Disa mijëra mbështetës të opozitës që në orët e para të mëngjesit janë nisur nga rrethe të ndryshme të vendit drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike.
Sipas të dhënave që zotëron 360grade.al, që i referohet burimeve nga drejtuesit e degëve të PD-së në rrethe, janë me dhjetra autobuzë dhe qindra automjete të vogla, të cilat janë nisur drejt kryeqytetit në mënyrë të organizuar.
Referuar të dhënave, nga Qarku i Shkodrës drejt Tiranës janë nisur rreth 5500 persona, nga të cilët 3000 i përkasin vetëm Bashkisë Shkodër.
Nga Kukësi mësohet se janë nisur drejt Tiranës në mënyrë të organizuar rreth 2200 persona.
Nga Korça janë nisur 1800 persona, ndërsa si qark rreth 2200 persona.
Nga Fieri drejt Tiranës janë nisur në mënyrë të organizuar 3000 persona.
Po kështu nga Elbasani drejt Tiranës janë nisur rreth 2800 persona, ndërsa nga Durrësi rreth 2400 persona.
Gjithashtu nga Gjirokastra, sipas degës lokale, janë nisur rreth 1300 persona, ndërsa nga Saranda dhe Delvina 1100 persona.
Gjithashtu nga dega e PD-së në Vlorë mësohet se drejt Tiranës janë nisur rreth 1000 persona. /360grade.al/