjen e vizave për shqiptarët, dhe votojnë në një sistem që në Europë quhet, sistemi i biletës së trenit, pra duke shtypur, një, dy apo tre herë. Një herë duke shtypur koalicionin, herën e dytë partinë brenda koalicionit, dhe deputetin e përzgjedhur, ky do të ishte një varietet i listave të hapura apo i zgjedhjeve mazhoritare me korrektim proporcional, etj. Pra është plotësisht e mundur. Kompromisi ishte se nese kjo nuk mundësohet në periudhën 4 deri në 6 muaj, siç garantojnë kompanitë që i prodhojnë këto sisteme për vendet e Bashkimit Europian dhe për vendet e tjera të botës, të shikonim mundesine per indentifikimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës”, sqaroi Basha mbrëmë pas video – konferencës me Daul e Hahn.

Për pikën e tretë PD nuk ka pasur ndonjë shqetësim. Ajo nuk ka shfaqur asnjë ambicie, përfshirë çështjen e Presidentit të Republikës në këtë ekuacion dhe është shprehur se çështja e kryetarit të KQZ-së është tërësisht e parëndësishme, pasi i takon mazhorancës të mbajë përgjegjësi përmes kryetarit të KQZ-së .

Pas këtyre kundërpropozimeve, nga negociatorët nuk ka patur më kontakte me PD. Sipas kreut të opozitës, kjo ka ndodhur pasi mesa duket pala tjetër ka refuzuar.

Me zbulimin e prapaskenave, Basha zbuloi edhe plaftormën mbi të cilën po zhvillohen ne gociatat për të gjetur zgjidhjen.

Ai u ul në tavolinë sot me Ramën pa kushtin që kryeministri të vinte me dorëheqjen me vete.

“E kam thënë dhe e e theksoj që qeveria teknike, votimi elektronik janë për ne mjete për të realizuar kauzën e madhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nëse ka propozime të cilat ofrojnë të njëjtat garanci që ne deri më sot nuk i kemi dëgjuar, jemi të gatshëm dhe të hapur ti diskutojmë”, u shpreh Basha. /Lapsi.al

Share: