Home KRYESORE Listat e kandidatëve të PD/Ku mund të kandidojë Basha dhe Berisha…

Listat e kandidatëve të PD/Ku mund të kandidojë Basha dhe Berisha…

Partia Demokratike është në fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 Qershorit, ndërsa grupet e punës pritet të raportojnë sot mbi përzgjedhjen e kandidatëve sipas qarqeve që u deleguan në krye të këtyre grupeve.

360grade.al mëson nga burimet e opozitës se pas paraqitjes së propozimeve nga drejtuesit e grupeve të punës do të jetë kreu demokrat Lulzim Basha ai që do të thotë fjalën përfundimtare mbi çdo kandidaturë të propozuar. Burimet shprehen se listat pritet të kenë surpriza, jo vetëm përsa i takon përbërjes, por edhe kryesuesve të listave të kandidatëve për çdo qark.

360grade.al ka mësuar se ende nuk ka një vendim se cilët do të jenë kryesuesit e listave, pasi për çdo qark ka 3-4 emra të propozuar.

Burimet shprehen se në Tiranë diskutohen për të kryesuar listën e kandidatëve Halim Kosova dhe Edi Paloka. Kosova kandidoi për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 2015 përballë Erion Veliajt, dhe megjithë humbjen ai arriti të marrë një numër të konsiderueshëm votash mbi subjektin politik, pra mbi PD. Ndërsa Edi Paloka, Nënkryetari i PD-së dhe Kreu i Grupit Parlamentar, mund të kryesojë edhe listën e Lezhës, nëse Kosova do të përcaktohet si kryesues në Tiranë.

Për kreun e PD-së, Lulzim Basha, janë 3 qarqe të cilat janë në diskutim. 360grade.al ka mësuar nga burimet brenda PD se Elbasani, Fieri dhe Vlora, mund të kenë kryesues liste kryedemokratin. Qarkun e Elbasanit, Basha e ka udhëhequr edhe në zgjedhjet parlamentare të 2009, ndërsa Fieri mund të merret përsipër për t’u kryesuar nga Basha, duke qenë qarku me më shumë mandate deputetësh pas Tiranës. Ndërkohë nëse do të kryesojë listën e PD-së për Vlorën atëherë përballja bëhet edhe më interesante po të kihet parasysh fakti se në këtë qark kandidon edhe Kryeministri Edi Rama, i cili renditet i 6-ti në listën e kandidatëve të PS-së. Ndërkohë në Qarkun e Elbasanit, lista mund të kryesohet edhe nga Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të kryesojë asnjë listë kandidatësh, megjithëse propozimi nga baza për emrin e tij renditet në kuotat më të larta. 360grade.al ka mësuar se ndoshta ish-Kryeministri mund të renditet në 3-4 vendet e para në listën e kandidatëve në Durrës apo Tiranë. Po kështu mësohet nga burimet se edhe ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mund të kandidojë në Tiranë, edhe pse ka propozime nga shumë degë të PD-së për kandidimin e saj.

360grade.al ka mësuar gjithashtu se drejtuesit e qarqeve nuk do të jenë ata që kanë kryesuar listat në 2013, çka do të thotë se shumë nga deputetët më të vjetër të PD-së, ose siç quhen ndryshe “senatorët” nuk do të jenë në krye të listave. /gj.k/ /360grade.al/

Share: