Reflektim mbi fjalën publike të z. Kryermadhi ndaj z. L. Rama
Nga Jeta Katro
“LSI nuk është parti kuotash dhe as vasale e asnjë institucioni shtetëror” do t’i drejtohej ditë më parë znj. Kryemadhi nënkryetarit të partisë së saj z. L. Rama, i cili ka pranuar të paguajë gjobën pas vendimit të KQZ-së. Mesa duket bëhet fjalë për shkeljen e ligjit nga kjo forcë politike për mos respektim të Kodit Zgjedhor, neni 67, pika 6 që qartësisht shprehet “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën 30 % e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini”.“Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore, KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi”.
Duke arsyetuar në fjalën e saj publike ndaj Ramës, se 3 emrat e pare në listën e kandidateve për deputetë të LSI-së “janë gra dhe vajza si rrjedhojë e kontributeve”, Kryemadhi publikisht shprehet se “e konsideron këtë gjobë një akt diskriminimi për punën e vajzave dhe grave të LSi-së, që kanë punuar dhe punojnë me zell e devotshmëri për një Shqipëri më të mirë”. Përpjekja e saj për të avokatuar në mbrojtje të grave (flitet për tre kandidaturat e treshes të parë të listës të Tiranës) është në kundërshti me Kodin Zgjedhor, neni 67, pika 6, pasi nuk respektohet e drejta e përfaqësimit të gjinisë tjetër, e mbështetur po ashtu me ligj. Dhe kjo përbën shkelje ligjore.
Për hir të vërtetës, LSI ka patur progress për një përfaqësim të gjërë të grave dhe vajzave të reja në listat elektorale 2017 duke arritur kuotën 50/50 në Tiranë, Dibër dhe Gjirokastër. Madje në Shkodër kjo kuotë ka kaluar në supermaci të përfaqësimit femëror me 54.5%. Por dhe shifrat prej 38.5% në Vlorë, 37.5% në Lezhë e Berat, 35.7% në Durrës e Elbasan, apo 33.3% në Kukës, Korçë e Fier flasin për përpjekje serioze të kësaj force politike për ta përdorur kuotën si instrument të rritjes të përfaqësimit femëror në legjislativ.
Por, nëse flasim për demokraci nuk duhet harruar se demokracia nuk është veçse një sistem i sundimit të ligjit, që mbron të drejtat e qytetarëve dhe kufizon fuqinë e qeverisë apo forcave politike. Në demokraci (atë që pretendojmë se jemi), të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që do të thotë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, përfshirë presidentin apo kryeministrin e vëndit. Në këtë kontekst, pushtetit politik i duhet të përballet me ligjin duke e respektuar atë dhe kushtetutën, që përfaqëson vullnetin e popullit nëpërmjet vendimeve të përfaqësuesve legjislativë të tij. Prandaj dhe duhet të jemi të qartë se rrugëtimi i investimit për fuqizimin e gruas duhet medoemos të kalojë nëpërmjet respektimit të pushtetit ligjor dhe vendimeve te autoritetit zyrtar. Në demokraci, më shumë se kurrë, e vërteta dhe respektimi i ligjit marrin një rëndësi të veçantë. Mbi këtë arsyetim nuk mund të pajtohem me kërkesën publike të z. Kryemadhi ndaj nënkryetarit të partisë të saj.
Përpos, prej kohësh i kam qëndruar mendimit se tashmë është tejkaluar çështja e kuotave edhe në Shqipëri, që duhet pranuar se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e hapjes të kulturës politike dhe shoqërore ndaj rritjes së përfaqësimit femëror në vendimmarrje. Jemi pothuajse në një stad të ri, ku prioritetet qëndrojnë më shumë tek cilësia se tek numrat. Dhe shëmbujt nuk janë të pakët. Vënde si ato Nordike kanë qenë të suksesshme edhe pse nuk kanë aplikuar sistemin e kuotës në nivelet legjislative duke u renditur kështu ndër vite në vëndet e para të përfaqësimit femëror në vendimmarrje në nivel global. Kjo ka ndodhur pikërisht në sajë të kulturës të hapur politike e shoqërore të këtyre vendeve, si dhe kualiteteve të grave qe iu bashkuan politikës.
Për aq kohë sa numrat nuk përbëjnë një zë në tryezat e vendimmarrjes tek ne është pak shpresëdhënës roli i grave në politikë. Përpos, edhe pse me dëshirën për të kontribuar në politikë, ato akoma nuk janë të përgatitura aq sa askush të mos i kundërshtojë aftësitë e tyre udhëheqëse, e kështu të promovohen në bazë të kompetencave dhe përvojës profesionale të tyre. Ka ardhur koha që ato të përzgjidhen jo në bazë të masave pozitive të diskriminimit, apo kritereve subjektive dhe nepotike, por bazuar mbi vlerat. Uroj shumë që kandidaturat femërore të përzgjedhura nga LSI apo forcat e tjera politike të jenë të tilla në mënyre që sic shprehet Kryemadhi “të punojnë me zell e devotshmëri për një Shqipëri më të mirë”. Në të kundërtën, ato kthehen në marioneta të lidershipit politik, sikundër rëndom ka ndodhur tek ne, madje duke u kthyer dhe në tabelë qitjeje në emër të tij. Për fat të keq, përjashto ndonjë rast të rrallë, apo thyerjen sëfundi të heshtjes të politikaneve femra të opozitës në mbështetje të mendimit ndryshe nga lidershipi brenda forcës së tyre politike (rasti Topalli e Bregu, ndonëse shumë të vonuara e për pasojë pa influencë), kjo panoramë ka qenë realiteti yne i trishtë ndër vite.
Nga ana tjetër, mbetet i padiskutueshëm fakti qe ky fenomen ka prekur po aq dhe gjininë tjetër. Por këtu bëhet fjalë për betejën e grave, të cilave u është dashur të përballen me kulturën shoqërore shqiptare të strukturuar mbi steriotipe gjinore, apo dhe asaj politike të dominuar nga meshkujt, qe si kudo në botë dihen të jenë kontribues shumë më të hershëm në politikë.
Por po ashtu gjykoj se rritjen efikase të numrit të grave në pozicionet vendimarrëse e sjellin kuotat vetëm atëhere kur ato shoqërohen me inkorporimin e konceptit gjinor për gjenerimin e politikave publike sensitive gjinore. Por kjo kërkon investim nga përfaqësueset e legjislativit të gjitha linjave partiake në Kuvend. Kërkon një sistem legjislativ mbështetës të këtyre politikave. Kërkon të luftohet sëpari hendeku egzistues ndërmjet aktorëve dhe veprimeve të tyre, kaq evident në parlamentin tonë për të dy gjinitë.
Nëse i referohemi nenit 164, pika 2 “Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”.
Ky nen, që në pamje duket konfuz dhe i mjegulluar. Për më tepër, nuk sjell ndonjë ndryshim esencial nga praktikat e ndjekura më parë. Atëherë, përse kjo shtesë e pikës 2? Në fakt dhe çuditërisht, kjo pikë e nenit ndryshohet nga varianti i propozuar nga Rrjeti i Grave Millennium (i prezantuar si alternativë e kuotës gjinore) në nëntor 2012 në séancën dëgjimore të shoqërisë civile me komisionin parlamentar bipartizan të reformës elektorale. Në thelb, propozimi i Rr.G.M kërkonte me argumentim bindës nevojën për plotësimin e vendeve vakante në Kuvend me kandidatet femra sipas listave elektorale të partive përkatëse. Por, pavarësisht mirëkuptimit dhe pozivitetit të dy kryetarëve të komisionit pas një debati të fortë ndërmjet palëve, por dhe entuziazmit të deputetes Hysi, që më pas do të shprehej për miratimin e propozimit nga komisioni, ky propozim do të riformulohej. Ashtu heshturazi e jashë vëmëndjes, aq sa nuk do kuptohej ndryshimi, propozimi nga shoqëria civile do të tjetërsohej thelbësisht. Shkruesit e nenit 2 të ligjit 164 do të keqinterpretonin vetëdijshëm propozimin nëpërmjet keqkuptimit të pretenduar ndaj alternativës të kuotës gjinore nga spektri politik.
Ky riformulim i mjegulluar e konfuz sic vihet re nuk është aspak “friendly” ndaj gjinsë më pak të përfaqësuar në Kuvend duke e lënë në një farë mënyre përzgjedhjen për vendet vakante në dorë të vullnetit të kryetarit të partisë, sikundër dhe treguan përvojat e mëvonëshme. Koha po ashtu provoi se ai do t’u jepte më shumë shanse kandidatëve meshkuj. Ajo që tërheq vëmëndjen, dhe pse e vështirë për t’u kuptuar, është se si kjo alternativë e kuotës gjinore që synonte mbështetjen e grave do t’u merrej në tavolinë përfaqësueseve legjislative të forcave politike, ku bën pjesë dhe deputetja Hysi, pavarësisht entuziazmit të saj fillestar. Indiferentizmi, neglizhenca, paaftësia për të kapur momentin, apo mungesa e avokatimit në favor të alternativave në mbështetje të grave nga brënda partive politike prej figurave femërore drejtuese e me peshë në parti, të marra sëbashku minuan një tjetër mundësi për rritjen e përfaqësimit femëror në legjislativ.
E njëjta situatë do të përsëritet gjatë vendimeve për kalimin e një prej buxheteve të Kuvendit të Shqipërisë të viteve 2013-2017. Pa dashur të hyj në komentet mbi dëmin, shkurtimi i buxhetit të barrëlindjes do të miratohet po me votën e deputeteve gra të spektrit politik të përfaqësuar në këtë Kuvend. Por ajo çka përsëri habit është mungesa e votës kundër e Hysit, Xhaxhkës, Leskajt e Gjermenit (PS), Topallit e Bregut (PD), Kryemadhit, Mehmetaj dhe Cakës (LSI), për vetë pozicionet e tyre të larta në parti, por dhe për backgroundin nga shoqëria civile apo lëvizja e gruas të disa prej tyre. Një tjetër fitore e rradhës e marrë në tavolinë kundër interesave të komunitetit të grave me vetë votën e grave.
Të avokatosh për të drejtat e gruas dhe fuqizimin e saj do të thotë të prezantosh në vazhdimësi aksione dhe nisma konkrete legjislative që çojnë në përmirësimin e mëtejshëm të statusit të gruas. Kur sukseset të jenë reale e jo artific, kur vlerat të sfidojnë antivlerat, kur nga këto suksese përfiton komuniteti i grave, dhe jo thjesht një kategori e përzgjedhur, mund t’i atribosh vetes suksesin. Gjykoj, se pamja aktuale e ekosistemit të fuqizimit të gruas duhet të na ofrojë një hapësirë për reflektim kritik, një hapësirë për të sjellë një sistem bashkëpunimi e të gjerë mbeshtetësish, dhe jo thjesht partnerë të vartësuar politikisht, që e praktikuar në vite ka cuar në shuarjen e grupeve të pavarura, apo dhe kalimin në partnerë monopolesh. Për fat të keq, kjo e realizuar dhe me bekimin e donatorëve vendas dhe të huaj brënda territorit të vëndit.
E me që jemi në kohën që akoma vazhdon të jetë aktiv debati mbi financimet e partive politike, duke shfrytëzuar gjithë hapësirat e mundëshme të reformës elektorale, një nismë efikase në mbështetje të grave përveç kuotës në listat elektorale do të ishte për shëmbull financimi i tyre me 2% nga fondet e forcave politike.