Nga Erjon Kalaja, Exit.al
Brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta po planifikohet të ndërtohet një resort turistik. Ky ndërtim do shkatërronte në mënyrë të patrjetërsueshme 1170 hektarë të parkut, zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë.
Fakte mbi Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga zonat më të rëndësishme në Shqipëri për sa i përket biodiversitetit. Kjo zonë ka numri më të lartë të shpendëve ujore dimërues në Shqipëri, me rreth 51,000 individë dhe për shumim rreth 500 çifte që folenizojnë.
Shpendët popullues të zonës si Pelikani Kaçurrel, Laraska së Detit, dallëndyshes së detit e pulëbardhat e ndryshme janë shpendë të mbrojtur.
89 lloje të ndryshme shpendësh, insektesh, amfibësh, zvaranikësh, gjitarësh e molusqesh, të pranishëm në zonën e Parkut, konsiderohen si të kërcënuara në Shqipëri. 42 lloje i përkasin kategorive shume të rrezikuara të shpendëve.
Sipas ligjit për zonat e mbrojtura, në një zonë të shpallur Park Kombëtar ndalohet:
- Shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;
- Ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë.
Po ashtu, disa konventa ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë, shkelen po të realizohet ky ndërtim:
- Konventa e Bernës për Rrjetin Emerald — Divjaka është shpallur Zonë Emerald në vitin 2008;
- Konventa Ramsar për Ligatinat e Rëndësisë Ndërkombëtare —Divjaka është zona e parë Ramsar në Shqipëri e shpallur në vitin 1996;
- Rrjetit Natyra 2000 për Zonat Veçanërisht të Mbrojtura — të gjithë shpendët dhe habitatet e tyre të përfshirë në këtë konventë duhet të ruhen nga çdo dëmtim.
Mbi ndërtimin e Divjaka Resort në zemër të Parkut Kombëtar Divjakë– Karavasta
Më datë 17 mars, u organizua dëgjesa publike mbi Vlerësimin Strategjik Mjedisor për master planin “Resort Divjaka Albania”. Bukuria e resortit dhe e natyrës që e rrethon mund të shikohet edhe nga animimet në faqen zyrtare të investitorit, por nëse nuk shikon dot Park Kombëtar aty, atëherë nuk mund të jesh investitor strategjik apo ekspert mjedisor.
Pa dashur të merrem me shitjen e profesionalizmit, etikës apo përgjegjësisë publike, po listoj arsyet e mia pse jam kundër këtij projekti.
Mbi dëgjesën publike
- Shqipëria ka bërë hapa të mëdha për përafrimin e legjislacioni me vendet Evropiane, por në Shqipëri ligji nuk zbatohet as nga institutcionet shtetërore. Si në rastin e Ministrisë së Mjedisit që njoftimin për dëgjesën publike e publikoi vetëm 2 ditë para zhvillimit të saj, kur ligji kërkon njoftimin të paktën 20 ditë përpara.
- Njoftimi u publikua vetëm në faqen e Ministrisë së Mjedisit, kur ligji kërkon njoftim në televizione, radio, gazeta për çështjet me interes kombëtar.
- Gjatë dëgjesës, përfaqësuesit e Ministrisë, të investitorëve, por dhe “ekspertët” shpreheshin se “projektet e zhvillimit në një park kombëtar, janë çështje lokale”, kur në fakt bëhet fjalë për një park kombëtar.
- Përfaqësuesit e kompanisë private ishin të bindur që nuk po ndërtonin në një park të mbrojtur, ndërsa “ekspertët” heshtnin për këtë fakt.
- Një nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit tha se projekti i prezantuar gjatë dëgjesës nuk është i njëjtë me atë të publikuar dy ditë më parë në faqen e ministrisë. Kjo pasi, kompania private kishte marrë në konsideratë gjatë këtyre dy ditëve shumë nga rekomandimet e ministrisë.
- Ligji parashikon regjistrimin e pyetje-përgjigjeve e komenteve të pjesëmarrësve nga përfaqësuesit e ministrisë dhe të kompanisë. Kjo gjë nuk ndodhte deri në momëntin që organizatrët vunë re se fjala e njërit prej aktivistëve po transmetohej në mënyrë direkte në Facebook.
- Prezantimi i ri, i ndryshuar brenda dy ditëve duhet të ishte dëguar brenda një jave tek pjesëmarrësit që e kërkuan atë, por edhe sot (04/03/2017) asgjë nuk ka mbërritur.
- Për ndërtimin e një resorti që ndikon dy delta lumenjsh, një vijë bregdetare – pjesë e parkut dhe zonë e mbrojtur, si dhe toka bujqësore që vuajnë nga kripshmëria, projekti duhet të kishtë marrë në konsiderantë lëvizjen e ujërave në det, nën e mbi tokë. Ky fakt nuk ishte trajtuar fare në studim dhe “ekspertët” ishin të papërgatitur për të dhënë shpjegime.
A nuk janë këta “ekspertë” që duhet minimalisht të sqarojnë investitorin për rreziqet e më pas të informojnë edhe publikun?!!!
Fakte “interesante”
- Sipas censusit të 2011-ës, Bashkia Divjake ka 8,445 banorë, ndërsa resorti i ri brenda Parkut Kombëtar parashikohet të këtë 18.280 turistë, pa llogaritur stafin që do të punësohet.
- Intestitorët dhe ekspertët nuk kanë marrë parasysh VKM-në 687, 19/10/2007, “Për shpalljen me sipërfaqe të zgjeruar të ekosistemit natyror Divjakë – Karavasta “Park Kombëtar”, ku katër nënzonat e parkut konsiderohen zona të mbrojtura.
- Sipërfaqja e projektit është 1170 ha ose 5.3 për qind e sipërfaqes totale të Parkut ose 15 për qind e zonës me Përdorim të Qëndrueshëm, në të cilën ky investim shtrihet pothuaj tërësisht.
- Studimi ka kryer vëzhgimin e shpendëve migratorë më 28 Dhjetor 2016. Sipas “eksperteve” shpendët migratorë duheshin vezhguar perpara se te merrnin pushimet e dimrit.
- Sipas fotove të raportit, dëgjesa në Divjakë midis “ekspertëve” dhe bashkisë Divjakë është zhvilluar në baret pranë bashkisë.
- Megjithë ndikimin e madh që ka infrastruktura, ajo nuk ishte pjesë e studimit, pasi investiori ka aplikuar për statusin e “investitor strategjik”
- Investitori ka parashikuar se ndërtimi i një impjanti të trajtimit të ujrave të zeza, infrastruktura rrugore, infrastruktura e nevojshme për ujë të pijshëm, energji, etj do të sigurohet nga shteti.
Përse jam kundër ndërtimit brenda Parkut Kombëtar
- Ndërtimi i resortit në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është në shkelje të plotë të Konventave Ndërkombëtare mjedisore ku Shqipëria bën pjesë.
- Jam kundër ndërtimit të resortit sepse preken plotësisht territori dhe vlerat natyrore të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, kategoria II e Zonave të Mbrojtura.
- Projekti i resortit nuk merr në konsideratë rekomandimet e Planit të Menaxhimit të Parkut, hartuar me mbështetjen e JICA dhe miratur në vitin 2016 nga Ministria e Mjedisit.
- Në vazhdim të prekjes së parqeve natyrore me konciesione të pafundme HEC-esh, çdo park natyror (kombëtar ose jo) do të jetë objekt sulmi nga investitorë “strategjikë”.
- Materialet dhe informacionet që i janë ofruar publikut janë të pa plotë, të paqartë, me harta të palexueshme, ku mungojnë të dhënat bazë mbi infrastrukturën, etj. Nuk mund të organizohen dëgjesat publike dhe takimet me grupet e interesit, siç i parashikon ligji, nëse informacioni mungon.
- Materialet dhe studimet e bëra nga investitori nuk janë të plota. Ato nuk trajtojnë ndikimet në florën e faunën tokësore dhe detare; nuk trajtojnë ndikimin në regjimin e ujërave detarë, lumorë, nëntokësor e sipërfaqësor.
- Gjatë “dëgjesës publike” të improvizuar u la të kuptohej se komentet e pjesëmarrësve nuk do të merren parasysh.
- E së fundi, e kundërshtoj këtë projekt sepse nuk dua që taksat e mia të shkojnë për ndërtimin e një infrastrukture që do të shkatërrojë një park kombëtar.