Nga Agim XHafka
E kam fjalën për këngëtaren e famshme greke. Erdhi në Korçë për një koncert në vitet ’70, bash në kulmin e diktaturës. Enveri atëhere shkroi “Dy popuj miq”, përshëndeti në gjuhën greke ca valltarë të Dropullit dhe u duk një farë lehtësimi në shkëmbimet kulturore.
U mësua veç një ditë para që të shtunë,ora 18,Marinela do këndonte në teatrin “A.Z.Çajupi.” Kuptohet që nuk kishte bileta,veç ftesa dhe ishin ndarë të gjitha. Babait i kishin dhënë një copë. E mori gjithë qejf për nënën se gjyshja ime ishte me origjinë nga Greqia. Por u step t’ia jepte asaj se sa i dhanë kartonin në dorë e porositën:
-Do duartrokasësh lehtë fare dhe jo për çdo këngë,le të themi një po,dy jo! Kuptove?
Babai tundi kokën dhe mendonte mamanë që mund të hypte në skenë. Ku kishte bir nëne të ndalte atë kur dëgjonte këngë greke.
Që t’u shpëtonte telasheve ma dha mua ftesën dhe e shoqëroi me porosinë e komitetit:
-Një po,dy jo,kaq !
-Po fishkëllima lejohen?- e pyeta.
Isha gjimnazist dhe këto kufizime më dukeshin gomarlliqe. Por e sigurova që do jem korrekt.
Hymë në shfaqje si në një vaki,sikur do kalonim në revistë para një xhenazeje. Nisi koncerti,na u ngroh shpirti,sytë po na delnin vendit,zemra kush e di nga fluturoi e pas këngës së parë dy,tre,pesë duartrokitje. Kaq. E bukura Marinela gati si në ëndërr. I binte mikrofonit me gisht sikur ai t’ja kishte defektin. Nisi kënga e dytë. Plot ritëm,me ngjyra dhe adrenalinë. Pa mbaruar fishkëlleu Vasili e u ngrit në këmbë,por e fishkëllyen drejt e përjashta dy burra muskulozë. Tek e dyta asnjë duartrokitje. Kruajtje zërash dhe lëvizje në karrike. Tek e treta ca pëllëmbë që takonin njëra tjetrën. Deri sa tek e fundit u bë heshtje. Dolëm një nga një. Mbaroi ceremonia funebre. Para teatrit dëgjoje:
– Unë as tek e treta nuk duartrokita. M’u bëftë kurban greçka.
-E ngatërrova tek kënga e katërt,por tek e pesta nuk duartrokita fare. E ndreqa gabimin.
Shkova në shtëpi. Sa më hapi derën babai,më pyeti:
-Si…
-Pa merak. Një po,dy jo.- i thashë dhe ika në dhomën e gjumit.
Por a mund të flija pas gjithë asaj “droge” qytetërimi që kisha gëlltitur? Në kokë më buçiste ritmi dhe melodia e Marinelës së bukur,që atë natë më bëri të jetoj në një botë prej ëndërre. Ishte prologu i kuptimit të jetës së vërtetë …