Nëse dikush ka dyshime, nuk duhet të ketë. Qeveria Rama2, që do t’i paraprijë, qeverisë Rama3 të pas zgjedhjeve politike të Korrikut, do të ketë në Kuvend, edhe votat e PD. Është ky një rast që ka vetëm një precedent, qeverinë Fino të vitit ’97, që edhe ishte një qeveri e dalë nga “lufta”, ku PD u rrokullis në një Opozitë të gjatë.
Ndoshta kjo është ende një analizë e parakohshme, por shtrëngimi sportiv i duarve, ndërmjet Ramës dhe Bashës, sigurisht u ka lënë militantëve demokratë, një shije të hidhur në gojë, ndonëse dalja nga Çadra, ishte tashmë e detyruar, mbas qëndrimit zyrtar amerikan i nivelit të lartë.
Sigurisht palët do ta reklamojnë këtë “Marrëveshje të Mesnatës”, seicili për hesap të vet, si një fitore.
Porse është fakt, që objektivi kryesor politik i “Rezistencës” së Opozitës, që ishte Zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër, dështoi. Rama do të jetë përsëri kryeministër edhe mbas largimit të Çadrës, madje kësaj rradhe, për të votuar përfaqsuesit e vet, në Qeverinë e Re, PD, do të bashkojë votat me PS, duke legjitimuar de facto dhe de jure, Qeverinë e “urryer” dhe të “kanabizuar” të Ramës. Dhe ky nuk është sigurisht një sukses i opozitës.
Sigurisht Opozita, nuk doli duarbosh nga rezistenca e saj, ajo do të bashkëqeverisë me Ramën, disa institucione dhe do të ketë përfaqësuesit e vet, në një Qeveri Rama2, me jetëgjatësi 30 ditore. Mirëpo kryeministri, nuk do ta ndërrojë ministrin e vet të brendshëm dhe as shefin e pergjithshëm të Policisë dhe as do ta ndërrojë përsëri kabinetin e tij qeverisës.
Por edhe këto janë në fund të fundit, detaje pa rëndësi të dorës së parë. Dukshëm Rama e fitoi betejën e tij taktike dhe strategjike, ndaj të gjitha palëve dhe ky nuk është një lajm i gëzueshëm, për fatin e ardhshëm të demokracisë në Shqipëri.
Sepse Zgjedhjet që janë pas dere, nuk mund të garantohen me paketën Mekallister apo paketën Mekallister2, porse Opozita ishte e detyruar nga trysnia ndërkombëtare, të luante në tërheqje, aq më tepër që kishte filluar edhe një shthurrje dhe një dëzertim i frikshëm në rradhët e kupolës së vjetër të Pd.
Tanimë takimet Rama-Basha, nuk do të përbëjnë më lajm dhe duket se po afron koha që të mësohemi me një sekuencë tjetër nga teatri i politikës, ku sharjet, sulmet dhe fyerjet, do tua zënë vendin dorështrëngimeve dhe buzëqeshjeve të “çiltra”. Por mbi të gjitha, thelbi i kësaj Marrëveshjeje të Mesnatës, do të zbërthehet kur të vendoset nga tashmë të Dy më të mëdhenjtë, fati i Kodit Zgjedhor.
Por jo vetëm. Çfaqja sapo ka filluar dhe aktet do ta ndjekin njeri tjetrin në mënyrë shumë interesante. /360grade.al/