Home KRYESORE Nishani: Askush nuk më sqaron pse nuk u bënë zgjedhjet në Kavajë!

Nishani: Askush nuk më sqaron pse nuk u bënë zgjedhjet në Kavajë!

Presidenti në detyrë Bujar Nishani dekretoi 7 majin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve bashkiake në Kavajë, por situata duket se është në ngërç.

Në një prononcim Express gjatë vizitës në Kosovë, kreu i shtetit thotë se nuk mund të njoftohej Presidenti për një vendim të KZAZ-së së Kavajës. Sipas tij, Presidenti njoftohet kur ka një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor në Kavajë, vendim i cili ende nuk është marrë.

Kreu i shtetit thotë se ‘fati’ i zgjedhjeve të Kavajës duhej t’i ishte adresuar edhe nga Këshilli i Ministrave, apo nga një vendim i Kolegjit Zgjedhor, por në asnjë rast nga një Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor.

Presidenti Nishani thotë se KQZ e ka njoftuar se zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan për shkak se cenohej siguria kombëtare. Një situatë që sipas tij nuk qëndron, pasi në të kundërt, pra nëse ky argument do të ishte i vërtetë, Presidenti do duhej të thërriste Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Nuk mund të lihet vendimi në duart e Presidentit për sa kohë nuk ka një vendim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për procesin zgjedhor”, – u shpreh Nishani duke ju referuar datës së re për mbajtjen e zgjedhjeve në Kavajë.

Share: